Aktakuzë ndaj 35 personave për krime lufte në lagjen e Jasharajve në Prekaz

Prokuroria Speciale e Kosovës ka dorëzuar aktakuzë për krime lufte të kryera në lagjen e Jasharajve, në Prekaz të Skenderajt ndaj 35 të pandehurve.

Blerim Isufaj, kryeprokuror i Prokurorisë Speciale tha se kjo është aktakuza e parë e dorëzuar lidhur me krimet ndaj civilëve në lagjen e Jasharajve në Prekaz.

“Rëndësia e aktakuzës është e veçantë sepse është aktakuzë e parë që lidhet me vrasjen e civilëve në lagjen e Jasharve në Prekaz të Skenderajt. Si prokurori speciale jam i bindur se është punuar me kujdes të shtuar që pretendimet në aktakuzë të vërtetohen para gjykatës. Sikurse rasti i krimeve të luftës në Zubin Potok për shkak që bëhet fjalë për një rast në hetim nuk mund të japim detaje. Gjatë javëve të fundit është dorëzu edhe një aktakuzë për spiunazh. Po ashtu vlen të theksohet bashkëpunimi me institucionet e tjera relevante”- tha Isufi.

Prokurori Valdet Gashi ka dhënë detaje rreth aktakuzës të dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Gashi tha se si prokurori kanë vërtetuar se 35 të pandehurit kanë kryer veprën penale për krime lufte kundër popullatës civile në datat 5-6 dhe 7 mars të vitit 1998.

Prokurori Gashi theksoi se të pandehurit kanë pasur pozita të larta në zingjirin komandues të forcave speciale serbe në atë kohë.

“Pas një pune disa vjeçare kemi arritur të finalizojmë punën me aktakuzë. Ky është një rast shumë kompleks dhe sfidues por falë një pune intensive të prokurorisë dhe bashkëpunimit të ngushtë me Policinë dhe institucione të tjera ne kemi arrit të dorëzojmë aktakuzën në Gjykatë. Ne kemi arritur të vërtetojmë se të pandehurit kanë kryer veprën penale krime lufte kundër popullatës civile në datat 5-6-7 mars të vitit 1998. Si rezultat i hetimit kemi arritur të identifikojmë 35 të pandehurit që janë në pozita të larta komanduese të ushtrisë serbe. Kemi identifikuar se cilat njësi kanë marrë pjesë, aktivitetit secilit prej të pandehurve, armatimi që është përdorur. Provat e siguruara në këtë hetim është vërtetuar se janë vrarë 26 persona civil në mesin e të cilëve kishte fëmijë përveç tjerash është provuar se gjatë këtij sulmi, njësitë policore kishin marrë peng civil që i kishin torturua”- ka dhënë detaje prokurori Gashi.

Gashi tha se aktakuza është ngritur në mungesë dhe se nga informacionet që kanë 35 të pandehurit janë gjallë.

Sipas prokurorit Gashit sfidë gjatë hetimeve ka qenë identifikimi i njësive speciale serbe që kanë ndërmarrë veprimet për kryerjen e vrasjeve.

“Sfida ma e madhe ka qenë identifikimi i këtyre njësive. Departamenti i sigurisë publike ka qenë i inkuadruar, ministria e punëve të brendshme, departamenti i sigurisë shtetërore ka qenë edhe njësia për operacione speciale e Serbisë që ka pas për obligim dhe për detyrë ta sulmoj shtëpinë e familjes së Shaban Jasharit”- tha Gashi.

Gashi tha se aktakuza përfshinë vrasjen e 26 civilëve në të gjithë lagjën e Jasharajve dhe nuk bëhet fjalë vetëm për familjen e ngushtë të Jasharajve, por të gjithë banorët e lagjes së Jasharajve.

Ai bëri të ditur se në sulm kanë marrë pjesë disa struktura të forcave serbe, përfshirë Departamentin e Sigurisë Publike, strukturat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, Departamentin e Sigurisë Shtetërore dhe Njësinë për Operacione Speciale (JSO).

Sipas Gashit, JSO-ja drejtohej nga Milorad Ulemek, i njohur si “Legija”, dhe kjo njësi kishte, sipas aktakuzës, detyrë të sulmonte drejtpërdrejt shtëpinë e familjes së Shaban Jasharit.

“Janë shumë njësi që janë përfshirë. Është Njësia e Posaçme e Policisë, Njësia Speciale Antiterroriste, mandej kemi departamente të Punëve të Brendshme që janë në kuadër të nivelit të Ministrisë”, tha Gashi.

 

Janari i vitit 2026, shënon 28-vjetorin e sulmit të dytë ndaj Familjes Jashari, më 22 janar 1998.

Më 22 janar 1998 në Prekaz kishte pasur luftime në mes familjes Jashari në njërën anë dhe forcave serbe në anën tjetër.

Ky njihet si sulmi i dytë ndaj Kullës së Jasharajve.

Atë ditë, rreth 500 metra larg shtëpive të lagjes Jashari, kishin lëvizur forca të policisë serbe, të cilat ishin drejtuar drejt Kullës së Jasharajve, për ta sulmuar atë me armë të llojeve të ndryshme.

Plagë kishin marrë disa anëtarë të familjes Jashari pas rezistencës që shfaqën ndaj sulmit, ndërsa forcat e armikut ishin detyruar të tërhiqen.

Sulmi i tretë i Serbisë në familjen Jashari kishte ndodhur më 5 mars të vitit 1998.

Pas një lufte që kishte zgjatur tri ditë, kishin rënë heroikisht 59 anëtarë të familjes Jashari, përfshirë edhe komandantin legjendar të UÇK-së, Adem Jasharin.

Që nga viti 1991 deri më 1998, Prekazi dhe Drenica ishin të rrethuar nga forcat policore, ushtarake e paraushtarake serbe. Synimi ishte vrasja e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe familjes së tij, për të shuar dhe shtypur rezistencën që familja Jashari me në krye Ademin e Hamzën po i bënin regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Më 30 dhjetor të vitit 1991 ishte kryer sulmi i parë ndaj familjes Jashari, ndërsa, sulmin e dytë forcat serbe e kanë kryer në muajin janar 1998. Më 22 janar forcat serbe e kanë sulmuar familjen Jashari, por edhe kësaj beteje, fëmijët dhe gratë e familjes Jashari i kanë rezistuar. Megjithatë, në këtë betejë që ka zgjatur afër 30 minuta, të plagosura kanë mbetur Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit.