Momenti kur LVV dhe LDK propozuan Bekim Sejdiun për postin e presidentit. Foto nga profili i kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Kriza për presidentin, më shumë se një betejë për emrin

Kosova vazhdon të mbetet në një krizë të thellë institucionale, me Kuvendin ende të pakonstituuar dhe pa një zgjidhje për zgjedhjen e presidentit të Republikës.

Përpjekjet për tejkalimin e ngërçit janë përqendruar kryesisht te marrëveshja politike ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila parasheh mbështetjen e Bekim Sejdiut për postin e presidentit. Megjithatë, kundërshtimi i gjashtë deputetëve të LDK-së ka vënë në pikëpyetje sigurimin e votave të nevojshme.

Në të njëjtën kohë, partitë politike vazhdojnë të kenë interpretime të ndryshme për afatet kushtetuese për konstituimin e Kuvendit. Lëvizja Vetëvendosje e ka përmendur 05.09.2026 si datë deri në të cilën mund të thirret seanca konstituive, ndërsa ekspertët kushtetues e politikë kanë ngritur pikëpyetje nëse thirrja e seancës mund të konsiderohet e barabartë me përfundimin e procesit të konstituimit.

Në këtë situatë, mbetet e paqartë nëse kriza mund të tejkalohet përmes ndryshimit të kandidatit për president apo nëse nevojitet një marrëveshje shumë më e gjerë politike. Pikërisht për këto çështje, profesorët e shkencave politike Dritero Arifi dhe Melazim Koci vlerësojnë se, pavarësisht mundësive për një zgjidhje, rruga drejt tejkalimit të krizës mbetet e vështirë dhe me rreziqe të mëdha për funksionimin institucional të vendit.

Dy politologët Dritero Arifi dhe Melazim Koci janë skeptikë për një zgjidhje të shpejtë të krizës institucionale në Kosovë, ndonëse dallojnë në vlerësimin e hapësirës që ekziston për ndryshimin e kandidatit për president.

Koci vlerëson se gjasat për zgjedhjen e presidentit janë minimale, edhe nëse në tavolinë do të hidhej një emër tjetër. Sipas tij, problemi kryesor është mungesa e besimit brenda LDK-së.

“Gjasat për zgjedhjen e presidentit janë minimale. Edhe nëse do të propozohej një emër tjetër, tash mosbesimi ndërmjet dy rrymave në LDK është aq i madh sa pajtimi për të është gati zero”- ka thënë Koci për Kallxo.com.

Ai përmend si mundësi teorike një marrëveshje mes LVV-së dhe Aleancës, e cila ka shtatë deputetë, së bashku me 12 deputetët e LDK-së, për të siguruar numrat e nevojshëm për zgjedhjen e presidentit. Megjithatë, Koci vlerëson se ky skenar nuk preferohet nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

“Rrjedhimisht, gjasat për zgjedhjen e presidentit janë minimale”- ka deklaruar ai.

Ndryshe nga Koci, profesori i shkencave politike Dritero Arifi konsideron se ende ekziston hapësirë për një kandidat tjetër, pasi marrëveshja ndërmjet LVV-së dhe LDK-së është politike dhe nuk përbën një akt juridik të pakthyeshëm.

“Normalisht që po, sepse marrëveshja LDK-LVV është politike dhe jo një akt juridik i pakthyeshëm”- thotë Arifi pr Kallxo.com.

Por edhe Arifi vlerëson se problemi nuk mund të zgjidhet domosdoshmërisht vetëm përmes ndryshimit të kandidatit. Sipas tij, fillimisht duhet të sqarohet nëse kundërshtimi i gjashtë deputetëve të LDK-së lidhet me Bekim Sejdiun apo me vetë marrëveshjen politike.

“Para se të kërkohet një emër i ri, mendoj që duhet të përcaktohet nëse kundërshtimi i gjashtë deputetëve të LDK-së lidhet pikërisht me kandidatin apo me një marrëveshje më të gjerë politike. Nëse problemi është te marrëveshja politike, ndryshimi i kandidatit nuk e zgjidh krizën”- thotë ai.

