
Filozofi brilant rumun na ofron një reflektim mbi jetesën dhe bashkëjetesën. Frazat e Emil Cioran janë antidot e konformizmit të mendimit dominues dhe na ofrojnë një vizion më real dhe më çmagjepsës të jetës dhe ekzistencës njerëzore. Cioran lindi në Rasinari (Rumani) më 8 prill 1911 dhe vdiq në Paris më 20 qershor 1995. Mendimtar ekscentrik dhe i vetmuar, i ngjashëm me stilin e Niçes, ai karakterizohet nga aforizma dhe ese, ku ironia dhe zhgënjimi preknin psikikën dhe kontekstin shoqëror, historik dhe politik.
Përherë shpreh një pesimizëm të thellë për gjendjen njerëzore dhe një nihilizëm të errët ndaj vlerave të traditës kulturore, fetare dhe filozofike perëndimore. Përmes librave të tij kuptohet, se tema kryesore e filozofisë është shqetësimi bashkëkohor. Në një epokë të ngopur me kuptim të detyrueshëm dhe optimizëm të detyruar, ai pretendon të drejtën e hijes, të dyshimit, të brishtësisë si forma ndershmërie.
Është autor që gërmon, demaskon, por di të buzëqeshë edhe në humnerën e vet. Mërzia, dhimbja, vdekja, kotësia, pamundësia e lumturisë, dështimi i filozofisë, vetmia e qenies njerëzore, janë thelbi i vizionit të tij për ekzistencën njerëzore. Sigurisht, fjalitë që propozojmë nuk e shterojnë mendimin e këtij autori brilant, por japin kuptimin e konceptit të tij për jetën dhe botën.
“Unë nuk bëj asgjë, në rregull. Por të paktën shoh orët që kalojnë dhe kjo është më mirë sesa të përpiqesh t’i mbushësh ato”.
“Sa më shumë të kesh vuajtur, aq më pak pretendon. Të protestosh është shenjë, se nuk ke përshkuar asnjë ndëshkim”.
“Mënyra e vetme për të ruajtur vetminë e dikujt është t’i lëndosh të gjithë, duke filluar nga ata që duam”.
“Besoj se një libër duhet të jetë vërtet një plagë, se duhet të ndryshojë jetën e lexuesit në njëfarë mënyre. Synimi im, kur shkruaj një libër, është të zgjoj dikë, ta ndëshkoj. Meqenëse librat që kam shkruar kanë lindur nga hallet e mia, për të mos thënë nga vuajtjet e mia, pikërisht këtë duhet t’i përcjellin në njëfarë mënyre lexuesit. Jo, nuk më pëlqejnë librat që lexohen si të lexosh një gazetë: një libër duhet të shqetësojë gjithçka, të vërë gjithçka në pikëpyetje”.
“Kur shoh miq, por edhe të panjohur që po kalojnë momente ankthi, këshilla ime e vetme është: “Shkoni në varreza për njëzet minuta dhe do të shihni që, me siguri, dhimbjet tuaja nuk do të zhduken plotësisht, por pjesa më e madhe po”.
“Çnjerëzorja e jetës më ka shkelur dhe dërrmuar, më ka prerë krahët në mes të fluturimit dhe më ka rrëmbyer të gjitha gëzimet që më takonin”.
“Vdekja është gjëja më solide që jeta ka shpikur deri më tani”.
“Të dështosh në jetën tënde, do të thotë të kesh qasje në poezi – pa mbështetjen e talentit”
“Nëse nuk ka shpëtim përmes çmendurisë, kjo ndodh sepse nuk ka njeri që nuk i frikësohet shkrepjeve të saj të kthjelltësisë. Dikush do të donte kaos, por ka frikë nga ndriçimi i tij”.
“Pleqëria, në fund të fundit, nuk është gjë tjetër veçse ndëshkimi i të jetuarit”.
“Reshtim së qeni marionetë jo nëpërmjet gjeniut, por nëpërmjet vuajtjes dhe vetëm nëpërmjet vuajtjes”.
“Nuk kanë rëndësi autorët që kemi lexuar shumë, por përkundrazi ata për të cilët nuk kemi reshtur së menduari, të cilët kanë qenë të pranishëm në momente thelbësore dhe që me vuajtjen e tyre na kanë ndihmuar të durojmë tonat”.
“Netët që flinim, ishin sikur të mos ekzistonin kurrë. Në kujtesën tonë mbeten vetëm ato net ku nuk kemi mbyllur sy: natë do të thotë natë pa gjumë”.
“Asgjë nuk më duket më absurde, sesa të shkoj diku për të kërkuar mençuri. Nëse nuk e gjej në dhomën time të vogël nën papafingo, sigurisht që nuk do ta gjej në majat e Himalajeve”.
“Të vuash është të prodhosh dije”.
“A është pendimi shenjë e plakjes së parakohshme? Nëse është e vërtetë, unë kam qenë pleqërishte që në lindje”.
“Përderisa njeriu është i pakënaqur me veten, nuk ka humbur gjithçka”.