
Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, GJEDNJ, i dha të drejtë Sekretarit të Përgjithshëm të Gjykatës Kushtetuese, Eugen Papandile, duke konstatuar shkelje në vendimmarrjen e institucioneve të vetingut, që caktuan ndaj tij ndalimin për t’u emëruar në disa funksione në sistemin e drejtësisë për një periudhë 15-vjeçare. GJEDNJ e vlerëson masën joproporcionale dhe se ka cenuar të drejtën e tij për respektimin e jetës private, sipas nenit 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Gjatë procesit në shkallën e parë të vetingut, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK, konstatoi se Papandile, i cili më herët kishte qenë këshilltar ligjor pranë Gjykatës Kushtetuese, nuk i ishte përgjigjur një pyetësori, si dhe kishte pretenduar se ai nuk ishte subjekt rivlerësimi, me argumentin se në vitin 2017 ishte emëruar Sekretar i Përgjithshëm, që ishte pozicion nëpunësi civil.
Por, sipas Komisionit, pranimi nga Papandile i detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm dhe heqja dorë nga të qenit këshilltar ligjor ishte ‘de facto’ dorëheqje. KPK arsyetoi se, pas hetimeve dhe pas disa përgjigjeve të Papandiles, në të cilat ai thoshte se nuk ishte subjekt rivlerësimi, dukej se në rastin e tij duhej të zbatohej neni G i Kushtetutës, që parashikon se, në rast dorëheqjeje, subjekti përjashtohet për 15 vjet nga mbajtja e funksioneve në sistemin e drejtësisë.
Vendimi u la në fuqi me shumicë votash edhe nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Gjyqtarja në pakicë, Natasha Mulaj, paraqiti mendim kundër, duke konsideruar se aplikimi për postin e Sekretarit të Përgjithshëm nuk mund të barazohej automatikisht me një dorëheqje të qartë që do të aktivizonte pasojat e nenit G të Aneksit të Kushtetutës për sanksionin. Ajo konstatoi se Papandile kishte kërkuar me qartësi përfundimin e çështjes pa ndalimin 15-vjeçar ose vazhdimin e procesit të vetingut dhe të hetimit administrativ. Sipas Mulajt, kjo përbënte një kërkesë reale të subjektit për t’iu nënshtruar vetingut dhe se KPA duhej të vijonte me këtë proces.
GJEDNJ vëren se masa të tilla si mospranimi në një profesion ose masa të tjera të pafavorshme mund të ndikojnë në aspekte të ndryshme të jetës private, përfshirë edhe mundësinë për të zhvilluar marrëdhënie profesionale apo reputacionin profesional.
Megjithëse neni 8 i Konventës nuk garanton në vetvete një të drejtë për t’u emëruar në një post në shërbimin publik, Strasburgu vlerëson se masa ka pasur pasoja serioze në jetën e tij private.
Sipas Strasburgut, Papandile, me marrjen e postit të Sekretarit të Përgjithshëm në Gjykatën Kushtetuese, synonte të përparonte në karrierë në të njëjtën gjykatë, në një pozicion të lartë administrativ. Për këtë arsye, vlerësohet se ai mbeti brenda sistemit të drejtësisë, duke u gjendur në një situatë të ndryshme nga subjektet e rivlerësimit që ishin larguar nga pozicionet e tyre dhe ndaj të cilëve ishte ndërprerë procedura e vetingut.
“Në praktikë, kërkuesi u penalizua sepse kishte ndjekur përparimin në karrierë brenda së njëjtës gjykatë, në një kohë kur procedurat e vetingut zgjatën disa vite dhe vetingu i këshilltarëve ligjorë nuk konsiderohej prioritet”, konstaton GJEDNJ dhe vlerëson se ndalimi i caktuar nga institucionet e vetingut tejkalonte efektet normale të rregullimit të shërbimit publik, megjithëse Papandile vijoi të punonte në një nivel të lartë.
Sipas Strasburgut, ndalimi 15-vjeçar ndikon drejtpërdrejt në mundësinë e Papandiles për të zhvilluar identitetin profesional dhe perspektivat e karrierës.
Këto rrethana çmohen se kanë një nivel serioziteti të mjaftueshëm për të aktivizuar të drejtën e Papandiles për respektimin e jetës së tij private.
Për rrjedhojë, GJEDNJ vlerëson se vendimi i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit ka ndërhyrë në të drejtën e Papandiles për respektimin e jetës private.
“Në çdo rast, ndërhyrja nuk është provuar se ka qenë proporcionale me qëllimet legjitime të ndjekura”, citohet në vendimin e GJEDNJ-së dhe nënvizohet se skema e vendosjes së sanksionit për shkak të dorëheqjes synonte të parandalonte që subjektet e rivlerësimit, të cilët largoheshin nga një pozicion në sistemin e drejtësisë, të riktheheshin duke iu shmangur vetingut.
Bazuar në faktin se GJEDNJ konstaton shkelje të nenit 8 të Konventës, vlerësohet se është e përshtatshme rihapja e procedurave të vetingut, ashtu si në çështjen e prokurores Antoneta Sevdari.
Strasburgu konstaton se, pas përfundimit të mandateve të institucioneve të vetingut, sipas përcaktimeve kushtetuese, çështjet e papërfunduara për rishikim shqyrtohen nga Gjykata Kushtetuese. Sipas GJEDNJ-së, nëse Papandile kërkon rihapjen e çështjes, ajo duhet të rishqyrtohet në përputhje me kërkesat e nenit 8 të Konventës.
Për shkak të shkeljes së konstatuar, Papandiles i akordohet shpërblim në vlerën 3,000 euro si dëm jopasuror. Ndërkohë, është rrëzuar kërkesa tjetër e Papandiles për shpërblim të drejtë.