Për këtë arsye, Arifi e sheh si të nevojshme një marrëveshje më të gjerë politike.

“Zgjidhja kërkon një marrëveshje të shkruar për presidentin, ndoshta për qeverinë apo dhe për funksionimin e institucioneve, pra jo vetëm negocim rreth një emri”- shprehet Arifi.

Në debatin për kandidaturën e Bekim Sejdiut, vlerësime pozitive për figurën e tij kanë ardhur edhe nga diplomacia kosovare.

Ish-ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Avni Spahiu, i cili ka qenë kolegë me Sejdiun që nga viti 2008, kur u emëruan diplomatët e parë të Kosovës në botë, e ka cilësuar atë si një figurë të respektuar në jetën akademike dhe në diplomaci.

“Kemi qenë miq për një kohë të gjatë, që nga viti 2008, kur u emëruan diplomatët e parë të Kosovës në botë. Bekimi ishte ambasador në Ankara dhe unë në Uashington”- ka thënë Spahiu.

Ai ka vlerësuar angazhimin e Sejdiut në detyrat që ka ushtruar ndër vite, duke shprehur bindjen se ai mund të ketë rol përbashkues në skenën politike.

“Z. Sejdiu kreu me sukses dhe dinjitet të gjitha detyrat që iu besuan në nivele të ndryshme. Ndaj, jam i bindur se ai do të jetë një figurë përbashkuese në skenën tonë politike, një president i dinjitetshëm dhe i dijshëm”- ka deklaruar Spahiu.

Megjithatë, përtej vlerësimit për figurën e Sejdiut, sfida kryesore mbetet nëse kandidatura e tij mund të sigurojë mbështetjen e nevojshme politike për zgjedhjen e presidentit.

Problemi i dytë: Kuvendi dhe afatet kushtetuese

Përveç presidentit, një tjetër pikë e përplasjes politike është afati për konstituimin e Kuvendit.

Lëvizja Vetëvendosje ka argumentuar se seanca konstituive mund të thirret deri më 05.09.2026, sipas tyre 30 ditë pas 06.08.2026. Por Arifi thekson se thirrja e seancës nuk nënkupton automatikisht edhe konstituimin e Kuvendit.

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla pati thënë se afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit nis pas thirrjes së seancës konstituive.

“Ne kemi 30 ditë për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit, ky është interpretimi ynë”- ka thënë ajo pak ditë pasi kishte nisur seanca konstituive më 06.08.2026.

“Seanca mund të thirret deri më 5 shtator, por thirrja nuk duhet ngatërruar me konstituimin. Pra, Kuvendi konsiderohet funksional vetëm pasi të zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët e tij”- thotë ai.

Sipas Arifit, 05.09.2026 nuk është një afat i përcaktuar qartë nga Kushtetuta apo nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

“Kështu që data 5 shtator është interpretim i Lëvizjes Vetëvendosje, jo afat i përcaktuar qartë nga Kushtetuta ose nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese”- thotë Arifi.

Koci, ndërkaq, i referohet aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese (GJK) të vitit 2025 dhe konsideron se afati për konstituimin e Kuvendit tashmë ka kaluar.

“Aktgjykimi i GJK-së nga viti 2025 është shumë i qartë dhe thotë se konstituimi i Parlamentit duhet të bëhet maksimum 30 ditë pas certifikimit të rezultatit zgjedhor. Ai afat ka skaduar para 25 ditësh, ndërsa interpretimi që tash bën VV, nuk është në harmoni me aktgjykimin e vitit 2025”- ka thënë Koci.

Sipas tij, problemi qëndron edhe te mungesa e pasojave të qarta në rast të mosrespektimit të këtij afati.

“Mjerisht, edhe aktgjykimi është gjysmak, sepse nuk penalizon dhe nuk ofron alternativë nëse partia e parë nuk respekton këtë afat”- është shprehur Koci.

Rreziku në tetor

Arifi paralajmëron se situata mund të bëhet edhe më serioze në fillim të tetorit, kur përfundon periudha gjashtëmujore e ushtrueses së detyrës së presidentit.

