Eurodeputetët kërkojnë ngrirjen e fondeve për Serbinë: Vuçiç po përdor spyware kundër kritikëve
“Bashkimi Evropian nuk mund të sillet sikur gjithçka është “business as usual”, ndërsa qeveria e Aleksandar Vuçiç-it akuzohet se po përdor aparatin shtetëror të sigurisë kundër studentëve paqësorë, aktivistëve dhe opozitës”.
Kjo është kërkesa e një grupi eurodeputetësh nga pesë grupe politike në Parlamentin Evropian, të cilët i kanë bërë thirrje Komisionit Evropian për veprim të menjëhershëm lidhur me përdorimin e programeve të përgjimit, spyware, ndaj kritikëve të qeverisë serbe.
Në një letër drejtuar Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe Komisionerit Kos, eurodeputetët kërkojnë “veprim urgjent dhe konkret” pas provave forenzike të publikuara nga SHARE Foundation dhe të verifikuara në mënyrë të pavarur nga Amnesty International dhe Citizen Lab.
Sipas eurodeputetëve, këto prova konfirmojnë se shteti serb po përdor në mënyrë aktive spyware mercenar kundër drejtuesve studentorë, aktivistëve, një deputeti dhe politikanëve të opozitës lokale.
“Kjo nuk është një defekt teknik; është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj demokracisë”, thuhet në letër.
Eurodeputetët pretendojnë se spyware i nivelit ushtarak, si Pegasus, është vendosur në distancë, ndërsa spyware-i për Android, “NoviSpy”, është instaluar me forcë në telefonat e konfiskuar gjatë marrjeve në pyetje nga policia.
“Regjimi i Aleksandar Vuçiç-it po përdor mbikëqyrjen dixhitale të paligjshme për të çmontuar sistematikisht opozitën politike”, deklarojnë ata.
Sipas letrës, Bashkimi Evropian nuk mund të vazhdojë të veprojë sikur gjithçka është “business as usual”, ndërkohë që një vend kandidat po përdor aparatin e tij të sigurisë kundër studentëve paqësorë dhe përfaqësuesve të zgjedhur.
Eurodeputetët theksojnë se ky është një tjetër rast i përdorimit të paligjshëm të spyware-it në Evropë. Ata shprehen veçanërisht të shqetësuar se, edhe pas pesë vitesh nga zbulimet e para lidhur me Pegasus dhe tre vitesh nga miratimi i rekomandimeve të Parlamentit Evropian ndaj Komisionit Evropian, ende nuk është krijuar një kuadër i plotë dhe gjithëpërfshirës për përdorimin e këtyre teknologjive të mbikëqyrjes.
Kërkesat e eurodeputetëve
Eurodeputetët kërkojnë urgjentisht nga Komisioni Evropian:
1. Ngrirjen e të gjitha pagesave në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së për Serbinë
Kërkohet ndalimi me efekt të menjëhershëm i të gjithë asistencës para-anëtarësimit, IPA III, dhe pagesave nga Reform and Growth Facility për Serbinë.
“Paratë e taksapaguesve të BE-së nuk duhet të përdoren për të subvencionuar një regjim autokratik që spiunon qytetarët e vet”, thuhet në letër.
Sipas eurodeputetëve, fondet duhet të mbeten të ngrira deri në përfundimin e një hetimi të plotë ndërkombëtar.
2. Anulimin e vizitës së Presidentes von der Leyen në Beograd
Eurodeputetët kërkojnë që Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të mos vizitojë Beogradin gjatë turneut të saj të ardhshëm në Ballkanin Perëndimor.
Sipas tyre, dhënia e Aleksandar Vuçiç-it mundësinë për një fotografi të nivelit të lartë politik, në mes të këtyre zbulimeve, do të dobësonte reagimin e BE-së dhe do të dëmtonte rëndë besueshmërinë e saj.
