Ditari i Opozitës

Këlliçi zbardh axhendën e Berishës në SHBA: Takime me kongresmenë dhe diasporën

tyutyutyutyutyu.jpg

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka zbardhur nga New Jersey detajet e vizitës së kreut të PD-së, Sali Berisha, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Duke folur pëe News 24, Këlliçi tha se Berisha është pritur në mënyrë të veçantë nga komuniteti shqiptaro-amerikan, ndërsa gjatë qëndrimit në SHBA do të zhvillojë një agjendë të ngjeshur takimesh politike dhe me diasporën.

Një prej momenteve kryesore të vizitës do të jetë takimi me shqiptarët në New Jersey. Sipas Këlliçit, interesi i lartë i komunitetit shqiptaro-amerikan ka bërë që aktiviteti të zhvendoset në një ambient me kapacitet më të madh, në Venetian Palace.

Këlliçi e cilësoi këtë si një nga takimet më të mëdha të zhvilluara ndonjëherë nga një politikan shqiptar në Shtetet e Bashkuara.

Axhenda e Berishës do të vijojë më pas në Teksas, ku priten takime me anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Kongresit Amerikan.

“Kemi pasur një pritje të jashtëzakonshme në aeroport kur Sali Berisha zbriti pas 14 vitesh në SHBA. Të shpallësh liderin e opozitës me një vendimmarrje korruptive, pa asnjë dokument, fakt apo provë, siç ndodhi me zotin Berisha, nuk duhet t’i ndodhë asnjë force politike!”, deklaroi ai.

Sipas nënkryetarit të PD-së, në ditët e ardhshme Berisha do të zhvillojë gjithashtu takime me dy kongresmenë nga New Yorku dhe New Jersey, ndërsa është parashikuar edhe një darkë zyrtare me komunitetin shqiptaro-amerikan.

Kreu i PD-së do të marrë pjesë më 9 dhe 10 shtator në Konventën e parë të mesmandatit të Partisë Republikane, e cila zhvillohet në American Airlines Center në Dallas.

Konventa do të ketë në qendër figurat kryesore të Partisë Republikane. Presidenti Donald Trump pritet të jetë i pranishëm në të dyja netët, ndërsa zëvendëspresidenti JD Vance do të mbajë fjalimin kryesor në natën e parë.

 

Të fundit