“Rreziku më serioz shfaqet në fillim të tetorit, kur përfundon realisht edhe periudha gjashtëmujore e ushtrueses së detyrës së presidentit”- thotë ai.

Sipas tij, nëse deri atëherë nuk ka Kuvend të konstituuar dhe president të ri, Kosova mund të përballet me një situatë për të cilën Kushtetuta nuk ka mekanizëm të qartë zëvendësues.

“Pa Kuvend të konstituar dhe pa kryetar të ri, Kosova mund të përballet me një zbrazëti për të cilën Kushtetuta nuk ofron mekanizëm të qartë zëvendësues, dhe kjo do ta thellojë edhe shumë më tej çdo dimension të politikbërjes dhe jetës institucionale në Kosovë”- paralajmëron Arifi.

Ndërkaq, Koci e përshkruan situatën aktuale si një krizë të shumëfishtë.

“Gjitha këto rrethana bëjnë që Kosova tash të gjendet në një kaos politik, institucional dhe kushtetues”- ka thënë ai.

Si rrugëdalje nga kriza, Koci propozon një marrëveshje të gjerë ndërmjet forcave politike për formimin e një qeverie tranzicionale ose teknike me mandat njëvjeçar. 

Sipas tij, një qeveri e tillë do të duhej të merrej me zgjedhjen e presidentit, ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe ndryshimin e Kushtetutës për eliminimin e vakumeve juridike.

Ai propozon gjithashtu ndryshimin e mënyrës së zgjedhjes së presidentit, në mënyrë që ai të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët.

“Dhe përcaktimin që presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli dhe jo përmes kuorumit, që është shndërruar në frenues të krijimit të institucioneve”- ka deklaruar Koci.

Sipas tij, kuorumi, në vend se të shërbejë si mekanizëm balancues, në kushtet e polarizimit politik në Kosovë është kthyer në instrument bllokues.

“Në demokracitë perëndimore, kuorumi është instrument për balancim të pushteteve. Mjerisht, në Kosovë, për shkak të polarizimeve ekstreme, mungesës së kompromisit dhe kulturës politike, ai ka bllokuar Kosovën”- ka thënë Koci.

Megjithatë, vetë Koci e sheh si shumë të vështirë realizimin e një marrëveshjeje të tillë.

“Mbështetur në veprimet e subjekteve politike në këta 18 muaj, kjo është vetëm mundësi teorike. Shi për këtë dhe për fat të keq, Kosova është duke shkuar drejt kaosit institucional dhe një terreni deri tash të panjohur, por me rreziqe shumë të mëdha”- ka përfunduar ai.

Derisa në LDK po vazhdojnë problemet e brendshme, LVV po qëndron në një amulli e në anën tjetër Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca po vazhdojnë që gati katër javë, aksionin para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar thirrjen e menjëhershme të seancës konstituive të Kuvendit.

Seanca konstituive e legjislaturës së 11-të ka filluar më 06.08.2026 e më pas ka vazhduar edhe më 08.08.2026 për të mos vazhduar më.

PDK në vazhdimësi i ka dërguar letra edhe kryesuesit të seancës konstituive Avni Dehari për të vazhduar seancën por ai ka refuzuar ta bëjë një gjë të tillë pa pasur një marrëveshje politike mes partive për zgjidhjen e çështjes së presidentit.

Në aktgjykimin e 26.06.2025, gjykata kishte përcaktuar se procedura e konstituimit duhet të përfundojë brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve zgjedhore dhe se Kuvendi nuk konsiderohet i konstituuar pa zgjedhjen e organeve të tij drejtuese.

Ndërkohë, është tejkaluar edhe afati 48-orësh i përcaktuar me Rregulloren e Kuvendit si maksimumi i lejuar i ndërprerjes së seancës.

Pavarësisht kësaj, seanca konstituive ende nuk ka përfunduar dhe përplasjet politike vazhdojnë të pengojnë formimin e institucioneve të reja.