Situata me zjarret në qarkun e Fierit është normalizuar dhe po shkon drejt vënies nën kontroll të plotë të flakëve. Pas dëmeve të shkaktuara një ditë më parë në Levan, Radostinë dhe Zhupan, ku u dogjën banesa dhe sipërfaqe me ullinj, aktualisht mbeten aktive tre vatra zjarri, por pa rrezik për zonat e banuara.
Sipas informacioneve paraprake, në fshatin Jarua të Levanit, forcat zjarrfikëse po punojnë për të mbajtur flakët larg një stalle blegtorale. Në Frakull, intensiteti i zjarrit është ulur ndjeshëm falë ndërhyrjes nga ajri me avion dhe helikopter.
Ndërkohë, në Peshtan, operacioni është përqendruar në izolimin e flakëve dhe mbajtjen e tyre larg antenave të telefonisë celulare dhe transmetimeve televizive, të vendosura në kodrën e Likovunit. Forcat në terren kanë arritur të shuajnë vatrat e zjarrit në Radostinë, Fermë Çlirim dhe Zhupan, ndërsa vijon puna për neutralizimin e plotë të vatrave të mbetura aktive.
