“Duhet të ketë më shumë sinqeritet dhe mirësi në marrëdhëniet njerëzore, më shumë qetësi dhe thjeshtësi në bashkëveprimet tona. Ji i sertë, kur je i zemëruar, qesh kur diçka është qesharake dhe përgjigju kur të pyesin”.

Trashëgimia e Anton Çehovit shtrihet përtej ekzistencës së tij, duke lënë një ndikim të paharrueshëm në letërsinë dhe teatrin botëror. Kuptimi i thellë i jetës në përgjithësi, në sinkron me aftësitë e shkëlqyera të rrëfimit të historive, siguron që veprat e tij të vazhdojnë të vlerësohen nga breza të ndryshëm autorësh, dramaturgësh dhe artistësh. Duke lexuar tregimet e Çehovit, ne jemi gjithnjë e më afër me shoqërinë e tij. Imagjinata është ajo që e solli atë në vëmendjen e botës dhe e ka mbajtur aty. Nëse Zoti është një romancier, në njëfarë mënyre romancierët janë miniperëndi: ata i sjellin personazhet në jetë, ua ndërlikojnë jetën, i çojnë drejt suksesit ose dështimit, ndonjëherë i vrasin. Në shumë mënyra, një provë vendimtare është edhe Çehovi, ndoshta shkrimtari më i famshëm rus i tregimeve të shkurtra dhe pa dyshim dramaturgu më i njohur i kombit të vet. Shpeshherë Çehovi e shpalli veten ateist. Megjithatë, ai nuk ishte kurrë militant.  Pra, ishte ateist, por më tepër një ateist i devotshëm, lloji më i mirë i ateistit: një pa zell për të argumentuar të tjerët jashtë fesë së tyre, parimi i parë i të cilit ishte “njerëzit nuk duhet të poshtërohen kurrë – kjo është gjëja kryesore”. Midis shkrimtarëve, Çehovi ishte në atë pakicë njerëzish vërtet të mirë. “Shenjtëria ime e shenjtë, – shkroi ai, – është trupi i njeriut, shëndeti, inteligjenca, talenti, frymëzimi, dashuria dhe liria absolute – liria nga dhuna dhe gënjeshtra, pavarësisht se si mund të shfaqen dy të fundit”.  S. Diaghilevit i shkruan: “Kultura moderne është fillimi i një përpjekjeje në emër të një të ardhmeje të madhe, një përpjekje që do të vazhdojë për dhjetëra mijëra vjet, me qëllim që, qoftë edhe vetëm në të ardhmen e largët, njerëzimi të mund ta njohë Zotin e vërtetë, real, d.m.th. pa hamendësuar, pa e kërkuar Atë te Dostojevski, por ta njohë Atë qartë, ta dijë ashtu siç e di se dy herë dy bëjnë katër”. Pikërisht perëndishmëria që mungon në shkrimet e Çehovit i jep trillimit një aureolë misteri, një peshë, një larmi dhe pasuri të paarritshme pa të. Ndoshta edhe njerëzit me talent të jashtëzakonshëm, nuk mund të jenë ateistë. Lidhur me shkrimin, Çehovi njihet gjerësisht si personi që i solli një fytyrë të re tregimeve të shkurtra. Shkrimtarët e mëparshëm përdornin subjekte të ndërlikuara me kthesa dramatike, ndërsa ai mendonte ndryshe. Shumica e rrëfimeve të tij ishin të qeta dhe vetëshqyrtuese në të njëjtën kohë. Personazhet rriten ndërsa flasin përmes këtyre historive, të cilat shpesh kanë të bëjnë me gjëra të zakonshme, që ndodhin rreth nesh çdo ditë. Shumë shkrimtarë kanë rrokur penën, sepse kanë lexuar fjalët e thjeshta të këtij autori, të cilat prekin thellë zemrat, duke i bërë ata të rrëfejnë ndjenjat e tyre të vërteta ndaj të tjerëve më shpesh se më parë.