Situata në Himarë vijon të mbetet alarmante, teksa zjarri po përhapet me shpejtësi dhe flakët po afrohen gjithnjë e më shumë drejt qytetit.
Në terren janë angazhuar rreth 160 efektivë të Forcave të Armatosura, strukturave të Emergjencave Civile dhe ekipeve të urgjencës mjekësore, të cilët po punojnë intensivisht për vënien nën kontroll të flakëve dhe garantimin e sigurisë së banorëve.
Për situatën ka reaguar edhe zv.kryeministrja Albana Koçiu, e cila i ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes dhe bashkëpunim me ekipet e emergjencave, ndërsa autoritetet u kërkojnë banorëve të zonave të prekura të ndjekin udhëzimet për evakuim dhe të mos rrezikojnë jetën.
Ndërkohë, operacioni në terren vijon pa ndërprerje, me të gjitha strukturat e angazhuara në përpjekje për të frenuar përhapjen e zjarrit.
“Situata në Himarë vijon të jetë e vështirë.
Në terren janë angazhuar 160 efektivë të Forcave të Armatosura, strukturave të Emergjencave Civile dhe ekipeve të urgjencës mjekësore, të cilët po punojnë intensivisht për vënien nën kontroll të flakëve dhe garantimin e sigurisë së banorëve. U bëjmë thirrje të gjithë banorëve të zonave të prekura, të ndjekin udhëzimet e autoriteteve për evakuim dhe të bashkëpunojnë me ekipet e emergjencave në terren.
Në këto momente, asgjë nuk është më e rëndësishme se jeta!
Operacioni do të vijojë pa ndërprerje, në koordinim të plotë të të gjitha strukturave të angazhuara.
Bashkë do t’ia dalim”, shkruan Koçiu.
