Një avion luftarak F-4E Phantom II i Forcave Ajrore Greke është rrëzuar gjatë një demonstrimi ajror në Tanagra, duke shkaktuar vdekjen e dy pilotëve.
Avioni u rrëzua gjatë manovrave, ndërsa qindra persona ndiqnin shfaqjen. Sipas dëshmitarëve, mjeti fluturues kishte lëshuar tym pak çaste para përplasjes.
Dy pilotët grekë u nxorën të pajetë nga rrënojat. Në vendngjarje mbërritën ekipet e emergjencës dhe forcat speciale ushtarake.
Nga incidenti u plagosën gjithashtu dy civilë, të cilët u transportuan në spital. Ndërkohë, një fabrikë pranë vendit ku u rrëzua avioni u përfshi nga flakët, por raportohet se nuk kishte persona brenda.
Bordi i Hetimit të Aksidenteve Ajrore ka nisur hetimet për përcaktimin e shkaqeve të aksidentit. Në hetim pritet të analizohen edhe pamjet e shfaqjes dhe komunikimet e ekuipazhit me kullën e kontrollit.














