Gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë janë raportuar gjithsej 21 vatra zjarri, nga të cilat 11 janë ende aktive.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në Fier, vatrat në Drizë/Radostinë, Vadhizë, Peshtan dhe Levan vijojnë të jenë aktive.
Në Shkodër, zjarri në Bardhaj mbetet po ashtu aktiv.
Në Mat, vijon operacioni për shuarjen e flakëve në zonat Lundre dhe Madhesh.
Ndërkohë, zjarri në lagjen “1 Maji” në Himarë është fikur. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, janë djegur 6 banesa, prej të cilave 3 të banuara, ndërsa 36 persona janë evakuuar.
Në Dajt, një vatër vijon të jetë aktive. Ndërkohë, vatra në Qinami mbahet nën mbikëqyrje dhe nuk paraqet rrezik për zonat e banuara.
Vatra aktive raportohen gjithashtu në Vajkal, Mallunxë–Lis, Gallatë, Kalivaç–Zimaj–Kashnjet, Krastë të Elbasanit, Iballë dhe Krepse.














