
Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP e ka pasur të pamundur që gjatë dy seancave plenare të fundit të zhvilluara më 28 gusht dhe të enjten më 3 shtator, të shqyrtojë një kërkesë të aplikantit për pozicionin e Prokurorit të Përgjithshëm, Ylli Pjetërnika për përjashtimin e anëtarit Vatë Staka nga procedura e përzgjedhjes së kandidatëve, me argumentimin se kur ka qenë drejtuesi i Prokurorisë Shkodër, ka filluar hetim kryesisht ndaj këtij anëtari të këshillit, për falsifikim të akteve procedurale.
Përplasja mes anëtarëve për pretendime konflikti interesi në shqyrtimin e kërkesave për përjashtim, bëri që KLP të mos vijonte me shqyrtimin e çështjes së rendit të ditës, atë të shqyrtimit të kërkesës së prokurorit Pjetërnika për përjashtimin e Stakës, ndërsa mbledhja u shty për mungesë kuorumi.
Në seancën e 28 gushtit, anëtari Vatë Staka kërkoi përjashtimin e kolegut Zeqir Hodo nga procesi i shqyrtimit të kërkesës së Pjetërnikës. Staka pretendoi se Hodo gjendej në konflikt interesi, pasi kishte pasur komunikime me Pjetërnikën edhe pasi ai ishte larguar nga pozicioni i këshilltarit pranë KLP-së. Anëtari Sokol Stojani e cilësoi kërkesën e Stakës të hartuar në mënyrë sintetike e të argumentuar dhe propozoi që të shqyrtohej fillimisht kërkesa e tij për përjashtimin e Hodos, e më vonë ajo e Pjetërnikës. Ky qëndrim i Stojanit, u cilësua nga Hodo si arsye për përjashtimin e tij. Ndërkohë, kërkesat zinxhir u përmbyllën me kërkesën e Stojanit për përjashtimin e kryetares Mirela Bogdani, me pretendimin se ajo kishte nënqeshur.
Stojani lexoi të enjten një sërë pretendimesh përjashtimin e Bogdanit, duke u shprehur se ajo kishte qenë e njëanshme në qëndrimet e saj në favor të Hodos, gjë që u kundërshtua prej saj. Ai kërkoi që shqyrtimi i kërkesave për përjashtim, të fillohej nga ai i kryer prej tij ndaj kryetares Bogdani dhe i fundit ai i Pjetërnikës ndaj Stakës. Sipas tij, vetëm nëse shqyrtoheshin kërkesat në këtë formë, do të ishte e mundur të konstatohej se cilët prej anëtarëve do të mundeshin të ishin pjesë e kuorumit për shqyrtimin e kërkesës së Pjetërnikës ndaj Stakës.
Ndërkohë, Hodo evidentoi se Staka nuk kishte vendosur në dispozicion kërkesën me shkrim për përjashtimin e tij dhe se, në këto kushte, nuk kishte pasur mundësi të hartonte një qëndrim.
Diskutimet dhe debatet vijuan për rreth dy orë, por pa arritur një zgjidhje. Anëtari Erion Fejzulla konstatoi se kërkesat ishin abuzive dhe se, në këto kushte, ishte i detyruar të largohej nga salla. “Do marr pjesë në veprimtari të ligjshme dhe jo të paligjshme të këshillit. Nuk lejoj që kërkesa abuzive të më përfshijnë në vendimarrje të paligjshme”, deklaroi Fejzulla dhe u largua nga mbledhja.
Për shqyrtimin e kërkesave, paraqitja e të cilave u përmbyllën të enjten, KLP iu referua një praktike të seancës së mëparshme, ku në shqyrtimin dhe vendimarrjen për një kërkese për përjashtim, nuk kanë marrë pjesë anëtari ndaj të cilit është kërkuar përjashtimi, si dhe ai që e ka kërkuar. Të tre anëtarët për të cilët u kërkua përjashtimi prej kolegëve të tyre, Zeqir Hodo, Sokol Stojani dhe Mirela Bogdani, u larguan që t’u jepej mundësia anëtarëve të tjerë që t’i shqyrtonin ato.
Për arsye të largimit më parë të anëtarit Erion Fejzulla dhe mungesës së anëtares Arta Mandro, në sallë mbetën gjashtë prej 11 anëtarëve të KLP-së, duke mos u arritur të krijohej kuorumi i nevojshëm prej shtatë anëtarësh, për të vijuar mbledhjen për shqyrtimin e kërkesave të përjashtimit.
Kjo situatë solli shtyrjen e seancës për të premten, në orën 09:00.
Tjetër shqetësim që u ngrit të enjten lidhur me afatet e procedurës për përzgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm të Ri, ishte edhe mosdërgimi pranë ILDKPKI, i akteve të dorëzuara nga kandidatët për verifikimin e pasurisë.
Anëtarja Ledina Riza vërejti se ILDKPKI nuk ka filluar ende një verifikim, kur kanë mbetur edhe vetëm 12 dikë kohë. Ajo nënvioi se duhet të dorëzohen sa më shpejtë, që të mundësohet vlerësimi i plotësimit të kritereve ligjore të kandidatëve. “Ti dërgojmë që të respektojmë afatin, aq sa mundet tashmë”, tha Riza.
Propozimi u vendos në qendër të diskutimeve, ku disa prej anëtarëve dolën nga salla duke kërkuar të lajmëroheshin kur të fillohej me rendin e ditës. Të tjerë anëtarë vërejtën se nuk kishte nevojë për vendimarrje dhe u konsiderua që kërkesa ti nënshtrohet vetëm diskutimeve.
Për pozicionin e Prokurorit të Përgjithshëm, me një mandat 7-vjeçar janë futur në garë prokurori i SPAK, Adnan Xholi; ish-Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku; prokurorja pranë Eurojust, Fatjona Memçaj dhe prokurorët e Tiranës, Rovena Zoto e Ylli Pjetërnikaj.







