Kanë rinisur punimet në mbindërtimin pa leje në objektin në rrugën "Ahmet Kaçiku" në Ferizaj. Foto: Kallxo.com
Rinis mbindërtimi pa leje në Ferizaj, ndonëse rasti po hetohet nga Prokuroria
Kanë rinisur punimet në mbindërtimin pa leje në objektin përgjatë rrugës “Ahmet Kaçiku” në Ferizaj, ndonëse pronari i saj po hetohet nga Prokuroria Themelore dhe ndaj tij Inspektorati Komunal i Ndërtimit ka dorëzuar kallëzim penal.
Të mërkurën dhe të enjten, më 02 dhe 03.09.2026, në objekt janë vendosur shtylla dhe trarë metalikë.
Rinisjen e punimeve e ka dokumentuar edhe qytetari Gentjan Murseli. Ai publikoi të mërkurën, më 02.09.2026 një shkrim dhe katër fotografi, në të cilat shihen punimet në mbindërtim.

Punimet ishin ndërprerë në fillim të gushtit ndërsa inspektorët komunalë më herët i kishin shqiptuar pronarit dy gjoba për mbindërtimin pa leje dhe më pas kishin ushtruar kallëzim penal ndaj tij.
Pas vërtetimit se punimet kishin rinisur, KALLXO.com ka provuar të premten, më 04.09.2026, të marrë një deklaratë nga Xhemail Ferati, i cili menaxhon këtë objekt. I njëjti nuk është përgjigjur në thirrjen telefonike, e as në mesazhet që i janë lënë në numrin e telefonit.
Inspektorati pret veprime nga Prokuroria
Feriz Hyseni, udhëheqës i Sektorit të Inspektoratit në Komunën e Ferizajt, ka thënë të enjten, më 03.09.2026, se çështja tani është në duart e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, nga e cila pritet të ndërmarrë masa ndaj ndërtuesit.
Kryeinspektori ka thënë se inspektorët e ndërtimit po bashkëpunojnë me Prokurorinë. I pyetur pse nuk po rrënohet mbindërtimi pa leje, Hyseni ka deklaruar se Inspektorati Komunal është në pritje të masave nga organi i akuzës.
Sipas tij, të gjitha veprimet inspektuese janë realizuar “sipas detyrës zyrtare, mbështetur në ligjet në fuqi, me njoftim dhe koordinim me të gjithë akterët, sektorët përkatës komunalë”.
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka konfirmuar me shkrim për KALLXO.com se po e heton Etrit Feratin nën dyshimin e arsyeshëm se ka kryer dy vepra penale.
Sipas Prokurorisë, ai dyshohet për veprën penale “Ndërtimi pa leje”, nga neni 359 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe për “Heqjen apo dëmtimin e vulave zyrtare ose të shenjave”, nga neni 406 i Kodit Penal.
Nëse vërtetohen dyshimet, për këto vepra parashihen dënime me gjobë dhe me burgim. Neni 356 parasheh dënim me gjobë dhe me burgim prej tre muajsh deri në tre vjet, ndërsa neni 406 parasheh gjobë ose dënim me burgim deri në tre vjet.
Në përgjigjen e 17.08.2026, Prokuroria kishte bërë të ditur se rasti ndodhej në procedurë hetimore.
“Kjo është e gjitha çka mund të ndajmë”- kishte thënë Prokuroria.
Megjithatë, KALLXO.com nuk ka marrë përgjigje në pyetjet e dërguara të enjten, më 03.09.2026, pas rinisjes së punimeve pa leje.
Urbanizmi: Nuk ka bazë ligjore për lejimin e mbindërtimit
Drejtori i Drejtorisë Komunale të Urbanizmit dhe Mjedisit, Arbër Bytyçi, kishte thënë më herët për KALLXO.com se ndërtuesit i ishte bërë e qartë se nuk ekziston bazë ligjore për miratimin e kërkesës për mbindërtim.
Përveç shkeljeve të kushteve të lejes së mëparshme dhe kufizimeve të përcaktuara në planet komunale, ndërtuesi nuk e ka marrë as pëlqimin e banorëve të ndërtesës së banimit dhe afarizmit kolektiv për bashkimin e parcelave.
Ndërkohë, Njazi Musliu, pronar i kompanisë “Eurometal”, e cila po i kryen punimet, ka thënë të mërkurën, më 02.09.2026 për KALLXO.com se kompania e tij nuk ishte informuar as për ndalimin e punimeve nga Inspektorati Komunal i Ndërtimit dhe as për kallëzimin penal të dorëzuar në Prokurorinë Themelore të Ferizajt.
“Nuk jam në rrjedha, më fal, jo që nuk po du me t’u përgjigj, por nuk jam në rrjedha si pronar”- ka deklaruar Musliu.
KALLXO.com ka tentuar të marrë një përgjigje në lidhje me këtë rast edhe nga kryetari i Ferizajt, Agim Aliu. I njëjti nuk i është përgjigjur pyetjeve të KALLXO.com ndërsa kabineti i tij ka njoftuar se pyetjet i janë referuar Drejtorisë së Urbanizmit dhe Mjedisit dhe Inspektoratit Komunal të Ferizajt.
Zyra Kombëtare e Auditimit ka konstatuar në raportin e saj se Komuna e Ferizajt nuk e ka menaxhuar në mënyrë efikase dhënien e lejeve të ndërtimit.
Në raport është evidentuar edhe tejkalimi i koeficientit të ndërtimit në Ferizaj, qytet në të cilin është shënuar zhvillim i madh i ndërtimeve shumëkatëshe për banim kolektiv dhe afarizëm.
Kryetari Agim Aliu ishte pajtuar pjesërisht me gjetjet e ZKA-së.