Kurti për Nënë Terezën: Ajo u shndërrua në urë, jo në mur

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar Shën Nënë Terezën në 29-vjetorin e vdekjes së saj, duke vlerësuar kontributin e saj në humanizëm, solidaritet dhe dashuri për njerëzit.

Kurti ka bërë të ditur se me këtë rast është promovuar vepra “Udha misionare e Gonxhe Bojaxhiut drejt Nënë Terezës universale”, e autorëve Skënder Asani dhe Albert Ramaj.

Në një shkrim të publikuar në rrjetet sociale, Kurti ka thënë se edhe tri dekada pas vdekjes së saj, jeta e Nënë Terezës vazhdon të ofrojë mësime për njerëzoren, dashurinë, paqen dhe bamirësinë.

“Shën Nënë Tereza ishte një grua e madhe e dalë nga një komb relativisht i vogël, që ia kushtoi jetën njerëzimit dhe u bë simbol universal i humanizmit, solidaritetit dhe dashurisë për tjetrin”, ka shkruar Kurti.

Ai ka theksuar se vepra e promovuar sjell dëshmi, dokumente, letra dhe fotografi që dokumentojnë rrugëtimin e Gonxhe Bojaxhiut, nga familja shqiptare në Shkup, me prindër nga Prizreni e Gjakova, deri te figura e Nënë Terezës me përmasa universale.

“Siç e kam theksuar edhe në parathënie: ajo u shndërrua në urë, jo në mur” – ka shkruar Kurti.

Kurti ka falënderuar autorët e veprës, duke e cilësuar atë si një kontribut të çmuar për kujtesën dhe dokumentimin e jetës së Nënë Terezës, të cilën e ka përshkruar si një prej figurave më të ndritura që shqiptaria i ka dhuruar botës.

Nobelistja shqiptare Anjezë Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Terezë ka lindur më 26.08.1910. Ajo çmohet për kontributin që ka dhënë në ndihmë të të varfërve dhe të pastrehëve.

Më 1979, Nënë Tereza është nderuar me çmimin Nobel për Paqe. Ndërsa, Kanonizimi (Shenjtërimi) saj është bërë më 04.09.2016, një ditë para 19-vjetorit të vdekjes së saj. Nënë Tereza vdiq më 05.09.1997 në Kalkuta, Indi.