Zjarri apokaliptik në Himarë/ Dhimojani: Ka patur neglizhencë nga institucionet, banorët u lanë në mëshirë të fatit

17:08, 05/09/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një natë apokaliptike mbërtheu qytetin bregdetar të Himarës, ku zjarret masive kanë shkrumbuar gjithçka që u ka dalë përpara.

Flakët, të cilat nisën rreth orës 19:00 të mbrëmjes së të premtes, kanë shkaktuar panik të jashtëzakonshëm tek banorët dhe turistët e shumtë.

E ftuar në edicionin e pasdites në Syri Tv, Afrovita Dhimojani, kryetare e PD Himarë u shpreh se përballë këtij ferri, reagimi i institucioneve ka lënë shumë për të dëshiruar.

Sipas saj, me një buxhet prej dhjetëra milionë eurosh, bashkia e Himarës është paraqitur në terren me vetëm 5-6 zjarrfikës dhe mjete të kufizuara, një kapacitet qesharak për të përballuar një emergjencë të këtyre përmasave.

Dhimojani theksoi se mungesa e koordinimit, vonesat në ndërhyrje dhe mungesa e pajisjeve elementare ajrore si helikopterët apo avionët e posaçëm, i kanë lënë banorët në mëshirë të fatit përballë një katastrofe që mund të ishte parandaluar.

Ajo ngre dyshime tepër të forta për neglizhencë shtetërore, ku tha se zjarri është lënë të përhapet lirshëm për orë të tëra nga zonat e larta drejt atyre të banuara, i ndihmuar edhe nga erërat e forta dhe terreni i vështirë.

Në fakt shumë e vërtetë, ka qenë një nga mbrëmjet më të tmerrshme për qytetin e Himarës. Është herë e parë në fakt që ndodh një situatë e tillë në Himarë, një katastrofë e këtyre përmasave. Një zjarr i përmasave të mëdha, ju e keni parë vetë nëpër media se çfarë është pasqyruar. Banorët në një gjendje paniku, forcat e zjarrfikësve të bashkisë së Himarës në një numër shumë të vogël, që kanë qenë të parët në fakt që kanë ndërhyrë, por që duke qenë të paktët në numër nuk kanë arritur dot ta vënë nën kontroll situatën, kanë qenë dhe banorët bashkërisht me ata. Situata ka përshkallëzuar dhe sot në mëngjes Himara është zgjuar nën tymin e dendur të vatrave aktive të zjarrit dhe me një sipërfaqe të konsiderueshme të shkrumbuar.

Aktualisht unë jam në terren, jam në lagjen Mihail, në lagjen ku ka pësuar djegien më të madhe, ku ka rënë zjarri, ku janë shkrumbuar një sipërfaqe shumë e madhe toke, një sipërfaqe shumë e madhe me ullinj, ullinj shumëvjeçarë, ullinj 300-400 vjeçarë. Ka pasur dëme nëpër banesa, janë djegur të paktën nga ajo çfarë është raportuar dhe çfarë kemi mundur të shohim në terren për shkak dhe të terrenit të vështirë, janë raportuar për 7 banesa të djegura. Ka pasur evakuime, situata është dramatike për Himarën. Në fakt unë mund t'ju tregoj në vijim edhe pamjen se si duket aktualisht Himara, se si duket sipërfaqja e gjitha e shkrumbuar.

Aktualisht ka dhe vatra aktive që po mbahen nën kontroll, për shkak sepse ullinjtë që janë djegur, sipërfaqet e mëdha me ullinj që janë djegur, lloji i pemës së ullirit është lloji i pemës që e mban aktiv zjarrin dhe do të paktën 3-4 ditë një monitorim shumë rigoroz nga strukturat shtetërore por edhe nga banorët, për të mos pasur një riaktivizim të vatrave të zjarrit. Situata në Himarë është me të vërtetë dramatike. Në fakt zjarri i mbrëmshëm ka rënë rreth orës 19.00 – 19.30, në një zonë pak më të largët nga zona e banuar, një zonë e cila nuk është lehtë e aksesueshme.

Nuk di të them, por të paktën nga këndvështrimi jonë edhe si qytetarë mendoj që po të kishte një gatishmëri pak më të madhe të zjarrfikësve, pavarësisht punës kolosale që ata kanë bërë, mbase ky zjarr do ishte evituar. Nuk e di se sa mund të ishte evituar sepse ka qenë edhe faktori i erës, ka qenë një erë shumë e fortë e cila e favorizonte shpërndarjen e zjarrit. Ka qenë, siç e thashë, edhe terreni i tillë i vështirë, pa rrugë, pa akses. Ka pasur një lloj moskoordinimi, ka pasur një lloj fjetje gjumi në fakt mendoj unë, nga pjesa që u mendua që kaloi piku i sezonit, kaloi piku i vapës dhe ja hodhëm pjesës së zjarreve. Dhe aty ku ne menduam dhe institucionet kanë menduar këtë gjë, ja që erdhi kjo situatë, një shkëndijë, një moment, dhe Himara u dogj.

