Në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Likofc është ndezur “flaka e lirisë”, në nderim të dëshmorëve dhe luftës së UÇK-së, ndërsa pjesëmarrësit kanë shprehur pritjet e tyre për vendimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së, i cili pritet të shpallet më 16 shtator.
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, i ka thënë KosovaPressit se tek Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë, në Likofc, kanë ndezur zjarrin e lirisë, në nderim të sakrificës së dëshmorëve dhe luftës së UÇK-së, me një mesazh të fuqishëm për drejtësi për çlirimtarët tanë në Hagë.
“Datën 16 shtator, kismet, që ka thënë Zoti, që ka me ardhë, kemi me e prit edhe kemi me e prit faqe bardhë. Ne si pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjithsesi ata luanë që janë në Gjykatën e Hagës padrejtësisht, të gjithë do të dalin faqe bardhë edhe do të dalin krenarë dhe ballëhapur.... Ne jemi të bindur që ata do të lirohen me 16-tin. Mendoj që kjo padrejtësi do të marrë fund. Unë mendoj që është padrejtësi se 6 vjet ata përballen me një gjykatë që, për besë, ka rënë krejt keq. Secili prej neve ka besuar në drejtësinë ndërkombëtare. Megjithatë, unë e kam përjetuar vetë në lëkurën time, kështu që atje veç drejtësi s'ka. Po megjithatë, unë pres që ata burra kanë me u kthyer te familjet e tyre, te vendi i tyre, sepse këtu e kanë vendin”, tha ai.
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, kujtoi se si në Likoshan ishte vendosur Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë, si dhe janë zhvilluar shumë bisedime në mes përfaqësuesve të UÇK-së dhe atyre ndërkombëtarë, derisa më 16 shtator, kur edhe do të jepet vendimi për ish-drejtuesit e UÇK-së nga Gjykata Speciale, thotë se do të jetë ditë e fitores për shqiptarët.
“Me 16 shtator do të jetë një fitore e madhe e shqiptarëve, do të jetë pavarësia e dytë e Kosovës apo mund t'i them çlirimi i dytë i Kosovës, duke parë se Serbia dhe Rusia janë bërë dy forca bashkë dhe kanë tentu që ta njollosin Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Po fatbardhësisht nuk kanë mund t'a njollosin Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke e ditur se ushtria jonë guerile e UÇK-së ka qenë një guerile e pastër, ka qenë një ushtri e drejtë e cila ka bërë luftë brenda vendit të vet, ka bërë luftë në tokat e veta dhe ka bërë luftë çlirimtare për me i çliru kombet shqiptare nga hordhitë apo nga ushtria, policia serbe dhe nga paramilitarët çetnikë serbë, nga një kasap i Ballkanit i ashtuquajtur Millosheviçi. .... Unë dua të shpresoj, besoj që me 16-in i gjithë kombi shqiptar do të gëzohet në Prishtinë”, tha ai.
Gucati komentoi edhe deklaratën e një mërgimtar që është i gatshëm ta paguajë avionin privat që t’i sjellë katërshen e UÇK-së pas lirimit.
Në Hagë do të shkojë për të dytën herë edhe qytetari Hysen Bytyqi. Ai thotë se duan të kthehen çlirimtarët që po mbahen peng në gjykatën e Hagës.
“Ne jemi duke e pritur kështu, të gjithë popullata, me dëshirë i presim ata çlirimtarët tanë që janë atje në Hagë të gjykuar padrejtësisht. E për atë, ne tash, unë edhe herën e parë kur kam marrë pjesë në Hagë, po prapë jemi përgatitë të shkojmë në Hagë, kismet, me 12-in, 80 vjet i bëra, po e dyta herë të shkoj. Lutem kësaj here ka sukses, e dalim faqebardhë e kthehemi të gëzueshëm këndej”, tha ai.
“Kam ardhë sot këtu në shenjë respekti për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Vendimi që do të merret më 16 shtator për krerët e luftës, për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, shpresoj në drejtësinë që do të merret një vendim i drejtë. Sepse lufta e UÇK-së ishte luftë çlirimtare, ishte luftë e pastër dhe në ato besoj, pavarësisht se drejtësia sot nuk është duke u punuar me fakte, Gjykata Speciale po punon me dëshmi të rrejshme, po prapë se prapë në drejtësi besoj dhe duke shpresuar që Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë e drejtë, e pastër, dhe do të merret një vendim i duhur dhe krerët e luftës do të vijnë në Kosovë.... Po padyshim që do të jetë zhgënjim i yni, edhe nuk do të jetë i mirë për popullin e Kosovës edhe nuk do të jetë i mirëpritur. Sepse do të ndodhte e kundërta e asaj çka i është derdhur gjak, është derdhur mund, me vite që populli ynë ka sakrifikuar për këtë ditë që sot ne jemi të lirë, dhe sot krerët e luftës po na dënohen në Hagë. Dhe nëse dënohen prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kjo do të jetë normale që kundër dëshirës sonë dhe kundër vullnetit të gjithë popullit të Kosovës, sepse ne nuk kemi luftuar që sot krerët e luftës me na u dënuar në Hagë”, ka thënë ai.
Kurse, Hysen Geci kujton shkollën ushtarake të ngritur gjatë luftës, duke thënë nënoficerët dhe oficerët e asaj kohe u trajnuan dhe u përgatitën për udhëheqjen e njësive. Sipas tij, përveç udhëheqjes së njësive, kishte edhe karakter edukativ për secilin komandant që të respektojë të drejtat dhe liritë e njeriut, Konventat e Gjenevës, si dhe konventat e ndryshme që kanë të bëjnë me luftëtarët e zënë rob të palës tjetër.
“Në qoftë se ndodh një, eventualisht, një vendim i kundërt, e që unë shpresoj të mos ndodhë ashtu, sepse drejtësia duhet të jetë drejtësi për të gjithë, atëherë populli duhet të mendojë mirë për rrugëtimin e vet që e ka bërë deri më tani. Për thjesht historinë e vet të lavdishme që e ka pasur, ku do t'ia mbajë vendin. Sepse një lëshim eventual i popullit, po flas, dhe mosmirënjohje eventuale ndaj luftës së pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është në fakt një dëm i cili i shkaktohet vetë shtetit, Republikës së Kosovës dhe vetë popullit. Prandaj, të gjitha institucionet e vendit, duke përfshirë ato politike, po sidomos këto arsimore, duhet t'i kushtojnë vëmendje të veçantë edukimit dhe arsimit, ku në qendër të vëmendjes do të duhej të ishte lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për shkak se deri më sot, pak kemi punuar në këtë drejtim, prandaj edhe kemi telashe kaq të mëdha, dhe kemi mosnjohje nga gjeneratat e tjera të pasluftës për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, tha ai.
Ndërsa, veterani Feriz Haliti, nga fshati Burojë i Komunës së Skenderajt, thotë se i gjithë procesi ka qenë politikë.
“Vendimi që ka qenë prej fillimit hiç, kurrkund, çështje politike ka qenë. S'ka qenë kurrë... s'kanë bo faj.. Nëse na dënojnë ata, na dënojnë krejt. Të gjithë jemi kanë komplet. Çka ndodh me shtetin e Kosovës? Çka ka me ndodhë, veç fundi i punës kish me shkuar më poshtë. Na vdekje s'ka. A kanë me dalë qytetarët në rrugë? Aty shkon gjaku i dëshmorëve, gjaku i heronjve... Kismet, kismet po. Po. Presim dalim e përballemi prapë”, tha ai.