3. Kushtëzimin e përparimit drejt anëtarësimit me përgjegjshmërinë për sundimin e ligjit
Komisioni Evropian, sipas kërkesës së eurodeputetëve, duhet të kërkojë ndalimin e menjëhershëm të abuzimeve me mbikëqyrjen dhe një auditim të pavarur të agjencive serbe të sigurisë, BIA dhe MUP.
4. Ndjekjen e rekomandimeve të Komitetit PEGA të Parlamentit Evropian
Eurodeputetët kërkojnë që Komisioni Evropian të sigurojë ndjekjen urgjente të rekomandimeve të Parlamentit Evropian, duke krijuar një kuadër ligjor detyrues që rregullon në mënyrë strikte përdorimin e spyware-it.
Kjo, sipas tyre, duhet të garantojë transparencë dhe llogaridhënie të plotë ndaj viktimave, përmes një hetimi të pavarur dhe krijimit të një laboratori të BE-së për analizimin dhe mbështetjen e viktimave të spyware-it.
“Marrëveshja është dështuar. Është koha që Komisioni të tregojë se respektimi i demokracisë dhe standardeve themelore është një kërkesë e panegociueshme, jo një opsion”, thuhet në përfundim të letrës.
Eurodeputetët shprehen se presin një përgjigje të shpejtë dhe veprim vendimtar nga Komisioni Evropian.
Letra e plotë
E nderuar Presidente e Komisionit Evropian, von der Leyen,
E nderuar Komisionere Kos,
“Ne kërkojmë urgjentisht veprim të menjëhershëm dhe konkret nga BE-ja, pas provave forenzike të publikuara nga SHARE Foundation dhe të verifikuara në mënyrë të pavarur nga Amnesty International dhe Citizen Lab, të cilat konfirmojnë se shteti serb po përdor në mënyrë aktive spyware mercenar kundër drejtuesve studentorë, aktivistëve, një deputeti dhe politikanëve të opozitës lokale.
Kjo nuk është një defekt teknik; është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj demokracisë. Spyware i nivelit ushtarak, si Pegasus, është vendosur në distancë, ndërsa spyware-i për Android, “NoviSpy”, është instaluar me forcë në telefonat e konfiskuar gjatë marrjeve në pyetje nga policia. Regjimi i Aleksandar Vučić-it po përdor mbikëqyrjen dixhitale të paligjshme për të çmontuar sistematikisht opozitën politike.
Bashkimi Evropian nuk mund të vazhdojë të veprojë sikur gjithçka është “business as usual”, ndërkohë që një vend kandidat po armatos aparatin e tij të sigurisë kundër studentëve paqësorë dhe përfaqësuesve të zgjedhur.
Ky është një tjetër shembull i përdorimit të paligjshëm të spyware-it në Evropë. Jemi veçanërisht të shqetësuar që, edhe pas pesë vitesh nga zbulimet e para lidhur me Pegasus dhe tre vitesh nga miratimi i rekomandimeve të Parlamentit Evropian ndaj Komisionit Evropian, pas hetimit të pretendimeve dhe keqadministrimit në zbatimin e së drejtës së Bashkimit Evropian në lidhje me përdorimin e Pegasus dhe spyware-ve të ngjashëm të mbikëqyrjes, ende nuk është krijuar një kornizë e plotë dhe gjithëpërfshirëse.
