Vespat pushtojnë Prishtinën, nis festivali ndërkombëtar

Sporti

Vespat pushtojnë Prishtinën, nis festivali ndërkombëtar

Më: 5 shtator 2026 Në ora: 13:55
“Vespa Festival Prishtina”

Në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë ka nisur edicioni i tretë i “Vespa Festival Prishtina”, i cili po mbledh pjesëmarrës nga Kosova dhe vende të ndryshme të botës.

Festivali, i organizuar nga “Vespa Fanatics Prishtina”, po zhvillohet më pesë dhe gjashtë shtator, me aktivitete, performanca dhe shëtitje me Vespa nëpër Prishtinë.

Presidenti i “Vespa Club Kosova”, Enis Berkolli, tha se qëllimi i festivalit është promovimi i kulturës së Kosovës dhe rritja e turizmit përmes pjesëmarrjes së klubeve ndërkombëtare.

“Qëllimi i festivalit është promovimi i kulturës tonë të Kosovës do të thotë edhe prurja e sa më shumë vizitorëve ndërkombëtarë në vendin tonë me rrit pak turizmin edhe me pa që Kosova është pjesë e Evropës. Kemi një kulturë të mirë, jemi njerëz të disiplinuar, kështu që falë punës tonë që kemi bërë si klub nëpër evente ndërkombëtare duke llogaritur Evropën dhe botën, kemi arritur me sjell shumë klube ndërkombëtare të cilat do të marrin pjesë sot këtu, duke llogaritur prej vendeve më të largëta: Meksikës, Turqia, Zvicra, Greqia, Spanja, Italia e shumë vende të tjera. Këto të Ballkanit më mos t’i përmendim, ato janë gjithmonë si zakonisht pjesë e festivalit tonë”, tha Berkolli.

Ai bëri të ditur se aktivitetet do të vazhdojnë edhe të dielën.

“Festivali, hapja është sot në orën 11:00 deri në ora 23:00, kurse nesër vazhdojmë prej 11-ve deri në ora 16:00”, shtoi ai. 

Pjesëmarrës në festival është edhe Dimitris Chrysovergis nga Selaniku i Greqisë, i cili tha se është i kënaqur me organizimin.

“Kam ardhur nga Greqia, nga Selaniku, për të marrë pjesë këtu në festivalin në Prishtinë. Organizatorët janë shumë të mirë. Në aktivitetin e vitit të kaluar, ku mora pjesë, binte pak shi. Besoj se këtë vit, në aktivitetin e ri që zhvillohet sot, gjithçka do të shkojë shumë mirë. Po shoh një organizim të shkëlqyer dhe i përgëzoj”, tha Chrysovergis.

Ndërsa, Alba Biçaku nga “Vespa Club EpidamN” i Durrësit, tha se ky është viti i tretë që marrin pjesë në festival.

“Ne jemi Vespa Club Epidam, nga qyteti i Durrësit në Shqipëri. Është hera e tretë që marrim pjesë te Vespa Festival Prishtina dhe është një event shumë shumë i mirë organizuar dhe jemi shumë të lumtur që bëhet çdo vit dhe do jemi gjithmonë këtu”, tha ajo.

Në kuadër të festivalit janë paraparë edhe gara me Vespa, performanca muzikore, shëtitje nëpër Prishtinë dhe aktivitete të tjera për pjesëmarrësit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat