Ditari i Opozitës

Gara për Bashkinë Tiranë, Alimehmeti konfirmon kandidimin: Do të futem në proces

 Screenshot_4-13.png

Ilir Alimehmeti konfirmon se do të jetë pjesë e garës së brendshme të opozitës për Bashkinë e Tiranës, ndërsa PD dhe aleatët e saj ende nuk kanë përcaktuar mekanizmin përmes të cilit do të zgjidhet kandidati për zgjedhjet vendore të vitit 2027.

I ftuar në studion e “News24”, Alimehmeti foli për skenarët që po diskutohen në kampin opozitar, dhe theksuar se procesi mund të zhvillohet përmes primareve, një seleksionimi apo një komisioni të posaçëm.

“PD dhe aleatët e saj do të ulen dhe do të diskutojnë për modelin se si do t’i qasen garës për pushtetin vendor. Mendoj se kjo duhet të jetë përtej siglave politike, duhet të shkojmë për ndryshim sistemi dhe modeli qeverisjeje”, deklaroi ai.

Alimehmeti bëri të qartë se, pavarësisht mënyrës që do të zgjidhet për përzgjedhjen e kandidatit, ai do të jetë pjesë e procesit.

“Do të jetë një proces, ose primare, seleksionim, ose një komision për të vendosur. Unë në atë lloj procesi do të futem, por se çfarë do të vendoset prej tyre mbetet për t’u parë”, u shpreh përfaqësuesi i PD-së.

Gara për Tiranën pritet të jetë një nga përballjet kryesore të zgjedhjeve vendore të vitit të ardhshëm. Në kampin socialist kanë nisur të qarkullojnë emra të mundshëm, mes tyre Erion Braçe dhe Ogerta Manastirliu.

Duke komentuar rivalitetin brenda mazhorancës, Alimehmeti e interpretoi përplasjen mes emrave të përfolur jo si një garë mbi modele konkrete për zhvillimin e kryeqytetit, por si një betejë për kontrollin e pushtetit vendor.

Ndërkohë, në opozitë mbetet e hapur çështja se kush do të jetë kandidati që do të përballet me socialistët. Kryetari i PD-së, Sali Berisha, ka deklaruar më herët se nuk ka një vendim për përjashtimin e primareve dhe se përcaktimi i kandidatit do të bëhet në javët në vijim.

 

Të fundit