
Gjatë gjithë fëmijërisë së saj, Lea Ypi e dinte se prindërit e saj “flisnin fshehurazi”.
“Gjatë gjithë fëmijërisë kishte mistere të fshehta në familje”, kujton ajo.
Ypi, autorja e “Të lirë” të vitit 2021, dhe, së fundmi, e librit “Të poshtëruarit”, ishte 11 vjeçe kur komunizmi në Shqipëri ra dhe vetëm më vonë mësoi për vuajtjet që gjyshërit e saj kishin përjetuar nën regjimin stalinist të Enver Hoxhës.
“Unë rritesha si një vajzë në një sistem komunist dhe që beson në të. Ishte tabu në familje, ndërsa kuptoja se kishte diçka në familjen time që nuk ishte ashtu siç unë e shikoja”, tha Ypi në një intervistë për BIRN gjatë një vizite në Prishtinë e ftuar si ligjëruese në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.
“Por ata nuk flisnin për këto tema, ishte tabu në familje, nuk thuhej se gjyshi ka qenë në burg”, shpjegoi ajo.
“Pasojat e këtyre persekutimeve familjare barteshin edhe tek brezat e ri, ndaj ishte diçka që s’mund të thuhej apo flitej haptazi.”
Kur Ypi gjeti në internet një fotografi të vjetër të gjyshërve të saj, duke shijuar muajin e mjaltit në një resort italian në vitin 1941, ajo filloi të hulumtonte prejardhjen e saj, duke i lidhur fijet e historisë në librin “Të poshtëruarit”, të botuar vitin e kaluar nga Penguin Books.
“Një pjesë e librit është një sagë familjare, e cila tregon historinë e gjyshes sime,” tha Ypi. “Është një histori filozofike mbi kuptimin moral dhe politik të njerëzimit, si dhe një lloj historie politike e Ballkanit, që nga rënia e perandorive deri te rënia e komunizmit, për të folur mbi pasojat që ndryshimi i sistemeve ka në jetën e njerëzve.”
“Mendimtare e shquar politike”


Në fund të gushtit, Ypi u nderua me Çmimin Hannah Arendt për Mendimin Politik për vitin 2026 nga Instituti për Shkencat Njerëzore me seli në Vjenë, një çmim që vlerëson individët që kontribuojnë në mendimin dhe veprimin politik në traditën e historianes dhe filozofes gjermano-amerikane.
Juria e vlerësoi Ypin si “një nga mendimtaret politike më të shquara të kohës sonë”, tha IËM, “duke theksuar aftësinë e saj për të vënë reflektimin filozofik në dialog me përvojën politike dhe historike”.
E lindur në Shqipëri, ajo u largua në vitin 1997, kur vendi ishte në kthetrat e trazirave civile. Pas emigrimit në Itali, Ypi u diplomua për Filozofi dhe Letërsi në Universitetin La Sapienza të Romës.
Tashmë 46 vjeçe, Ypi është Profesore Ralph Miliband e Politikës dhe Filozofisë në London School of Economics and Political Science dhe anëtare e Akademisë Britanike.
Gjyshja e saj, Lemani, kishte lënë pas një jetë aristokratike në Selanik, Greqi, për t’u martuar me gjyshin e Ypit, Asllanin.
Por me ardhjen e komunizmit në Shqipëri në fund të Luftës së Dytë Botërore, Asllani u dënua me 15 vjet burg për “agjitacion, propagandë dhe bashkëpunim me anglo-amerikanët”, si pjesëtar i Grupit të Deputetëve, një grup prej 24 parlamentarësh dhe intelektualësh antikomunistë.
Gjyshja e saj, Lemani, u detyrua të punonte në një kooperativë bujqësore shtetërore, një nga ndërmarrjet e kolektivizimit të detyruar rural të Hoxhës, të krijuara pas shfuqizimit të pronësisë private mbi tokën.
“Ajo kishte ardhur këtu vetëm, si e re, për të jetuar në Tiranë, për të kërkuar jetën dhe pavarësinë e saj,” tha Ypi.
“Jeta e gjyshit dhe gjyshes sime është një mënyrë për të reflektuar konceptin e dinjitetit. ‘Ta ruash atë edhe në rrethana politike ekstreme, kur çdo gjë është kundër individit’”.
