Kompania nga Shqipëria fitoi mbi 850 mijë euro tender nga KEK-u, mostrat e qymyrit e naftës do të dërgohen në Çeki

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), një prej shpenzuesve më të mëdhenj të parasë publike në Kosovë, përmes prokurimit publik, ka lidhur kontrata në vlerë prej mbi 850 mijë eurosh për analiza laboratorike të qymyrit, hirit, zgurës, naftës dhe mazutit me kompaninë ECCAT nga Tirana.

Hulumtimi i cili u publikua këtë të shtunë, më 05.09.2026, në KallxoPërnime, ka gjetur se laboratori i kësaj kompanie në Shqipëri nuk është i akredituar për kryerjen e analizave për qymyr, hirë dhe zgurë, ndërsa nuk është i akredituar as për naftë, derivate të naftës, mazut dhe vajra industrialë.

Kjo është konfirmuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit në Shqipëri, e cila ka verifikuar fushën e akreditimit të laboratorit ECCAT.

Sipas këtij institucioni, qymyri, zgura dhe hiri nuk janë pjesë e fushës së akreditimit të laboratorit ECCAT.

“Qymyri (thëngjilli) nuk rezulton të jetë i përfshirë si matricë/material në fushën e akreditimit të laboratorit”, thuhet në përgjigjen e institucionit.

E njëjta vlen edhe për zgurën dhe hirin fluturues.

“Për sa më sipër, analizat për qymyrin (thëngjillin), zgurën (hirin e rëndë/bottom ash) dhe hirin fluturues (fly ash) nuk mbulohen nga fusha e akreditimit të laboratorit ECCAT sh.p.k.”, thuhet në përgjigje.

Laboratori ECCAT sh.p.k. nuk është i akredituar as për analiza të naftës, deklaroi Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit në Shqipëri.

Kontrata gati një milionëshe

KEK zhvillon mesatarisht rreth 1,300 procedura të prokurimit në vit. Në mesin e tyre është edhe tenderi për kryerjen e analizave laboratorike të materialeve që përdoren dhe prodhohen nga korporata. Tenderi ishte ndarë në tri lote.

Loti i parë, në vlerë prej rreth 820 mijë eurosh, kishte të bënte me analizat e qymyrit, hirit dhe zgurës. Ky lot iu dha kompanisë ECCAT nga Tirana.

E njëjta kompani fitoi edhe lotin e dytë, i cili lidhet me analizat e naftës dhe mazutit, me vlerë rreth 50 mijë euro.

Sipas dokumentacionit të tenderit, analizat e qymyrit do të kryheshin përmes dërgimit të mostrave në Republikën Çeke.

Dosja parashihte që mostrat e qymyrit të testoheshin rregullisht dhe rezultatet të dorëzoheshin brenda 24 orëve. Kompania kishte deklaruar se mostrat do të dërgoheshin në Çeki për analizim.

Kjo nënkupton se gjatë periudhës trevjeçare do të duhej të transportoheshin mijëra mostra nga Kosova drejt Çekisë.

Në dokumentacionin e tenderit, adresa e laboratorit në Çeki figuron në Pragë, më shumë se 1,200 kilometra larg Kosovës.

Një prej operatorëve ekonomikë pjesëmarrës në tender kishte ngritur pikërisht këtë çështje, duke vënë në pikëpyetje se si do të organizohej transporti i mostrave në mënyrë që rezultatet të dorëzoheshin brenda afatit prej 24 orësh.

KEK-u, në përgjigjen e dhënë gjatë procedurës së tenderimit, kishte deklaruar se kjo do të ishte përgjegjësi e operatorit ekonomik, i cili do ta fitonte kontratën.

“Pretendimi i juaj është spekulativ, i pambështetur në asnjë dispozitë të DT dhe në asnjë provë teknike, dhe përbën interpretim të njëanshëm që nuk mund të shërbejë si bazë për cenimin e vlefshmërisë së ofertës” – thuhet në përgjigjen e KEK-ut.

Ndërsa për mënyrën e organizimit të transportit të mostrave, KEK-u kishte deklaruar:

“Për këtë çështje duhet te brengoset operatori ekonomik, nëse shpërblehet me kontrate.”

KALLXO.com tentoi për disa javë të marrë përgjigje nga ECCAT lidhur me mënyrën se si kompania do t’i realizonte analizat.

Kompania fillimisht kërkoi që pyetjet t’i dërgoheshin përmes emailit.

Në një komunikim me përfaqësuesen e kompanisë, KALLXO.com ngriti çështjen e mungesës së akreditimit për analizat e naftës.

Përfaqësuesja e ECCAT deklaroi se mund të ketë nënkontraktorë.

“Po sepse ndoshta janë futur… ndoshta janë futur me nënkontraktor edhe unë nuk është se jam në dijeni për këtë. Kështu që më lejo t’i pyes, se nëse ata janë futur me nënkontraktor janë në rregull”, tha ajo.

KALLXO.com i sqaroi se në dokumentet e siguruara nuk kishte të dhëna se kompania ishte futur në tender si konsorcium.

Përfaqësuesja e kompanisë u përgjigj se çështja duhej të adresohej te zyra përkatëse e prokurimit.

