VIDEO/ Teliti: Vizita e Berishës në SHBA mbyll një kapitull dhe hap një epokë të re për opozitën

16:49, 05/09/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Anëtari i Kryesisë së PD, Dorian Teliti, thotë se udhëtimi i Sali Berishës në SHBA shënon rikthimin e plotë të opozitës në komunikimin ndërkombëtar dhe paralajmëron një kapitull të ri politik për Shqipërinë.

Teliti, i ftuar në Edicionin e ‘Mesditës’ në SYRI TV me moderatorin Bled Marku, ka komentuar vizitën e kryetarit të PD-së, Sali Berisha, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai e konsideroi këtë udhëtim si një moment të rëndësishëm për opozitën shqiptare, duke deklaruar se ai mbyll një kapitull të gjatë në historinë e demokracisë shqiptare.

Sipas Dorian Telitit, me zhvillimet e fundit është rivendosur drejtësia për një padrejtësi që, sipas Telitit, nuk iu bë vetëm Sali Berishës, por gjithë opozitës dhe shqiptarëve.

‘Ky udhëtim mbyll një kapitull në historinë e demokracisë shqiptare, në të cilën jo thjesht u ndëshkua lideri i opozitës, por e gjithë opozita praktikisht u privua nga instrumentet e saj për të bërë politikë në emër dhe në të mirën e qytetarëve.

U rivendos drejtësia, një padrejtësi e madhe që iu bë jo thjesht Sali Berishës por të gjithë shqiptarëve, fatmirësisht, ndonëse i mori vitet e veta dhe i ka kushtuar shumë Shqipërisë sepse ndaj jemi dhe sot që flasim për mungesë aftësie dhe mungesë kapacitetesh për të luftuar zjarret, edhe shumë fatkeqësi të tjera, u vendos drejtësia në vend.

Udhëtimi i Sali Berishës, i liderit të opozitës në Amerikë, nuk është thjesht udhëtimi i tij, por është udhëtimi i çdo shqiptari i cili ka besuar dhe vazhdon të besojë te liria, te demokracia dhe te parimet vlerësore... te parimet humane, njerëzore dhe demokratike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë qenë, janë dhe do të mbeten ylli polar i demokracisë shqiptare dhe sidomos i opozitës shqiptare.

Të gjithë ata të cilët kanë thënë këto pesë vite dhe kanë shfrytëzuar atë vendim të padrejtë që u mor pesë vite më parë, një padrejtësi e cila u zhbë tashmë, dhe është faktuar kjo gjë. Të gjithë ata të cilët kanë hedhur baltë, sidomos te faktorët e maxhorancës që e kanë përdorur këtë lloj, atë lloj le të themi vendimmarrje të gabuar që u mor pesë vite më parë, për të hedhur baltë jo thjesht mbi opozitën, jo thjesht mbi Sali Berishën por mbi shqiptarët, duke i zhytur ata gjithnjë e më shumë në mjerim, në varfëri, dhe duke i zhytur ata në, le të themi, në mungesë totale të standardeve normale të jetesës, kanë marrë përgjigjen e merituar.

Dhe uroj dhe shpresoj që dhe shqiptarët, kudo që janë, në Shqipëri, në diasporë e kështu me radhë, ta kuptojnë që e ardhmja nuk është më qeverisja aktuale, por e ardhmja është dhe duhet të jetë një alternativë ndryshe, një model ndryshe, të cilin ju siguroj që opozita do ta përfaqësojë atë model dhe do ta jetësojë atë model në mënyrën më të mirë të mundshme me kapacitetet e saj.

Udhëtimi i Sali Berishës, ju keni për ta parë këto ditë, nuk do të jetë një udhëtim turistik, do të jetë një udhëtim i cili është, ka një axhendë të ngjeshur me kongresmenë, me senatorë, por mbi të gjitha do të jetë një udhëtim i cili do të hapi një kapitull të ri, jo thjesht për demokracinë shqiptare, jo thjesht për opozitën shqiptare, por për të gjithë shqiptarët të cilët e duan vendin e tyre një vend normal.

Me parimet e demokracisë, me parimet e të drejtës së fjalës, së lirisë, së të drejtës së veprimit, të drejtës të bërit biznes e kështu me radhë. Shqipëria sot fatmirësisht po fillon një tjetër kapitull. Një kapitull i cili do jetësohet akoma dhe më tepër në zgjedhjet e ardhshme vendore dhe qendrore, të cilat unë uroj të kryhen një orë e më parë, pasi kështu siç janë punët sot, ne diskutojmë që nuk kemi më asnjë lloj mënyre për një jetesë normale dhe dinjitoze.

Duhet ndryshim dhe ky ndryshim do të drejtohet dhe do të jetësohet nga opozita shqiptare sot, e cila e ka liderin e saj, Sali Berishën, që e dimë shumë mirë se si... vizionin që ka, por njëkohësisht edhe kapacitetet humane, njerëzore, intelektuale të opozitës do bëjnë të mundur të gjithë bashkarisht ta çojmë Shqipërinë atje ku duhet, në një vend normal, të jetueshëm.

As vend mrekullirash, por jo dhe vend siç është sot ku jeta e njeriut, prona, që janë gjërat bazike të ekzistencës sonë, janë të cenuara dhe jemi tërësisht të braktisur. Jo, kjo gjë do të marrë fund.’, u shpreh Dorian Teliti në SYRI TV.

Dorian Teliti solli në vëmendje projektin shumë të përfolur të qeverisë për lëshimin e satelitëve 'Albania 1' dhe 'Albania 2', të cilët i kushtuan taksapaguesve shqiptarë miliona euro. Sipas premtimeve zyrtare, këta satelitë do të shërbenin për monitorimin në kohë reale të territorit, zbulimin e hershëm të vatrave të zjarrit dhe parandalimin e krimeve mjedisore. Por, realiteti i ditëve të fundit ka dëshmuar se teknologjia në hapësirë nuk ka sjellë asnjë përfitim konkret për mbrojtjen civile në tokë. Ndërkohë që satelitët rrotullohen në orbitë, pyjet shqiptare digjen pa pushim.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco