Pas zjarrit të përmasave të mëdha që përfshiu mbrëmjen e djeshme disa zona të Himarës, sot ka nisur evidentimi i dëmeve të shkaktuara, identifikimi i familjeve të prekura dhe vlerësimi i nevojave për ndihmë dhe dëmshpërblim.
Lajmi është bërë i ditur nga kryebashkiaku i Himarës, Vangjel Tavo, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale, njoftoi se komisioni i ngritur nga Bashkia Himarë ndodhet në terren dhe po vijon verifikimin dhe evidentimin e dëmeve të shkaktuara nga zjarri, si dhe identifikimin e rasteve që kanë nevojë për mbështetje.
Tavo u ka bërë gjithashtu thirrje banorëve të zonave të prekura që të raportojnë dëmet e shkaktuara dhe në rast se kanë nevojë për ndihmë të kontaktojnë Drejtorinë e Emergjencave pranë Bashkisë Himarë.
Ndërkohë, Ndërmarrja e Shërbimeve Publike dhe strukturat përkatëse të Bashkisë Himarë vijojnë të jenë të angazhuara në terren, me qëllim normalizimin e plotë të situatës.
Aktualisht, në lagjen “Kalto”, po punohet për hapjen dhe lirimin e akseve rrugore, me qëllim mundësimin e qarkullimit të automjeteve, si dhe për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve që kanë nevojë.