Të arrijë Himara të digjet në këtë sasi, në këtë sipërfaqe, me dëme kaq të mëdha në prona, në pasuri, me një lloj traume të madhe për banorët, për turistët sepse Himara është akoma në pikun e sezonit turistik, ku shohin këtë situatë, shohin të nesërmen sipërfaqe të mëdha, kur ora e Himarës që ka qenë e tëra e gjelbëruar, kur e shohin të gjitha të shkrumbuara, është e papranueshme në fakt për një bashki që ne mburremi që kemi buxhetin e dytë më të madh në Republikën e Shqipërisë.

Duke qenë që ne jemi bashkia e 85 milionë eurove, bashkia e 103 milionë eurove tendera, minimumi duhet të kishte një angazhim maksimal edhe një investim shumë të madh ekonomik për sa i përket infrastrukturës së zjarrfikësve, ndihmës, pagesës së tyre, sepse kini parasysh që bashkia e Himarës ka një skuadër të vogël zjarrfikësish, ka rreth 5-6 zjarrfikëse, ka një staf rreth 30-35 veta. Dhe çfarë mund të bëjë një skuadër kaq e vogël në një territor kaq të madh sa ç'është territori i bashkisë së Himarës? Sepse fatkeqësi të tilla mund të ndodhin në disa vende në të njëjtin moment. Kështu që ka pasur një lloj mosrakordimi edhe nga institucionet vendore, edhe nga institucionet qëndrore në fakt që ata mbajnë peshën kryesore, ka qenë Ministria e Mbrojtjes që duhet të ishte më aktive, emergjencat civile duhet të jenë më aktive...

Në fakt ka qenë një lloj situate e neglizhencës, se u duk, u mendua që mund të fikej aty për aty sepse ka qenë në një zonë të largët, dhe pastaj zjarri u përhap aq shpejt sa nuk arrinte dot më të menaxhohej. Tani kini parasysh që shteti tonë jo vetëm në Himarë, po kudo, ne shohim kudo zjarre, ne shohim çfarë bëhet në Fier, çfarë bëhet në tërë Shqipërinë. Neve nuk është se kemi infrastrukturë ose nuk kemi investime për të arritur për të shuar zjarre të tilla. Ne akoma nuk kemi helikopter ose avion, të cilët mund të shuajnë zjarret dhe gjatë mbrëmjes. Domethënë ne jemi në këtë situatë. Kështu që prandaj vijnë edhe prandaj vijnë të tilla katastrofa.

Dhe qytetarët në fund të ditës kur shohin të nesërmen e tyre dhe shohin pasuritë e tyre në këtë situatë, fundja fundit shtetit ja kërkojnë përgjegjësinë, sepse nuk ka dhe kush të përgjigjet tjetër, sepse ky shtet duhet të garantojë pasuritë e banorëve të Himarës. Dhe mbi të gjitha po flasim për Himarën. Himara është qyteti që mban peshën kryesore të turizmit në Shqipëri. Himara sot është e tëra e shkrumbuar në lagjen Mihail. Është një lagje e cila pothuajse është shkrumbuar e tëra dhe pasuria, neve falenderojmë Zotin që nuk kemi pasur fatkeqësi në jetë njerëzish, sepse realisht situata ka qenë e tillë e mbrëmshme që larg qoftë mund të kishte ndodhur.

Po ne falenderojmë Zotin që s'ka ndodhur një gjë e tillë, falenderojmë shumë banorët që kanë qenë aktiv dhe kanë qenë aty bashkë me zjarrfikësit. Zjarrfikësit janë vetë banorë të Himarës dhe kanë arritur kanë evituar fatkeqësi të mëdha. Por kjo s'do të thotë që neve të arrijmë që bashkinë e Himarës, bashkia me buxhetin më të madh, të arrijë të digjet në këtë farë feje, qyteti që mban peshën kryesore të turizmit. Ka ngelur e tëra shkrumb e hi. Dhe sot banorët pyesin edhe janë me lot në sy në fakt, janë pasuritë e tyre.

Se çfarë do ndodhë më pas? Se është problemi se çfarë do ndodhë më pas. Se ne e dimë shumë mirë se çfarë ndodh në rastet për dëmshpërblime, që nuk jepen, kur procedurat burokratike... po çfarë do ndodhë më pas dhe për shkak sepse do vijnë shira, do ketë erozion, do ketë përmbytje. Ajo nuk është vetëm pasoja e sotme që neve e shohim. Kështu që shteti në Himarë pothuajse inekzistent dhe zjarrfikësit dhe personat që kanë qenë aktiv, djemtë darkë kanë qenë me sa kanë pasur mundësi me ato mjete që kanë, sepse fundja fundit shteti tonë këto mjete ka se nuk është se arrin.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco