VIDEO/ Blushi: Gjyqi ndaj Metës po bunkerizohet, Rama kërkon të jetë edhe gjykatësi

18:23, 05/09/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Deputeti dhe sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka akuzuar Edi Ramën se po përdor institucionet e drejtësisë për të izoluar politikisht dhe për të ndëshkuar presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

I ftuar në Edicionin e Pasdites në SYRI TV, me moderatore Eneida Ndoci, Blushi deklaroi se publikimi i letrës së Metës është përdorur si pretekst për rikthimin, sipas tij, të izolimit politik ndaj kreut të Partisë së Lirisë.

Sipas tij, pas publikimit të pamjeve të Ilir Metës brenda një kafazi prej xhami, është krijuar një perceptim publik se ish-presidenti është fajtor, ndërsa ai pretendon se ndaj Metës nuk ekziston asnjë fakt penal apo kundërvajtje administrative.

‘Edi Rama në fakt është jo vetëm urdhëruesi i hetimeve, jo vetëm gardiani, por në fakt po përpiqet të jetë edhe gjykatësi i zotit Meta’, u shpreh ai.

‘Publikimi i kësaj letre u përdor si pretekst për të rikthyer menjëherë izolimin politik, inkuizicionin politik, ndëshkimin e ashpër politik të zotit Meta, i cili bëhet me urdhër të drejtpërdrejtë të Edi Ramës, thjesht dhe vetëm nga tmerri që ai ka nga transparenca e gjykimit në themel të zotit Meta.

Një gjykim i cili tanimë po bunkerizohet me atë që ne e kemi cilësuar si rregullorja e Edi Ramës, sepse Edi Rama në fakt është jo vetëm urdhëruesi i hetimeve, jo vetëm gardiani për sa i përket anës njerëzore, por në fakt është edhe, po përpiqet të jetë edhe gjykatësi i zotit Meta, sepse gjithçka është ndërtuar sipas një skenari kriminal të tij.

Pra u publikuan vetëm disa pamje të zotit Meta brenda një kafazi xhami me qëllim, pra të krijimit të perceptimit publik që zoti Meta është fajtor, ai duhet të qëndrojë në kafaz xhami. Kur ndërkohë ndaj tij nuk ka asnjë fakt, asnjë kod penal, nuk ka asnjë kundërvajtje administrative, dhe pas u transmetuan edhe këto pamje tani na u shpik rregullorja e Edi Ramës që ta mbyllë këtë proces, në mënyrë që shqiptarët të mos kuptojnë se çfarë po ndodh në këtë, në këtë proces gjykimi dhe kur ndërkohë e theksoj, vetë zoti Meta është shprehur disa herë që ky proces duhet të jetë transparent, në mënyrë që ai të japë llogari para të gjithë shqiptarëve për të gjitha funksionet, pra për këto funksionet më të larta shtetërore që ai ka mbajtur.

Pra, gjyqi që duhet të ishte publik po bëhet sekret, nëse hetimet që duhet të ishin sekrete, u bënë publike. Kaq mjafton për të kuptuar se çfarë po ndodh me këtë të ashtuquajtur rregullore Rama në Gjykatën e Lartë. Tmerri i Edi Ramës nga transparenca dhe tmerri i Edi Ramës nga një proces i cili sigurisht do të nxjerrë vetëm një triumfues dhe padiskutim ai do të jetë triumfi i, i zotit Meta.

Jo më kot unë e përmenda dhe shprehjen e tij, 'janë një lloj meta të super budallenj', për t'i thënë dhe një herë që fundi i kësaj bande kriminale që e mori peng, që e mban të izoluar do të jetë shumë i shpejtë, sepse e theksoj, unë ftoj prej tanimë dy vitesh të sfidoj çdo analist, çdo kundërshtar politik, çdo gazetar të pavarur, çdo jurist të më tregojë qoftë edhe një fakt, apo një akt penal të konsumuar nga zoti Meta.

Një, qoftë edhe një gjobë të marrë apo një kundërvajtje administrative. Përkundrazi, e vërteta është krejtësisht e një, sado që kjo nuk i pëlqen Edi Ramës, që në të paktën 32 vite shërbim publik të zotit Meta ai ka qenë shembulli i zbatimit me korrektësi, me rigorozitet të ligjit dhe të Kushtetutës e sidomos edhe të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Imagjinoni kur edhe proceset gjyqësore, sigurisht, nuk besoj se ka dikush diskutim për këtë në kohën e komunizmit që kanë qenë plotësisht të montuara, transmetoheshin live. Madje vendoseshin megafonë në qytetet e Shqipërisë për të ndjekur live proceset gjyqësore. Vrasja e Çausheskut është transmetuar live në televizionin shtetëror rumun kur pothuajse komunizmi ende nuk ishte rrëzuar.

Gjyqet e të gjithë udhëheqësve apo bllokut komunist në vendin tonë, pra pas rënies së diktaturës dhe ardhjes së pluralizmit politik u transmetuan të gjitha live në televizionin publik shtetëror në një periudhë kur nuk kishte televizione private dhe kur censura mund të ishte edhe më e thjeshtë për t'u vendosur dhe për t'u marrë dënime të cilat, apo për t'u zhvilluar procese të cilat nuk duhej të zhvilloheshin live në sytë e publikut dhe në një periudhë theksoj, kur Shqipëria nuk ishte anëtare e Këshillit të Evropës dhe nuk kishte detyrimin për ta respektuar me rigorozitet Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Pyetja që ne sot kemi dhe që duhet të ketë në fakt çdo shqiptar që përballet dhe e ndjen çdo ditë koston e kësaj reforme, në drejtësi, një reformë plotësisht e dështuar e cila jo vetëm ka zgjatur në pafundësi dhënien e drejtësisë por ka shtuar edhe koston financiare për shqiptarët, është: përse një gjyq duhet të jetë hermetik?

Përse një proces gjyqësor ndaj një funksionari kaq të lartë, pra ndaj ish-funksionari kaq të lartë publik si zoti Meta duhet të jetë i bunkerizuar? Kush përfiton nga bunkerizimi i këtij procesi? Kush përfiton nga rregullorja Rama në Gjykatën e Lartë?, tha ndër të tjera deputetit Tedi Blushi në SYRI TV.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco