Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë zonat e Bardhajt dhe Myselimit në Shkodër, ndërsa përhapja e flakëve është favorizuar nga era e fortë dhe terreni i thyer. Për shuarjen e zjarrit është ndërhyrë edhe nga ajri, me një helikopter, ndërsa në terren janë angazhuar forca të shumta zjarrfikëse dhe strukturat e emergjencave civile.
Në operacion marrin pjesë gjashtë mjete zjarrfikëse të Bashkisë Shkodër, një bot uji i Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike, Shërbimi Pyjor, strukturat e Emergjencave Civile, si dhe përfaqësues të njësive administrative Rrethina dhe Postribë.
Ndërhyrja e forcave në terren ka bërë të mundur mbrojtjen e 15 banesave, duke shmangur rrezikun për familjet që ndodhen në zonën e përfshirë nga flakët.
Operacioni për shuarjen e zjarrit vijon edhe me mbështetjen e një mjeti zjarrfikës nga Reparti RKV 1010 në Vau i Dejës. Forcat në terren po punojnë në koordinim me Prefekturën e Qarkut Shkodër dhe Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.
