Me Erion Veliajn që vijon të jetë në qeli prej 10 shkurtit të vitit 2025, Bashkia e Tiranës ka nisur të synohet nga disa emra të rëndësishëm të politikës shqiptare, si në kampin e Partisë Socialiste, ashtu edhe në kampin opozitar.
Fakt është se gjatë zgjedheve të vitit 2027 (mes prillit dhe majit), Erion Veliaj nuk do të jetë më kandidat, paçka se vijon ta ushtrojë detyrën e tij nga qelia e burgut të Durrësit.
Për zgjedhjet e parakohshme të nëntorit 2025, që nuk u zhvilluan kurrë, pasi Kushtetuesja la në fuqi Veliajn si kryebashkiak dhe prishi planet e kryeministrit Rama për të kandiduar me Ogerta Manastirliun, e cila hoqi dorë nga posti si ministre Arsimi; opozita doli në garë me aktorin Florjan Binaj, zyrtarisht si i pavarur.
Tanimë në realpolitikën e vendit kemi një realitet të ri dhe zgjedhjet duket se kanë ndezur ‘’objektivat’’ e kandidatëve të mundshëm. Por le t’i marrim me radhë.
Në kampin e Partisë Socialiste e cila qeveris prej katër mandatesh vendin, Ogerta Manastirliu është emri që vetë Edi Rama e promovoi si kryebashkiake. Me një të kaluar në këtë bashki në fillimet e karrierës së saj, Manastirliu ka mbajtur poste të rëndësishme në qeveri dhe parti. Mjafton të kujtojmë se ajo ka qenë ministre e Shëndetësisë dhe më pas Arsimit.
Mirëpo, brenda PS-së Erion Braçe dëshiron që të jetë ai kandidati i kësaj force politike për bashkinë e kryeqytetit. Deputeti që fitoi mandatin e radhës me listat e hapura në Tiranë, prej kohësh vijon ‘fushatën’ në rrjetet sociale duke qenë në terren më së shumti në Njësinë 5. Ai kurrë nuk e ka fshehur ambicien për rolin e kryebashkiakut, duke bërë kështu me ‘dhimbje koke’ Ramën, që në fund ‘vulos’ se cili do të jetë përballë opozitës.
Ndërkohë në kampin opozitar, Partia Demokratike nuk e qeveris Tiranën që prej vitit 2015, kur Lulzim Basha u mposht nga Veliaj. Mjeku Ilir Alimehmeti ka dalë së fundmi hapur për të qenë ai kandidati i opozitës, mirëpo edhe Florjan Binaj është aty.
Ky i fundi në një intervistë të sotme ka treguar se do të donte të ishte në garë përballë kandidatit të qeverisë.
“Mendoj që kjo është gjëja e duhur që duhet të bëj, jo vetëm unë, por kushdo që ka një kontribut në shoqëri. Kushdo që mendon që ‘enough is enough’ (mjaft është mjaft), kushdo që mendon që ky qytet mund të përmirësohet, ashtu si çdo qytet dhe mund të përmirësohet jo nëpërmjet algoritmit, mund të përmirësohet jo nëpërmjet like-ave, mund të përmirësohet jo nëpërmjet komenteve ‘Bravo shefi, yll shefi, sa i bukur shefi’ e postimeve, por sa do kapim e sa do postojmë”, deklaroi Binaj, duke shpallur kështu kandidaturën.
Me katër kandidatë në garë për vetëm dy ‘bileta’, ‘topi’ do të jetë në dorën e Ramës dhe Berishës për ‘vulën’ finale./ SHEKULLI
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/