Gjykata e Apelit,Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com

Apeli liron nga akuza katër zyrtarët që ishin dënuar nga Gjykata Themelore

Gjykata e Apelit ka ndryshuar aktgjykimin dhe i ka liruar nga akuza katër të akuzuar, të cilët nga gjykata e shkallës së parë ishin shpallur fajtorë për veprën penale ‘keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje’.

Kjo gjykatë ka aprovuar si të bazuara ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve Ragip Begaj, Bajram Hasani, Bashkim Krasniqi dhe Malë Krasniqi dhe, sipas detyrës zyrtare, ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, të datës 11.07.2024, në pjesën dënuese,.

Katër të akuzuarit janë liruar nga akuza, pasi, siç thuhet në njoftimin e Gjykatës, nuk është provuar se kanë kryer veprën penale ‘keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje’.

Po sipas njoftimit, me rastin e ankesës së Prokurorisë Speciale dhe bazuar në detyrën zyrtare, Gjykata e Apelit e ka ndryshuar aktgjykimin edhe në pjesën që ka të bëjë me tani të ndjerin Hajdin Berisha, duke e pushuar procedurën penale ndaj tij për shkak të vdekjes.

“Ndërsa, ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Speciale dhe e ka vërtetuar aktgjykimin në pjesën liruese në raport me të akuzuarit Faton Thaqi, Malë Krasniqi, Nazmi Kafexholli dhe Ahmet Rrahmanaj, kurse pjesa e ankesës në raport me tani të ndjerin Hajdin Berisha ka mbetur pa objekt”- thuhet në njoftim.

Në njoftim përkujtohet se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me aktgjykimin e ankimuar të datës 11.07.2024, i kishte shpallur fajtor të akuzuarit: Ragip Begaj dhe Bajram Hasani për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje” dhe i kishte dënuar secilin me nga dy vite e gjashtë muaj burgim, ndërsa të akuzuarit Bashkim Krasniqi dhe Malë Krasniqi i kishte dënuar secilin me nga 2 vite burgim për të njëjtën vepër penale.

“Me të njëjtin aktgjykim, gjykata e shkallës së parë kishte liruar nga akuza tani të ndjerin Hajdin Berisha dhe Faton Thaqi për veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së; Malë Krasniqin për veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 i KPRK-së; Nazmi Kafexhollin për veprat penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 i KPRK-së dhe mashtrimi nga neni 335 paragrafi 1 i KPRK-së; si dhe Ahmet Rrahmanajn për veprën penale shpëlarja e parave nga neni 56 paragrafi 1 i Ligjit Nr.05/L-096, lidhur me nenin 308 të KPRK-së” – thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit.

Sipas njoftimit, Gjykata e Apelit, pas vlerësimit të aktgjykimit të ankimuar, pretendimeve ankimore dhe provave të administruara, ka gjetur se gjendja faktike në raport me Ragip Begaj, Bajram Hasani, Bashkim Krasniqi dhe Malë Krasniqi ishte vërtetuar gabimisht dhe se nuk është provuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale për të cilën ishin shpallur fajtorë.

Gjykata e Prishtinës, më 11.07.2024, kishte shpallur fajtor ish-kryetarin e Malishevës, Ragip Begajn, dhe e kishte dënuar me burgim prej 2 vite e gjysmë.

Begaj ishte shpallur fajtor për veprën penale – keqpërdorim i pozitës zyrtare.

Po ashtu, Gjykata kishte shpallur fajtor edhe ish-ministrin Bajram Hasanin dhe e kishte dënuar me dy vite e gjysmë burgim.

Me nga dy vite burg ishin dënuar Bashkim Krasniqi dhe Malë Krasniqi, të akuzuar gjithashtu për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ndërsa, Hajdin Berisha, Faton Thaçi, Nazmi Kafexholli dhe Ahmet Rrahmanaj ishin liruar nga akuzat.

Këta të pandehur akuzoheshin lidhur me pretendimet e Prokurorisë rreth planeve për ndërtimin e Zonës Ekonomike të Malishevës.

Raportimet paraprake të Kallxo.com lidhur me këtë gjykim mund t’i lexoni duke klikuar këtu.