
Vitin e kaluar, gjatë vizitës së tij vjetore në Korfuz, Giorgos Kontarinis fotografoi shezlongë, një pedalone dhe objekte të ndryshme të tjera në fundin e detit pranë Imerolias, një fshat në pjesën veriore të ishullit.
Si zhytës i apasionuar, këtë vit ai vendosi ta shihte sërish atë zonë.
“Shkova të notoja në vendin ku kisha gjetur mbeturinat verën e kaluar, sepse doja të shihja nëse dikush kishte marrë mundimin t’i pastronte”, tha 59-vjeçari Kontarinis, fotoreporter në agjencinë kryesore greke të fotografisë së shtypit, Eurokinissi.
“U trondita kur pashë përsëri të njëjtën pamje.”
Pamje të tilla po bëhen gjithnjë e më të zakonshme në resortet turistike në të gjithë Greqinë.
“Po flasim për landfille detare”, tha Giorgos Sarelakos, drejtuesi i organizatës vullnetare mjedisore Aegean Rebreath.
Që nga viti 2017, Aegean Rebreath ka organizuar operacione për pastrimin e funddetit në mbi 60 zona në të gjithë vendin; ajo ishte gjithashtu nismëtare e Rrjetit të Bashkive Blu (Blue Municipalities Netëork), rrjeti i parë i përbërë nga bashki lokale për mbrojtjen e mjedisit detar.
Sipas George Papatheodorou, profesor dhe drejtor i Oceanus-Lab në Departamentin e Gjeologjisë të Universitetit të Patrës, në Peloponez, plastika përbën pjesën më të madhe të mbetjeve.
Më shqetësuesja është se pjesë të mëdha të funddetit grek mbeten “në thelb të paeksploruara”, paralajmëroi ai.
Plastika detare nuk njeh kufij


Kërkimet e kryera nga Oceanus-Lab në tre gjire greke – Saronik, Termaik dhe Patraik, të cilët lidhen përkatësisht me qendrat më të mëdha urbane të Athinës, Selanikut dhe Patrës – tregojnë se këto tri zona janë nën presionin më të madh për sa i përket mbetjeve detare.
Rezultatet e studimit, i kryer në bashkëpunim me Fondacionin Bamirës Athanasios C. Laskaridis, tregojnë se në Gjirin Saronik gjenden mesatarisht 12.145 objekte për kilometër katror, ndërsa në disa “zona të nxehta” lokale kjo shifër arrin deri në 240.000 objekte/km².
Gjiri Termaik po mbytet nga deri në një milion objekte/km², ndërsa Gjiri Patraik ka një dendësi shumë më të ulët, rreth 500 objekte/km².
Në përgjithësi, përqendrimet më të larta gjenden në ujëra të cekëta, në thellësi prej rreth 25–50 metrash.
“Çdo det ka gjurmën e vet të ndotjes, e cila pasqyron aktivitetet njerëzore në tokë dhe në det, por edhe mekanizmat natyrorë që transportojnë dhe, në fund, grumbullojnë mbetjet në fundin e detit”, tha Papatheodorou.
Megjithatë, ai shtoi se “ndotja e detit nga plastika nuk njeh kufij gjeografikë apo batimetrikë”.
Vitin e kaluar, një ekip ndërkombëtar shkencëtarësh raportoi se fundi i zonës më të thellë të Mesdheut, Humnera e Kalipsos, 5,122 metra e thellë, në detin Jon, ishte i mbuluar me mbetje të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor, me përqendrime ndër më të lartat e regjistruara ndonjëherë në një mjedis të thellë detar. Plastika përbënte 88 për qind të artikujve të identifikuar të mbetjeve.
Basenet e thella dhe malet nënujore mund të shërbejnë si “marrësit dhe kurthet përfundimtare të mbetjeve detare”, tha Dr. Konstantina Kouvara, biologe e mbetjeve detare dhe bashkëpunëtore shkencore në Oceanus-Lab.
Papatheodorou, i cili ishte koordinatori grek i studimit, tha se do të ishte “e pritshme” që përqendrime të ngjashme të gjendeshin edhe në basene të tjera të thella të deteve Egje dhe Jon.
“E ndoshta ky është mesazhi më shqetësues: edhe pjesët më të thella dhe më të largëta të hapësirës detare greke nuk janë të mbrojtura nga gjurma njerëzore”, i tha ai BIRN.
Pastrimi i funddetit: i kushtueshëm dhe kompleks


