VIDEO/ Qytetari: Shqiptari nuk është i zemëruar se kërkon më shumë, por sepse punon shumë dhe jeton më pak

20:48, 05/09/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Dita e 98-të e protestës qytetare kundër qeverisë Rama duke kërkuar dorëheqjen e tij, është shoqëruar me fjalime të qytetarëve në shesh, ku në fokus kanë qenë korrupsioni, gjendja ekonomike dhe ajo që protestuesit e cilësojnë si kapje të shtetit.

Një prej qytetarëve që mori fjalën para protestuesve tha se prej 98 ditësh shqiptarët po lënë shtëpitë dhe problemet e tyre për t'u mbledhur në shesh, në kërkim të bashkimit dhe shpresës.

“98 ditë që dalim në këtë shesh. 98 ditë që shqiptarët lënë shtëpinë dhe hallet e tyre dhe vijnë këtu për të gjetur ngrohtësi, bashkim dhe shpresë”, u shpreh ai.

Duke iu referuar programit “Besa” të qeverisë, qytetari akuzoi kryeministrin Edi Rama se po paraqet si arritje dhe standard të ri gjëra që, sipas tij, duhet të ishin normale për qytetarët.

“Na sjell një program dhe na thotë, ky është një standard i ri. Na shet si premtim atë që shqiptari e ka paguar dje. Na shet si arritje atë që duhet të ishte normale”, tha ai.

‘98 ditë që dalim në këtë shesh.

98 ditë që shqiptarët lënë shtëpinë dhe hallet e tyre dhe vijnë këtu për të gjetur ngrohtësi, bashkim dhe shpresë. Dhe nëse çdo ditë do të përfaqësonte një problem, ditët do të ishin të panumërta. Dhe ja ku jemi përsëri, përballë asaj që kjo qeverisje na shkakton çdo ditë.

Edi Rama me programin Besa dhe arrogancën që atë e shoqëron, e cila e copëton realitetin shqiptar, jo si një plagë ekonomike dhe sociale, por thjesht si një rritje e pritshmërive. Pra, Edi Rama mohon çdo vështirësi që kalon sot shqiptari si pasojë e korrupsionit që ata vetë kanë instaluar. Kjo është mënyra më e bukur për t'i ikur asaj që thotë shqiptari.

Na sjell një program dhe na thotë, ky është një standard i ri. Na shet si premtim atë që shqiptari e ka paguar dje. Na shet si arritje atë që duhet të ishte normale. Dhe problemin që kanë shqiptarët sot, ju e trajtoni me shumë cinizëm. Reklamoni një program që nuk flet asnjë fjalë për problemet e qytetarëve, asnjë zgjidhje konkrete dhe pa përgjigje.

Vetëm fjalë boshe për t'i futur shqiptarët në labirinte që të humbin rrugën. Është njësoj si t'i thuash një njeriu që ka pritur gjithë natën në shi, që ky shi ishte mrekulli dhe nesër do të japim një çadër. Po derisa të vijë nesër çadra ku ishte? Ata na thonë jo, ju nuk jeni të varfër, thjesht ju janë rritur pritshmëritë e juaja.

Shqiptari nuk është i zemëruar sepse kërkon më shumë. Është i zemëruar sepse punon më shumë dhe jeton më pak. Sepse kur paga hyn në shtëpi, i ikën para se të mbyllë derën. Shqiptari nuk jeton në statistikat e propagandës.

Jeton në fund të muajit, kur paga i ka mbaruar dhe faturat kanë mbetur akoma pa paguar. Jeton në radhë, në spitale, në trafik dhe në borxhe. Dhe ndërkohë që kalon të gjithë këtë vështirësi, në sfond dëgjon fjalët e juaja, që duhet të jetë i kënaqur sepse jeton më mirë se dje.

Sipas jush, shqiptari kërkon mrekulli. Jo, ne thjesht kërkojmë që të shohim ku shkojnë paratë që mbledh shteti. E ky shtet në vend që të krijojë mekanizma për të zgjidhur nevojat e qytetarëve, jua jep disa biznesmenëve që kanë pranuar të bëhen koka turku, ndërsa pas tyre fshihet ai që hedh firmën. Çdo nevojë e shqiptarit sot është bërë biznes.

