Shkëndija nga Tetova ka pësuar humbjen e parë të sezonit në kampionat, duke u mposhtur me rezultat 1:3 nga Tikveshi i Kavadarit në duelin e xhiros së gjashtë të LPFMV-së.
Mysafirët shkëlqyen me tre golat e Syllës (19’, 60’ dhe 72’), ndërsa goli i vetëm për kuqezinjtë u realizua nga Islami në minutën e 68-të, që shërbeu vetëm për statistikë. Pavarësisht kësaj disfate pas pesë fitoreve rresht, Shkëndija mban kreun e renditjes.
…ditë e keqe dhe humbja e parë e sezonit…
Artim Pollozhani: “Nuk është se është ditë e keqe, por unë këtë e paralajmërova që në ndeshjen me Sileksin. Ajo që praktikisht duhej të na ndodhte me Sileksin, na ndodhi sot. Nuk mundet një ekip që pretendon për të dalë kampion të bëjë aq gabime pasimesh edhe të humbë gjithë ato dyluftime. Por që sigurisht përgjegjësia është e stafit. Ne e dinim që Tikveshi do luante me tranzicione pozitive.
Me gabime pa fund, pa manovër, me dyluftime të humbura, unë mendoj që e meritoshim plotësisht që të goditeshim sot.
Tani a është pozitive? Nuk mendoj që është pozitive sepse kishim një seri prej fitoresh, edhe ai mentaliteti i fituesit që unë e kam përmendur disa herë duhej të vazhdonte sot. Por për fat të keq humbëm, por megjithë ato gabime e me gjithë ato humbje dyluftimesh, besoj që e merituam humbjen edhe rezultati është i drejtë.”
…pse nuk u morë masat gjatë javës…
Artim Pollozhani: “Ndodh ndonjëherë për shembull që kur nuk goditesh me rezultate, ana psikologjike është sipër akoma. Kështu që unë mendoj që kjo ishte edhe ajo arsyja pse ne u goditëm sot, sepse nga ana psikologjike ishim mirë meqenëse kishim rezultate pozitive.
Por nga ana e manovrës edhe këtyre detyrave taktike e teknike ishim keq. Kjo do të thotë që është patjetër, e përsëris edhe njëherë, përgjegjësi e stafit, por që duhet me patjetër ta marrim sa më shpejt edhe të vazhdojmë para, sepse nuk kemi kohë për të u mërzitur.”
…kthimi i lojtarëve dhe përgatitja për ndeshjen me Arsimin…
Artim Pollozhani: “Patjetër që dalëngadalë na kthehen edhe ato lojtarë që janë praktikisht të dëmtuar, sepse edhe këto që futen japin maksimumin, por që në momentin që ke vështirësi nuk mund të reagosh nga bankina.
Edhe unë mendoj që edhe kjo do na ndihmojë për ndeshjen e ardhshme që kemi me Arsimin.
Ajo që duhet të bëjmë është patjetër puna, edhe akoma duhet të ndryshojmë tek ajo manovra që e quajmë ne, sepse pa detyrat teknike e taktike nuk mund të luash.”.