Edi Rama. Screenshot: Kryeminsitria/Facebook
Rama kritikon homazhet në Serbi për Mlladiçin: “S’mund të bësh funeral shtetëror për një kasap”
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka komentuar rastin e Ratko Mlladiçit dhe vendimin për përcjelljen e tij me homazhe shtetërore, duke thënë se Serbia nuk duhet të izolohet, por të mbahet në tryezën europiane.
I njohur si “Kasapi i Bosnjës”, gjykata e gjeti Mlladiçin fajtor për urdhërimin e masakrimit të më shumë se 7.000 burrave dhe djemve në Srebrenicë më 1995 – mizoria më e madhe e kryer në Evropë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.
Edhe Rama iu referua Mlladiçit si “kasapi i Ballkanit”, ndërsa tha se pikërisht raste të tilla janë arsyeja pse Serbia duhet të jetë pjesë e dialogut europian, ku mund t’i kërkohet llogari për veprimet e saj dhe t’i bëhen të qarta standardet që duhet të respektojë.
“E di që Serbia është një lloj kafshe shumë interesante dhe të çuditshme në xhunglën e Ballkanit Perëndimor. Por çfarë është më mirë? Ta kesh në tryezë dhe t’i thuash: ‘S’mund të bësh funeral shtetëror për një kasap’, apo ta lësh aty, në ujëra të pasigurta, dhe të krijojë një situatë krejt skizofrenike mes Evropës, Kinës, Amerikës dhe Rusisë?” – u shpreh Rama.
Deklaratat Rama i bëri të shtunën (05.09.2026) në Cernobbio të Italisë, ku mori pjesë në forumin “Intelligence on the ëorld, Europe and Italy”, në panelin “Agjenda për Evropën”.
Duke folur për zgjerimin e Bashkimit Evropian, Rama tha se vendet kandidate duhet të afrohen gradualisht me strukturat europiane dhe të jenë pjesë e tryezës, ndërsa përmbushin kriteret dhe përballen me kërkesat politike të vendeve anëtare.
Ish-komandanti i ushtrisë serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiq, ishte i dënuar nga një gjykatë ndërkombëtare për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit të kryera gjatë luftës në Bosnje më 1992-1995.
Krimineli serb vdiq më 27.08.2026 në Hagë, në moshën 84-vjeçare, ndërsa vuante dënimin e përjetshëm.
Ndërsa, pas kësaj, trupit të pajetë iu organizuan pritjet me nderime shtetërore që i janë bërë në Beograd.
Edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar për këtë rast.
“Ekziston një paradoks i madh te fqinji ynë verior. Trupi i pajetë i kriminelit Ratko Mlladiq, i dënuar për gjenocid dhe krime lufte, po pritet me nderime të larta shtetërore nga ish-ministri i Millosheviqit, tash president i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Nga protagonisti i gjuetisë me njerëz në Sarajevën e rrethuar në Bosnje, tash i njohur si ‘Sarajevo Safari’, Aleksandar Vuçiq me nderime të larta shtetërore pret kryerësin e krimit në Bosnjë, Ratko Mladiq, tash i ndjerë pasi që vdiq në burg në Hagë”, ka deklaruar Kurti.
Ai përkujtoi se vetëm një javë pas Masakrës së Srebrenicës, Mlladiq kishte thënë se për një serb të vrarë do të vriten 100 myslimanë boshnjakë.
Sipas tij, kur një shoqëri nderon publikisht një të dënuar për gjenocid, është e vështirë të flitet për përballje me të kaluarën, pendesë apo distancim nga politika që prodhoi ato krime.
Edhe Komisioneri për të Drejtat e Njeriut i Këshillit të Europës, Michael O’Flaherty, ka dënuar glorifikimin publik të Ratko Mlladiqit, duke e cilësuar atë si të paligjshëm dhe fyes për viktimat.
“E urrej glorifikimin publik të Ratko Mlladiqit, një krimineli të vdekur lufte, i dënuar për gjenocidin e Srebrenicës dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë deklaratat e zyrtarëve në entitetin e Republikës Srpska në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në Serbi”- ka deklaruar O’Flaherty.
Komisionerja e Bashkimit Europian për Zgjerim, Marta Kos, ka vendosur ta anulojë vizitën e planifikuar në Serbi, pas kthimit të trupit të ish-komandantit të ushtrisë serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiq, i dënuar nga një gjykatë ndërkombëtare për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit të kryera gjatë luftës në Bosnje më 1992-1995, në Beograd dhe glorifikimit të tij.
Kos ka rikujtuar se Mlladiq ishte dënuar për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Sipas saj, glorifikimi i Mlladiqit pas vdekjes është i papajtueshëm me vlerat mbi të cilat ndërtohet rruga e Serbisë drejt Bashkimit Evropian.
Trupi i pajetë i Mlladiqit u kthye më 03.09.2026 në Beograd me një aeroplan të Qeverisë së Serbisë. Ai pritet të varroset më 07.09.2026në varrezat Topçider.
Mlladiq ishte dënuar për një akuzë për gjenocid, për pesë akuza për krime kudër njerëzimit dhe katër akuza për krime lufte nga Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavi (ICTY) në Hagë më 2017 – mbi 20 vjet pasi ndaj tij ishte ngritur aktakuzë.