Volkswagen shkurton 100 mijë vende pune deri në vitin 2030

Auto

Volkswagen shkurton 100 mijë vende pune deri në vitin 2030

Më: 4 shtator 2026 Në ora: 10:47

Volkswagen ka konfirmuar një nga planet më të mëdha të ristrukturimit në historinë e industrisë së automjeteve, duke parashikuar shkurtimin e rreth 100 mijë vendeve të punës deri në vitin 2030.

Vendimi vjen në një periudhë të vështirë për gjigantin gjerman, i cili po përballet me rënie të fitimeve, konkurrencë të fortë nga prodhuesit kinezë, dobësim të shitjeve në Kinë dhe ndikimin e tarifave amerikane, raporton The Guardian.

Kompania dhe përfaqësuesit e punonjësve kanë rënë dakord për eliminimin e rreth 50 mijë vendeve të tjera të punës deri në vitin 2030, përveç 50 mijë shkurtimeve të njoftuara më herët.

Në deklaratën e saj zyrtare, Volkswagen e lidhi vendimin me nevojën për përshtatjen e kompanisë me kushtet e reja ekonomike.

“Është thelbësore që nivelet e fuqisë punëtore të përshtaten në mënyrë sistematike me realitetin ekonomik”, thuhet në deklaratën e kompanisë.

Në rrezik edhe fabrikat në Gjermani

Përveç reduktimit të fuqisë punëtore, Volkswagen planifikon të përgjysmojë numrin e modeleve që prodhon grupi, ku përfshihen edhe marka si Audi dhe Bentley.

E ardhmja e katër fabrikave në Gjermani — në Hanover, Emden, Zwickau dhe Neckarsulm — gjithashtu nuk është e garantuar përtej vitit 2030.

Plani i ri u miratua unanimisht nga bordi mbikëqyrës i kompanisë.

“Bordi mbikëqyrës ka miratuar unanimisht planin e ardhshëm të kompanisë të paraqitur sot. Ky është një sinjal i fortë për të ardhmen e grupit Volkswagen”, deklaroi drejtori ekzekutiv Oliver Blume.

Presion i madh mbi drejtuesit

Vendimi është marrë pas muajsh presioni mbi drejtuesit e Volkswagen. Blume është përballur me protesta të punonjësve, ndërsa sindikatat kanë kundërshtuar planet për reduktimin e kostove dhe vendeve të punës.

Shkurtimet e parashikuara përbëjnë rreth 15 për qind të fuqisë punëtore të grupit. Volkswagen punëson më shumë se 650 mijë persona në nivel global, duke përfshirë markat Skoda, SEAT, Porsche, Cupra dhe Lamborghini.

Kompania gjermane po përballet veçanërisht me vështirësi në tregun kinez. Në gjysmën e parë të vitit 2026, shitjet e Volkswagen në Kinë ranë me më shumë se 31 për qind.

Dobësimi i tregut kinez dhe konkurrenca nga prodhuesit vendas kanë goditur edhe prodhues të tjerë evropianë, duke shtuar presionin mbi industrinë për të ulur kostot dhe për të riorganizuar kapacitetet e prodhimit.

Me planin e ri, Volkswagen synon të ulë kostot, të përshtatë kapacitetet prodhuese dhe të rikthejë konkurrueshmërinë e grupit në një treg automjetesh që po ndryshon me shpejtësi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat