Lajm i mirë për Barcelonën

Futboll

Lajm i mirë për Barcelonën

Më: 5 shtator 2026 Në ora: 12:34
Rodri

Barcelona rikthehet në aksion këtë të diel mbrëma, teksa do të përballet me Valencian në transfertë, në “Mestalla”, në kuadër të javës së katërt të La Ligës për sezonin 2026/27.

Blaugranët janë skuadra e vetme me bilanc perfekt në kampionat këtë sezon, pas humbjes së Real Madridit ndaj Real Betisit të premten mbrëma.

Dhe ndeshja e së dielës i jep skuadrës së Hansi Flickut mundësinë perfekte për të krijuar një avantazh të hershëm në garën për titull.

Në prag të ndeshjes, Barcelona ka marrë një lajm shqetësues sa i përket gjendjes fizike të lojtarëve, pasi Lamine Yamal nuk u stërvit sot me pjesën tjetër të skuadrës, duke ngritur pikëpyetje rreth gatishmërisë së tij për ndeshjen.

Megjithatë, në një lajm pozitiv, Javi Miguel i “AS” raporton se afrimi i bujshëm i Barcelonës gjatë verës, Rodri, pritet ta nisë nga minuta e parë për herë të parë me klubin, kundër Valencias.

Kapiteni 30-vjeçar i Spanjës iu bashkua Barcelonës nga Manchester City gjatë verës, me katalanasit që mposhtën Real Madridin në garën për nënshkrimin e tij.

Kampionët e La Ligës paguan 76.5 milionë euro, përfshirë bonuset, për fituesin e Botërorit.

Megjithatë, duke qenë se ai iu bashkua përgatitjeve parasezonale në fazat e fundit dhe më parë kishte kryer një ndërhyrje të vogël në shpinë, Hansi Flick dhe stafi i tij kanë qenë të kujdesshëm me rikthimin dhe integrimin e tij në skuadër.

Rodri nuk ishte pjesë e ndeshjes hapëse të La Ligës kundër Elches, por u aktivizua si zëvendësues ndaj Athletic Clubit dhe Rayo Vallecanos, duke luajtur pak më shumë se 50 minuta në total.

Rodri ka punuar shumë në stërvitje, duke ndjekur një program specifik individual të hartuar nga trajnerët e përgatitjes fizike të Barcelonës, me qëllim përshpejtimin e integrimit të tij në skuadër.

Dhe, ndonëse kishte sugjerime se Flick mund ta ruante për ndeshjen hapëse të Barcelonës në Ligën e Kampionëve javën e ardhshme kundër Feyenoordit, duket se fituesi i Topit të Artë të Botërorit mund ta bëjë nesër startin e tij të parë me fanellën blaugrana në “Mestalla”.

Kjo do të jetë një ndeshje e veçantë për Rodrin, pasi do të shënojë paraqitjen e tij të 100-të në La Liga në total, pasi më parë ka zhvilluar 97 ndeshje në elitën spanjolle gjatë periudhave të tij te Villarreal dhe Atletico Madrid.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat