Dell’Oro: Historia e trojeve shqiptare ndihmon për të kuptuar jetën e Nënë Terezës
Drejtat Autoriale
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Dell’Oro: Historia e trojeve shqiptare ndihmon për të kuptuar jetën e Nënë Terezës
05/09/2026 - 14:30
Linku u kopjua
Me meshë të shenjtë në Katedralen “Nënë Tereza”, në Prishtinë është shënuar 10-vjetori i shenjtërimit të Nënë Terezës, ku të pranishëm ishin edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, si dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.
Meshën e ka kremtuar Sh.T. Mons. Italo Dell’Oro, përfaqësues i Konferencës Ipeshkvore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili foli për figurën dhe trashëgiminë e Nënë Terezës, duke e cilësuar atë si një shembull të dritës dhe shërbimit ndaj të varfërve.
Dell’Oro me origjinë italiane, tregoi se pas shugurimit kishte shkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku kishte qëndruar për vite me radhë.
Në fjalën e tij, ai tha se Nënë Tereza, ndonëse një grua e vogël në shtat, u bë një figurë e madhe botërore, duke dëshmuar se Krishti gjendet te njerëzit më të vegjël dhe më të varfër.
Dell’Oro tha se historia e Kosovës dhe e trojeve shqiptare ndihmon për të kuptuar më mirë jetën dhe përjetimet e Nënë Terezës, duke përmendur edhe historinë e krishterimit në këto troje.
“Dëshiroj t’ju falënderoj për mikpritjen dhe faktin se po ma jepni mundësinë të shoh një copë të realitetit dhe botës suaj, sepse, edhe pse kam lindur në Itali, është një pjesë që unë nuk e njoh.. Unë e pyes veten, dhe ju e keni pyetur veten, se pse Zoti e zgjodhi një grua nga ky vend. Një grua që është e njohur në krejt botën dhe motrat e saj të bamirësisë janë të pranishme në gjithë botën. Historia juaj, duke filluar nga ungjillëzimi i Shën Palit në trojet ilire, prej atij momenti deri në të sotmen, në idetë dhe në çështjet nacionale, etnike dhe fetare, historia juaj është dëshmia më e mirë për ta kuptuar jetën e Nënë Terezës dhe errësirën që e përjetoi duke e parë errësirën në vendin tuaj dhe në botë”, tha ai.
Ipeshkvi amerikan u shpreh i lumtur që kishte mundësinë të kremtonte meshën në Katedralen “Nënë Tereza”, në Prishtinë, duke theksuar se ajo, ndonëse ishte bijë e këtij vendi, tashmë i përket mbarë botës.
Në fund ai falënderoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, dhe kryetarin e Prishtinës, Përparim Ramën.
Kurse, Ipeshkvi i Kosovës Imzot Dodë Gjergji tha se feja dhe kombi janë pjesë e identitetit shpirtëror të njeriut, duke falënderuar përfaqësuesit e Ipeshkvisë, autoritetet politike dhe diplomatike që morën pjesë në këtë shënim.