Problemi është bërë kontratë dhe zgjidhet me tender. Shpikni një nevojë dhe shitni një zgjidhje. Kjo është skema juaj dhe mos na e shitni si shtet modern. Babëzia e tyre nuk njeh asnjë kufi. Nuk është vetëm te shërbimet, por shkon deri te gjërat jetësore, te ushqimi, te spitali, te ilaçi i të sëmurit, te asistenca e atij që s'ka bukë, te pensionet.

Për ta vjedhja nuk është vetëm lakmi, por është kthyer në pasion. Dhe nuk janë vetëm ata, sepse korrupsioni nis nga lart dhe pastaj zbret me llogaridhënie poshtë sipas gradave. Si një erë e keqe që mbush gjithë shtëpinë. Dhe kështu pak nga pak, posti publik nuk shihet më si detyrë, por karrigia shihet si pronë dhe zyra si territor. Ai që duhet të të shërbejë të sheh si klient. Kjo nuk është qeverisje, por një skemë ku qytetari thjesht paguan biletën.

Në këtë vend, hipokrizia ka arritur kulmin. Ky sistem i kalbur po i bën njerëzit të vrapojnë vetëm pas parasë, duke shitur pak nga pak shpirtin. Ky sistem prodhon vetëm beton me shumicë, kriminelë që serviren si VIP-a pa fund, prodhon pseudo-artistë që t'ju pastrojnë paratë dhe që të mbështesin këtë sistem me propagandë. Ky sistem ka blerë mediat që nuk janë thjesht spektatorë të këtij sistemi, por shumë prej tyre janë bërë pjesë e tij.

Janë mbushur ekranet e shqiptarëve me aq shumë pisllëk, saqë të mos ketë më vend për të vërtetën. Prodhoni emisione skandaloze për shkatërrimin e ndërgjegjes bazë. Që njerëzit mos të dinë më të dallojnë të shikojnë çfarë është mirë dhe çfarë është keq.

Prodhoni emisione për të denigruar shoqërinë, që njerëzve t'u vdesë ndjesia e reagimit. Dhe ky spektakël nuk është thjesht fytyra e një programi, por është fytyra e një mendësie, një mendësi që e ka kapur prej fyti shqiptarin e thjeshtë. Por ne si shqiptarë, nuk duhet të humbasim asnjë vetëdije dhe duhet të kuptojmë shumë mirë se kur kjo mendësi zgjat kaq gjatë, nuk mbetet vetëm në zyrat e shtetit, por fillon të hyjë në vena.

Fillon të depërtojë në mënyrën se si mendojmë, si punojmë dhe si sillemi me njëri-tjetrin. Sepse kur njeriu sheh përditë se rregulli thyhet, fillon të mos besojë më te rregulli. Kur sheh se i keqi vjedh, fillon të pyesë veten, pse të jem unë i ndershmi?

Dhe ky është shkatërrimi më i madh. Jo vetëm paratë që humbasim, por dhe dinjiteti që humbasim. Korrupsioni nuk po gërryen vetëm shtetin, por po gërryen shoqërinë, po shkatërron qelizë pas qelize besimin mes nesh. Po na mëson të mos pyesim më a është e drejtë, por sa kushton.

Nuk pyesim më ku është kufiri moral, por pyesim deri ku mund të shkoj pa u kapur. Dhe kështu, pak nga pak e keqja fillon të duket normale, tmerri bëhet naivitet, ligji bëhet diçka që anashkalohet nëse njeh dikë në shtet. Shoqëria fillon të jetojë me një filozofi të tmerrshme: ose ha, ose të hanë.

Dhe kështu krijohet tragjedia më e madhe, një sistem që nuk ka më nevojë t'i korruptojë njerëzit, por vetëm t'i bindë se nuk mund të jetojnë pa u bërë pjesë e tij. Ne nuk duhet të zgjedhim mes të qenit viktimë dhe të qenit pjesë e grabitjes.

Ky është programi që kërkon besën tonë, dhe kjo është arsyeja pse nuk mund të pranojmë që programi Besa të na shitet si një standard i ri. Kur në fakt është sistemi, kur në fakt është sistemi që deri më sot ka prodhuar këtë realitet.

E pikërisht kjo është ajo që duhet të kuptojmë. Ky është qëllimi i vërtetë i kësaj proteste. Dhe prandaj është kaq e rëndësishme për Shqipërinë kjo protestë. Shqipëria e shqiptarëve, jo e kusarëve!’, tha qytetari gjatë fjalës së tij në protestë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco