E-TJERA

Eksplozivi i lidhur me celular në Durrës, arrestohen dy persona

-640-0-6a9172755cb0a.webp

Policia e Durrësit ka zbardhur autorësinë e vendosjes së një sasie lënde plasëse të lidhur me një celular, ngjarje e regjistruar më 28 gusht në lagjen nr. 3 të qytetit.

Në kuadër të hetimeve, të zhvilluara nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës në bashkëpunim me Prokurorinë, janë identifikuar dhe arrestuar dy persona të dyshuar për përfshirjen në ngjarje.

Në pranga janë vënë Sherif Çela, 47 vjeç, dhe Muharrem Thartori, 46 vjeç, të dy banues në Durrës.

Sipas Policisë, më 28 gusht, në lagjen nr. 3, autoritetet konstatuan një aparat telefonik celular të lidhur me një sasi lënde plasëse. Ngjarja dyshohet se kishte si qëllim dëmtimin e një prone, por mbeti në tentativë.

Gjatë veprimeve hetimore, janë sekuestruar edhe tre telefona celularë, të cilët do t'i nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme për të ndihmuar në dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, e mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, të kryera në bashkëpunim.

Të fundit