Pas insistimit për përgjigje, ECCAT dërgoi një përgjigje me shkrim, por nuk iu përgjigj konkretisht pyetjeve të parashtruara nga KALLXO.com.

“Lidhur me procedurën e prokurimit të KEK-ut, dëshirojmë të sqarojmë se ECCAT është kompani private dhe nuk është institucion publik apo autoritet kontraktor. Për këtë arsye, nuk kemi detyrim t’u përgjigjemi në mënyrë të përsëritur kërkesave telefonike të personave të panjohur e të ndryshëm lidhur me këtë çështje” – thuhet në përgjigjen e kompanisë.

Eksperti i OSHP-së rekomandoi anulimin e kontratës

Dhënia e kontratës ishte kundërshtuar nga operatorë të tjerë ekonomikë. Kompania “Horn & Co. Analytics” kishte paraqitur ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), duke ngritur, ndër të tjera, çështjen e kapaciteteve organizative për dërgimin e mostrave në Çeki.

Në këtë procedurë ishte angazhuar eksperti shqyrtues Bujar Kuqi. Në raportin e tij, eksperti kishte rekomanduar që çështja të kthehej në rivlerësim.

Një prej arsyeve të evidentuara ishte dokumentacioni i paraqitur nga kompania fituese, i cili nuk ishte në gjuhët zyrtare të Kosovës.

Në dosjen e tenderit, ECCAT kishte paraqitur dokumente nga kompani dhe institucione të ndryshme jashtë Kosovës, përfshirë dokumente në gjuhën çeke.

Megjithatë, pavarësisht rekomandimit të ekspertit, Paneli Shqyrtues i OSHP-së vendosi që kontrata të mbetej në fuqi.

KALLXO.com ka verifikuar edhe adresën e ECCAT-it në Kosovë. Në regjistrin e bizneseve, kompania ka deklaruar një adresë në Prishtinë. Në këtë adresë nuk është gjetur ndonjë shenjë që identifikon laboratorin ECCAT.

Kompania, sipas dokumentacionit të tenderit, do të koordinonte nga Kosova procesin e mbledhjes dhe transportimit të mostrave, ndërsa analizat do të kryheshin jashtë vendit.

KALLXO.com tentoi të kontaktojë edhe laboratorin në Çeki që ishte përmendur në dokumentacionin e tenderit, por nuk mori përgjigje.

Një prej çështjeve që mbetet e paqartë është mënyra se si do të transportohen çdo ditë mostrat nga Kosova drejt Çekisë dhe nëse rezultatet do të mund të ktheheshin brenda afatit të përcaktuar prej 24 orësh.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe kryetarin e komisionit vlerësues të KEK-ut, Milaim Zhegrova.

Zhegrova tha se komisioni e kishte bërë vlerësimin mbi bazën e dokumentacionit të paraqitur.

Megjithatë, ai pranoi se akreditimi është një prej kushteve themelore për një laborator që merr pjesë në një tender të tillë.

“Edhe me njoftë gjuhën, kriteri thotë gjuhë shqipe, gjuhë serbe dhe gjuhë angleze”, tha Zhegrova duke folur për dokumentet e paraqitura në gjuhën çeke.

Ai tha se dokumentacioni ishte vlerësuar në bazë të asaj që ishte dorëzuar në dosje.

Sipas tij, tenderi ishte shtyrë për një kohë të gjatë dhe kishte nevojë që procedura të përfundonte.

Në dokumentacionin e tenderit, komisioni kishte evidentuar disa devijime nga kompania ECCAT, por megjithatë e kishte vlerësuar atë si operatorin më të përgjegjshëm.

Padia në Gjykatën Administrative

Kontestimi i kontratës nuk ka përfunduar me vendimin e OSHP-së. Grupi i operatorëve ekonomikë “Horn and Co. Analytics”, “Geokos A&A” dhe NSH “Agrovet” ka paditur OSHP-në dhe KEK-un në Gjykatën Administrative.

Padia është dorëzuar më 20 gusht 2026, teksa u kërkua anulimi i vendimeve që kanë çuar në dhënien e kontratës dhe kthimin e procedurës në rivlerësim.

Në mesin e pretendimeve të tyre janë edhe shkeljet e evidentuara nga eksperti shqyrtues i OSHP-së, përfshirë dokumentet për kalibrimin e pajisjeve të kompanisë fituese, të cilat sipas ekspertit ishin në gjuhën çeke dhe me afat të skaduar.

Pavarësisht këtyre gjetjeve, Paneli Shqyrtues i OSHP-së e la në fuqi vendimin për dhënien e kontratës.

Sipas arsyetimit të përmendur në materialet e tenderit, lëshimet ishin konsideruar “minore”, ndërsa oferta e ECCAT ishte rreth 146 mijë euro më e lirë se oferta e operatorëve kundërshtues.

Në padinë e tyre, operatorët pretendojnë se çmimi më i ulët nuk mund t’i zëvendësojë kërkesat teknike të përcaktuara në Dosjen e Tenderit.

Ata i kanë kërkuar gjykatës edhe pezullimin e zbatimit të kontratës përmes masës së sigurimit.