Vijon të jetë problematike situata në Levan për shkak të zjarreve të përmasave të mëdha që kanë përfshirë zonën e Fierit.
Sipas të dhënave të deritanishme flakët kanë rënë fillimisht në fshatin Fermë Çlirim dhe për shkak të erës së fortë janë përhapur me shpejtësi drejt Radostinës, Levanit, Peshtanit të Vogël, Frakullës dhe Zhupanit, duke përfshirë sipërfaqe të konsiderueshme toke, bimësie, si dhe duke dëmtuar disa banesa dhe biznese.
Për menaxhimin e situatës janë angazhuar të gjitha strukturat në terren.
Policia evakuon familjet ku sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, Forcat Kombëtare të Sigurisë, zjarrfikësit dhe Emergjencat Civile po punojnë pa ndërprerje për evakuimin e familjeve nga zonat e rrezikuara dhe për izolimin e vatrave të zjarrit. Operacioni vijon ende në terren.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ka nisur punën për përcaktimin e shkakut të zjarrit dhe identifikimin e autorit, nëse rezulton zjarrvënie e qëllimshme.
Paralelisht, strukturat shëndetësore janë vënë në gatishmëri maksimale. Në terren janë 9 mjekë dhe infermierë të Qendrës Shëndetësore Levan, të mbështetur nga dy autoambulanca me personel të Spitalit Rajonal Fier. Njëra ambulancë është stacionuar direkt në Levan për ndërhyrje të menjëhershme, ndërsa tjetra qëndron në gatishmëri.
Deri tani 3 qytetarë janë paraqitur me shenja asfiksie nga tymi dhe kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Për çdo urgjencë kardiake që mund të shfaqet, është koordinuar trajtimi pranë Spitalit Memorial Fier për ndërhyrje të specializuar. Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon qytetarët të shmangin ndezjen e zjarreve për djegien e mbetjeve dhe të denoncojnë çdo rast zjarrvënieje në numrin 112.
