TIRANË- Debati për pagat e gjyqtarëve pritet të marrë një zgjidhje në Kuvend, pas mosmarrëveshjeve të krijuara lidhur me mënyrën e zbatimit të kuadrit ligjor për pagat e sistemit të drejtësisë.
Lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe ministri i Drejtësisë Toni Gogu, i cili ka pranuar se ekziston një boshllëk ligjor që ka sjellë paqartësi në trajtimin e pagave të gjyqtarëve.
Sipas tij, mosmarrëveshja do të adresohet në mënyrë institucionale dhe zgjidhja do të kërkohet përmes ndërhyrjes së Kuvendit.
Çështja e pagave të gjyqtarëve është veçanërisht e ndjeshme për shkak të statusit të veçantë të magjistratëve dhe nevojës për të garantuar një trajtim të përcaktuar qartë nga ligji.
Debati lidhet me interpretimin dhe zbatimin e dispozitave ligjore që përcaktojnë pagat dhe përfitimet financiare të gjyqtarëve, ndërsa institucionet po shqyrtojnë mënyrën se si do të kapërcehet paqartësia e krijuar.
Ministri deklaroi se çështja nuk do të lihet pezull dhe se mosmarrëveshja pritet të zgjidhet në Kuvend, përmes përcaktimeve të qarta ligjore.
“ Do ta nisim nga një parim që është shumë i rëndësishëm: paraja publike është para e qytetarëve, nuk është e qeverisë, dhe çdo qindarkë e buxhetit të shtetit duhet të ketë një autorizim ligjor për t’u shpenzuar. Ky është një parim jashtëzakonisht i rëndësishëm, për të gjithë, vlen për të gjithë njësoj. Buxheti i shtetit ka një ligj të posaçëm, i cili gjithashtu është i njëjtë për të gjithë, kështu që këtë përgjegjësi që qytetarët presin nga ne për zbatimin e ligjit të buxhetit dhe për shpenzimin e parasë publike do të jetë një gjë që do ta mbrojmë pa hezitim, njëkohësisht dhe pa asnjë kundërshtim.
Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të zbatueshme, janë të detyrueshme për t’u zbatuar, nuk negociohen, nuk relativizohen dhe e them këtë pasi për mua kjo nuk është zgjedhje, për mua kjo është thelbi i detyrës sime. Pra, vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve është i detyrueshëm për t’u zbatuar nga çdo institucion.
Tani të themi troç dhe qartë atë gjënë ku janë ngatërruar gjërat. Përgjegjshmëria ndaj buxhetit të shtetit dhe zbatimi i i vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk janë në luftë me njëra-tjetrën, përkundrazi kërkojnë të njëjtën gjë: autorizimin e qartë ligjor për ta zbatuar. Pra, këtu na është krijuar dhe problemi. Pikërisht te boshllëku ligjor dhe është boshllëku ligjor shkak i situatës në të cilën ne ndodhemi sot. Kemi arritur këtu se na mungon baza ligjore për formulën e pagës së magjistratëve, të cilën Gjykatës Kushtetuese e shfuqizoi dhe, në mungesë të kësaj formule dhe në mungesë të autorizimit ligjor, Ministri i Financave është në pamundësi për ta zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ndaj nevojitet që kjo mospërputhje të mundet të plotësohet tërësisht në Kuvend me ligj dhe nuk do kemi asnjë ekuivok nga kjo gjë. Prandaj, në sesionin parlamentar, që nis të martën, ky boshllëk ligjor do të plotësohet.
Detyra ime është që kjo të bëhet shpejt dhe të bëhet sa më shpejt.Zgjidhja nuk është që institucionet të përplasen, zgjidhja është në Kuvendin e Shqipërisë, në ditët në vijim. Ky do jetë drejtimi ynë dhe ky është dhe roli im për ta zgjidhur këtë mosmarrëveshje njëherë e përgjithmonë“, u shpreh Gogu gjatë fjalës së tij në konferencën për shtyp.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/