Ne kërkojmë urgjentisht që Komisioni Evropian:
- Të ngrijë të gjitha pagesat në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së për Serbinë:
Të ndalojë me efekt të menjëhershëm të gjithë asistencën para-anëtarësimit (IPA III) dhe pagesat nga Reform and Growth Facility për Serbinë. Paratë e taksapaguesve të BE-së nuk duhet të përdoren për të subvencionuar një regjim autokratik që spiunon qytetarët e vet. Fondet duhet të mbeten të ngrira deri në përfundimin e një hetimi të plotë ndërkombëtar. - Të anulojë ndalesën e Presidentes von der Leyen në Beograd:
Presidentja von der Leyen nuk duhet të vizitojë Beogradin gjatë turneut të saj të ardhshëm në Ballkanin Perëndimor. Dhënia e Vučić-it mundësinë për një fotografi të nivelit të lartë politik, në mes të këtyre zbulimeve, e dobëson reagimin tonë dhe dëmton rëndë besueshmërinë e BE-së. - Të kushtëzojë përparimin drejt anëtarësimit me përgjegjshmërinë për sundimin e ligjit:
Komisioni duhet të kërkojë ndalimin e menjëhershëm të abuzimeve me mbikëqyrjen dhe një auditim të pavarur të agjencive serbe të sigurisë (BIA dhe MUP). - Të ndjekë rekomandimet e Komitetit PEGA të Parlamentit Evropian:
Të sigurojë ndjekje urgjente të rekomandimeve të Parlamentit Evropian duke krijuar një kuadër ligjor detyrues, që rregullon në mënyrë strikte përdorimin e spyware-it, duke garantuar transparencë dhe llogaridhënie të plotë ndaj viktimave, përmes një hetimi të pavarur dhe krijimit të një laboratori të BE-së për analizimin dhe mbështetjen e viktimave të spyware-it.
Marrëveshja është dështuar. Është koha që Komisioni të tregojë se respektimi i demokracisë dhe standardeve themelore është një kërkesë e panegociueshme, jo një opsion.
Ne presim një përgjigje të shpejtë dhe veprim vendimtar.
Me respekt,
Vladimir Prebilič, Greens/EFA
Saskia Bricmont, Greens/EFA
Andreas Schieder, S&D
Ondřej Kolář, EPP
Sandro Gozi, Renew
Rudi Kennes, Left
Raquel García Hermida-van der Walle, Renew
Thijs Reuten, S&D
Nicolase Štefanut, Greens/EFA
Leoluca Orlando, Greens/EFA
Krzysztof Brejza, EPP
Jaume Asens Llodrà, Greens/EFA
Mounir Satouri, Greens/EFA
Gordan Bosanac, Greens/EFA
Sandro Ruotolo, S&D
Benedetta Scuderi, Greens/EFA
Rasmus Nordqvist, Greens/EFA
Alessandra Moretti, S&D
Cristina Guarda, Greens/EFA
Ilaria Salis, Left
Marie Toussaint, Greens/EFA
Villy Søvndal, Greens/EFA
Thomas Waitz, Greens/EFA
Chloé Ridel, S&D
Hannah Neumann, Greens/EFA
Diana Riba i Giner, Greens/EFA
Hannes Heide, S&D
Marján Šarec, Renew
Anna Cavazzini, Greens”. EFA


Pas urimit për jetëgjatësinë e qeverisë, Meloni i përgjigjet Ramës: Miku im gati për rrugën në BE
Kush është njeriu më i rrezikshëm i Gjermanisë
Eurodeputeti: Nuk e akuzuam Ramën për bllokimin e llogarive të protestuesve, kërkuam transparencë
- 13:58 Rama: Integrimi gradual, mënyra për të futur Ballkanin në BE, “7 fëmijët e Ursulës” duhen në tryezë
- 13:48 Hoxha pret ambasadoren e re të BE-së: Zgjerimi, një sukses i përbashkët
- 13:44 Unioni i Gazetarëve Shqiptar reagon për mbylljen e Instagramit të Euronews Albania: META të jap sqarime
- 13:27 AEJ dënon mbylljen e Instagramit të Euronews Albania: Kompania Meta të rikthejë faqen, të japë një shpjegim zyrtar për arsyet e mbylljes
- 13:03 AGSH reagon për Instagramin e Euronews Albania: Kërkohet transparencë për mbylljen e llogarive shqiptare
- 12:45 Demokratët Europianë reagojnë për Euronews Albania: Meta t’i rikthejë menjëherë llogarinë