Lufta e shqiptarëve të Kosovës për liri dhe barazi
E pyetur nëse sot ndihet e barabartë, duke jetuar në Britani dhe duke dhënë mësim në një nga universitetet më prestigjioze të vendit, Ypi u përgjigj:
“Unë them se asnjë person nuk është përfundimisht i lirë apo i barabartë në një shoqëri që nuk është e barabartë për të gjithë. Sigurisht, ka aspekte të integrimit që janë të pranishme dhe shumë të rëndësishme, por ka edhe aspekte të tjera ku ne nuk jemi të barabartë, sepse flasim një gjuhë tjetër; për shembull, unë nuk kam të njëjtën aftësi shprehëse në anglisht.”
“Gjithmonë ka dimensione të pabarazisë që të shoqërojnë gjatë gjithë jetës, pavarësisht nga barazitë që gjen”, shtoi ajo.
Duke folur për kuptimin e lirisë, Ypi thotë se ajo ka dy dimensione: një të brendshëm, që lidhet me përgjegjësinë morale të individit, dhe një të jashtëm, që garantohet nga institucionet.
“Hapësira mes tyre-një liri si ideal dhe ideologji është ajo pjesa kritike që i bënë aktivistet e intelektualet të luftojnë për liri”.
Si shembull, Ypi përmendi rezistencën e shqiptarëve të Kosovës ndaj represionit të ushtruar nga Serbia nën regjimin e Sllobodan Millosheviçit në vitet 1990, e cila kulmoi me çlirimin e Kosovës në vitin 1999 me ndihmën e NATO-s.
“Është pikërisht kjo përgjegjësi, kjo ndjenjë e përgjegjësisë morale, kjo njohje e lirisë së brendshme, që e ka shtyrë rezistencën kosovare të luftojë, të kërkojë këtë dinjitet dhe këtë njohje nga pjesa tjetër e botës, dhe është gjithashtu një shembull shprese për të gjithë ata që, në kushte shumë represive, luftojnë dhe ndonjëherë shkurajohen, sepse thonë se nuk ia vlen të luftosh për lirinë, ndërkohë që të tjerët e kanë atë në duart e tyre”, tha Ypi.
Protestat shqiptare “ndryshojnë diçka”, por s’mund të ndryshojnë gjithçka


Në një opinion të botuar në The Guardian në qershor, Ypi vlerësoi protestat e vazhdueshme në Shqipëri kundër shkeljeve të rregullave nga qeveria dhe shpërfilljes së mbrojtjes së mjedisit, në përpjekjen për të miratuar lejet për ndërtimin e komplekseve turistike luksoze në bregdetin e vendit, një projekt i lidhur me dhëndrin e Donald Trump, Jared Kushner.
Gati tre muaj pas fillimit të të ashtuquajturit Revolucioni i Flamingove, numri i protestuesve është pakësuar, por njerëzit ende dalin për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, pas 13 vitesh në pushtet.
Ypi shprehu kujdes lidhur me rezultatin përfundimtar. Ndërsa protesta të tilla “ndryshojnë diçka”, tha ajo, “nuk duhet të presim që një protestë të ndryshojë gjithçka”.
“Është e rëndësishme të rigjenerohet një vullnet demokratik dhe, për mua, protestat që gjenerojnë këtë vullnet demokratik janë shumë të rëndësishme dhe duhet të mbështeten, duke qenë njëkohësisht të vetëdijshëm për kufizimet e këtyre lloj protestash në të gjitha vendet e botës.”
Me “Të lirë” dhe “Të poshtëruar” të përkthyera në më shumë se një duzinë gjuhësh të ndryshme, Ypi tha se po punon për një libër të tretë.
“Ky është më shumë një rrëfim për emigracionin sesa për familjen”, tha ajo. “Libri fillon aty ku përfundon libri ‘Të lirë’ dhe flet për përpjekjet e emigrantëve për integrim të barabartë në shoqërinë në të cilën kanë emigruar.”
“Sigurisht, disa nga historitë janë personale, por si gjithmonë, është një ndërthurje e historive personale me filozofinë dhe historinë politike të Evropës, në këtë rast, në fund të viteve 1990 dhe në fillim të viteve 2000.”







