“Gjashtë deputetët mund të reflektojnë, por efekti do të jetë thuajse i skaduar”

Politika

“Gjashtë deputetët mund të reflektojnë, por efekti do të jetë thuajse i skaduar”

Nga: H.O. Më: 5 shtator 2026 Në ora: 10:02
Gjashtë deputetët kundër Bekim Sejdiut

“Shpresa vdes e fundit, por shumë qengja na janë bërë deshë me brirë në këtë autodemokracinë tonë!”, kështu e ka nisur reagimin e tij analisti politik Hamdi Rafuna, duke komentuar gjasat që gjashtë deputetët e LDK-së, të cilët janë cilësuar si “të rebeluar”, të reflektojnë dhe të ofrojnë zgjidhje për Presidentin.

Rafuna thotë për ‘Bota sot’ se gjasat për reflektim ekzistojnë, por shpreh dyshimin se edhe nëse ata ndryshojnë qëndrim, efekti do të jetë jetëshkurtër dhe, sipas tij, jo i shëndetshëm për të ardhmen e vendit.

“Gjasat ekzistojnë por, edhe nëse reflektojnë, efekti ka me qenë me afat thuajse se të skaduem, i pashëndetshëm për të ardhmen e vendit, përderisa këta flasin dhe ndëgjojnë Grenellin, duke mendua se janë duke biseduar me Donald Trumpin, me të cilin është në hall e tanë Amerika, dhe bota demokratike!”, ka deklaruar Rafuna.

Ai thotë se pikërisht kjo është arsyeja e dyshimit të tij personal për shqiptarët që, sipas tij, nuk veprojnë për të mirën e shtetit dhe kombit.

“Pikërisht këtu ngelë dyshimi im personal për secilin shqiptarë që nuk vepron për të mirën e shtetit dhe kombit! Sot, të gjitha shtetet po mendojnë për vetëvetenë në këtë botën e globalizuar!”, është shprehur ai.

Duke folur për opozitën, Rafuna ka vlerësuar se aktualisht nuk sheh një qëllim të përparuar në mesin e saj, duke thënë se ajo është e trishtuar për shkak të mungesës së besimit për pushtet.

“Të kërkojsh çëllim të përparuar, sot për sot nuk e gjen dot në mesin opozitës tonë, ajo është e trishtuar, përderisa nuk ka besimin për pushtet!”, ka thënë Rafuna.

Sipas tij, nëse opozita vazhdon në këtë mënyrë, ekziston mundësia që vendi të mbetet pa opozitë.

“Nëse vazhdojnë kështu, kam bindjen së shpejti do të mbesim pa opozitë! Edhe ashtu prej se u detyruan të lëshojnë frontin, këta nuk u muarën fare me punët më të ndershme që i takojnë opozitës nëpër secilin shtet demokratik!”, ka deklaruar ai.

Rafuna ka shprehur shqetësim edhe për barrën politike që, sipas tij, do të rëndojë mbi Lumir Abdixhikun dhe Vjosa Osmanin, të cilët, siç thotë ai, do të përballen me këtë mentalitet.

“Në anën tjetër, kam frikë se një barrë e rëndë do të peshojë mbi Lumirin dhe Vjosën, të cilët do të përballen me këtë mentalitetin e robit t’mikut të armikut më të përbetuem të shqiptarisë! Këta të dy meritojnë përkrahjen! Por, kush do të mirret me të tjerët miq të Grenelit?”, ka thënë Rafuna.

Ai thekson se, sipas tij, përgjegjësia për situatën nuk mund t’u atribuohet vetëm gjashtë deputetëve të LDK-së.

“Pra, nuk janë vetëm këta të gjashtit të cilët e mbajnë peng të ardhmen e shtetit dhe të LDK-s! Këtu vërtetë e kemi një gjendje të brishtë por kemi edhe të tjerë njerëz të cilët e kanë barazue gjakun me pasurinë e shtetit, ndërsa sot shtiren se po duan zgjedhjen e Presidentit pa kurrfarë marrëveshje paraprake, pra e duan dështimin dhe i gëzohen fatëkeqësisë së vendit përballë bashkësisë ndërkombëtare!”, është shprehur analisti.

Rafuna e ka përshkruar këtë situatë me një metaforë, duke thënë se, sipas tij, disa persona duan ta dërgojnë në mal për dru fituesin e zgjedhjeve, por pa mjete për ta bërë këtë.

“Me një fjalë, këta duan të dërgojnë n’mal për dru fituesin e zgjedhjeve, por pa sopatë! Këta e dëshirojnë në pjatë edhe bashkimi i kombit!”, ka deklaruar ai.

Në fund, Rafuna ka shprehur shpresën se situata do të ndryshojë dhe se, sipas tij, do të bëhet dallimi mes asaj që është në interes të shtetit dhe asaj që nuk është.

“Mbetet të shpresojmë se në një të ardhme të afërt do të ndahet ky shap nga sheqeri!”

Ai ka ngritur edhe pyetjen se përse, sipas tij, veprimet që janë të mira për shtetin dhe kombin shqiptar perceptohen si armiqësore.

“Pyetja është, pse gjithëçka që është e mirë për shtetin dhe kombin tonë, ndjehet si diçka armiqësore për armikun e shqiptarisë?”

Rafuna e ka përmbyllur reagimin e tij duke paralajmëruar se pengesat e brendshme për funksionimin e shtetit dhe kombit mund të sjellin zhgënjim edhe për një kohë të gjatë.

“Përderisa kemi pengesa të mbrendëshme të veprojmë si shtet dhe si komb, zhgënjimin e kemi të gatshëm edhe për shumë kohë!”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat