Mendi Kabashi, vajza e aktorit të njohur shqiptar Mirush Kabashi, ka hyrë në politikë në Kanada, ku është në garë për një vend në Këshillin Bashkiak të Mississaugas, në Ontario.
Gjatë një interviste për ‘’Kjo Javë’’, Kabashi është shprehur se beson se i ati do të ishte krenar për rrugëtimin që ajo ka zgjedhur, ndërsa theksoi se synon të vijojë trashëgiminë e tij përmes shërbimit ndaj qytetarëve.
“Besoj se do të ishte krenar për mua. Dua ta vazhdoj trashëgiminë e tij duke lënë një emër të mirë, duke qenë në shërbim të qytetarëve dhe t’u shërbej me dinjitet, përulësi dhe devotshmëri, duke prekur jetët e tyre. E bëj këtë jo për një titull apo karrige, por për një qëllim më të madh se vetja ime”, u shpreh ajo.
E pyetur lidhur me protestat që po zhvillohen në Shqipëri, Mendi Kabashi tha se aktualisht nuk e sheh veten të angazhuar drejtpërdrejt në politikën shqiptare.
Megjithatë, ajo theksoi se mbështet të drejtën e qytetarëve për të protestuar dhe për të ngritur zërin për çështjet që i shqetësojnë.
“Jam tërësisht në mbështetje të zërit të qytetarëve, sidomos për faktin që unë për këtë kam nisur këtë rrugëtim, për ta sjellë këtu zërin e qytetarëve shqiptarë, apo kudo nga vijnë, nga çfarëdo lloj ngjyre, besimi apo backgroundi, domethënë më afër bashkisë. Ky është qëllimi im kryesor”, deklaroi Kabashi.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/