I dërguari politik i Partisë Demokratike në Vlorë, Aurel Bylykbashi, ka vizituar sot Himarën, pas zjarrit të përmasave të mëdha që përfshiu zonën mbrëmjen e djeshme.
I shoqëruar nga kryetari i degës së PD-së në Himarë, Dhimojani, Bylykbashi e ka cilësuar situatën e krijuar si katastrofike, ndërsa ka hedhur akuza të forta ndaj shtetit dhe institucioneve për mënyrën se si është menaxhuar emergjenca.
‘Kam ardhur në Himarë për të parë se si është situata e zjarreve, pasi ajo që kemi dëgjuar mbrëmë nga të gjitha lajmet është katastrofike. Kam ardhur këtu bashkë me kryetaren e degës së PD, Afrovita Dhimojani, dhe ajo çfarë shikojmë është për të ardhur keq. Nuk ka shtet. Populli ynë ruhet nga zjarri, nga uji dhe nga qeveria’, deklaroi Bylykbashi.
Duke iu referuar dyshimeve për zjarrvënie të qëllimshme, përfaqësuesi i PD-së kërkoi që autorët të përballen me ligjin, por ngriti edhe pikëpyetje për atë që mund të ndodhë më pas me zonën e djegur.
‘Flitet nga banorët e zonës, por edhe nga ajo çfarë ka shprehur policia, se zjarrvënia është e qëllimshme. Ndaj këtyre njerëzve që bëjnë të tilla gjeste, sigurisht ligji dhe shteti duhet të jetë i pamëshirshëm. Por pyetja është: pas kësaj zjarrvënieje të qëllimshme, mos ka arsye të tjera dhe këtu do të ofrohet përsëri ndonjë investitor strategjik për të marrë me paketën e maleve investime nga qeveria?’, u shpreh ai.
Bylykbashi ka ngritur gjithashtu shqetësimin për vonesën e ndërhyrjes së zjarrfikësve, duke deklaruar se, sipas një eksperti të fushës me të cilin ishte konsultuar, dëmet mund të ishin shmangur nëse flakët do të ishin kapur në fazën e parë.
Sipas tij, stacioni i zjarrfikësve ndodhet vetëm pak minuta larg vendit ku u shfaq fillimisht vatra e zjarrit, por ndërhyrja, sipas deklaratës së tij, nuk ka ardhur në kohë.
‘U konsultova sot në mëngjes me një personalitet të fushës së fikjes së zjarreve, i cili më tha se në rast se zjarri do të ishte kapur kur ishte vetëm 100 metra katrorë, këtu nuk do të kishte pasur asnjë dëm. Stacioni i zjarrfikëseve është jo më larg se pesë minuta nga vendi i parë i rënies së zjarrit. Në qoftë se do të kishin ardhur në kohë, këtu nuk do të kishte pasur asnjë dëm’, deklaroi Bylykbashi.
Ai shtoi se stacioni i zjarrfikësve në Himarë disponon disa mjete zjarrfikëse, por sipas tij, në momentet e para në zonë kanë mbërritur vetëm dy prej tyre dhe ndërhyrja ka ardhur me vonesë.
‘Rreth e rrotull vetëm dy kishin ardhur’, tha Bylykbashi, duke e rikthyer kritikën e tij ndaj mënyrës së reagimit të institucioneve përballë zjarrit që shkaktoi dëme të mëdha në zonën e Himarës.
© SYRI.net