Ministre në detyrë apo deputete? Kjo është përgjigjja e Mimoza Kusari-Lilës
Intervista
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Ministre në detyrë apo deputete? Kjo është përgjigjja e Mimoza Kusari-Lilës
kusari lila foto
05/09/2026 - 13:21
Linku u kopjua

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se eksportet e Kosovës janë rritur në shkallë më të lartë se importet në tetë muajt e parë të vitit 2026.

Kusari-Lila, në emisionin “Intervista e javës” në KosovaPress, tha se eksportet janë rritur për 17.5 për qind dhe kanë arritur vlerën prej 419 milionë eurosh, ndërsa importet kanë shënuar rritje prej 5.8 për qind dhe kanë arritur në rreth 2.9 miliardë euro.

Megjithatë, ajo e pranon se diferenca mes importeve dhe eksporteve vazhdon të jetë e madhe. Sipas saj, një nga objektivat e institucioneve është që kjo diferencë të ngushtohet përmes rritjes së kapaciteteve prodhuese dhe fuqizimit të eksportit.

Sipas saj, brenda CEFTA-s, Kosova importon më shumë nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria sesa nga Serbia.

“Eksportet e Kosovës janë rritur në shkallë më të madhe sesa importet. Eksportet janë rritur me 17.5 për qind, kanë arritur në 419 milionë euro, ndërsa importet janë rritur me 5.8 për qind, por kanë arritur 2.9 miliardë euro. Prapë është një dallim shumë i madh, një diferencë shumë e madhe, një gap, me të cilin synojmë. Varet shumë se si do të jetë tash kjo periudha e tremujorit të tretë të vitit, dhe ta shohim deri në fundin e vitit se sa ka me pas rritje të eksportit, domethënë a mundet proporcionalisht me pas rritje ende më të madhe sesa rritja e importit. Ne jemi duke i targetuar disa pjesë me të cilat drejtpërdrejt mundemi me ndikuar në zvogëlimin e importit edhe rritjen e eksportit. Kapacitetet industriale dhe infrastruktura industriale është një fokus i yni... Serbia është diku në vlerën totale të importit diku 3-4 për qind komplet. Nga vendet e CEFTA-s janë vendet e rajonit, është Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, para Serbisë. Ndërsa nga vendet e Bashkimit Evropian, Bashkimi Evropian përndryshe është partneri kryesor tregtar, është Gjermania, pastaj nga vendet jashtë Bashkimit Evropian është Zvicra, me të cilin kemi tashmë edhe një bilanc pozitiv tregtar në raport me shërbimet”, shtoi ajo.

Kusari-Lila për KosovaPress foli edhe për takimin e saj dhe të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, me pronarët e disa prej zinxhirëve më të mëdhenj të supermarketeve në Kosovë.

Ajo tha se qëllimi i takimit ishte komunikimi i drejtpërdrejtë me operatorët e mëdhenj ekonomikë dhe diskutimi për mënyrat se si produktet vendore mund të kenë më shumë hapësirë në tregun kosovar.

Krahas temave ekonomike, Kusari-Lila është pyetur edhe për pozitën e saj aktuale institucionale, nëse duhet të konsiderohet ministre në detyrë apo deputete e betuar e Kuvendit të Kosovës.

Ajo ka thënë se mund t’i referohet si ministre në detyrë, ndërsa ka pranuar se është edhe deputete e betuar. Megjithatë, sipas saj, mandati parlamentar ende nuk ka filluar të ushtrohet në praktikë, pasi Kuvendi nuk është aktiv dhe nuk ka vendimmarrje.

Sipas saj, situata aktuale tregon nevojën për një interpretim më të qartë ligjor për periudhën e tranzicionit institucional.

Ajo ka thënë se pas formimit të institucioneve të reja duhet të qartësohet edhe mënyra se si rregullohet ky tranzicion, veçanërisht në raport me Ligjin për Qeverinë.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026