Në vitin 2019, zhytës vullnetarë nga Aegean Rebreath zbuluan se mbetjet nga një landfill i paligjshëm në ishullin grek të Androsit, në arkipelagun e Cikladeve, kishin përfunduar në det. Mes tyre kishte edhe qese plastike, të cilat ende sot gjenden në një thellësi prej 20 metrash.
Sipas Sarelakos, drejtuesit të Aegean Rebreath, zona e prekur ka një perimetër prej rreth 1,648 metrash dhe një sipërfaqe totale prej 157,55 hektarësh.
Mbetjet përfunduan në det kur landfilli, i cili ndodhej 160 metra mbi nivelin e detit dhe rreth 850 metra larg bregut, u shemb si pasojë e reshjeve të dendura në vitin 2011.
Megjithatë, operacionet e pastrimit janë larg së qenit të thjeshta.
Një objekt që ka qëndruar për shumë vite në fundin e detit mund të jetë kolonizuar nga organizma, tha Kouvara. Nxjerrja e pakontrolluar e tyre, në disa raste, mund të shkaktojë një shqetësim fizik edhe më të madh.
“Pastrimi duhet të jetë i synuar dhe të planifikohet mbi baza shkencore”, tha ajo.
Këto operacione nuk janë të lira për t’u realizuar dhe, në rastin e thellësive më të mëdha, kërkojnë mjete të specializuara nënujore, si edhe anije të përshtatshme kërkimore ose mbështetëse. Sa më thellë të ndodhen mbetjet, aq më kompleks dhe i kushtueshëm bëhet pastrimi.
“Në thellësi prej qindra apo mijëra metrash, pastrimi sistematik i sipërfaqeve të mëdha bëhet praktikisht jashtëzakonisht i vështirë dhe financiarisht i papërballueshëm”, tha Papatheodorou.
Për shembull, për operacionet në thellësi më të mëdha se 1,000 metra, vetëm kostoja e anijeve mund të kalojë 29,000 euro në ditë.
Në Greqi, nuk ekziston një institucion i vetëm që të ketë përgjegjësinë ekskluzive për mbledhjen e mbetjeve nga fundi i detit.
“Veprimet dhe nismat për nxjerrjen e mbetjeve ose pajisjeve të peshkimit zbatohen në mënyrë të decentralizuar nga organe të ndryshme”, tha Ministria Greke e Çështjeve Detare dhe Politikës Ishullore për BIRN, duke shtuar se ajo “nuk ka një bazë të dhënash qendrore apo një regjistër të centralizuar të pikave specifike të ndotjes në hapësirën detare greke”.
Ministria Greke e Mjedisit nuk iu përgjigj kërkesave për koment.
Plastikat njëpërdorimëshe: burimi kryesor i mbetjeve detare


Në rastin e objekteve të filmuara nga Kontarinis pranë Imerolias, autoritetet vepruan vetëm pasi ai publikoi fotografitë për të dytin vit radhazi.
Më 13 gusht, disa ditë pas publikimit të fotografive, Bashkia e Korfuzit të Veriut nisi një operacion pastrimi.
Sipas një raportimi të transmetuesit publik ERTneës, nga një thellësi prej pesë metrash u nxorën 12 shezlongë, katër çadra plazhi, një pedalone dhe tetë goma makinash.
Që nga viti 2017, Aegean Rebreath ka nxjerrë gjithsej rreth 350 tonë mbetje, nga të cilat 70 për qind përbëhen nga plastika.
Llojet kryesore të mbetjeve që gjenden në detet greke janë plastikat njëpërdorimëshe, si shishet, qeset dhe ambalazhet ushqimore, si edhe pajisjet e braktisura të peshkimit, të tilla si rrjetat dhe fijet e peshkimit.
“Ngado që kemi shkuar, kemi nxjerrë rrjeta të braktisura”, tha Sarelakos.
Rreth 80 për qind e këtyre mbetjeve vijnë nga aktivitetet në tokë, “për shkak të mbikonsumit të ambalazheve plastike njëpërdorimëshe dhe menaxhimit të pamjaftueshëm të mbetjeve”, tha Smaragda Skoulou, menaxhere e komunikimit në zyrën greke të organizatës mjedisore globale Greenpeace.
“20 për qindëshi i mbetur vjen nga aktivitetet detare, kryesisht nga peshkimi tregtar, transporti detar dhe turizmi detar”, tha Skoulou për BIRN.
Plastikat mbeten në mjedisin detar për shekuj, duke u shpërbërë në mikroplastika dhe duke çliruar substanca toksike që dëmtojnë kafshët detare dhe, përmes zinxhirit ushqimor, mund të ndikojnë edhe në shëndetin e njeriut.
Riciklimi i plastikës nuk është një zgjidhje e përshtatshme


Mënyra më efektive për ta trajtuar problemin nuk është pastrimi i mbetjeve nga fundi i detit, por parandalimi i hyrjes së tyre në det që në radhë të parë, thanë ekspertët për BIRN.
“E vetmja zgjidhje e vërtetë dhe e qëndrueshme është parandalimi”, tha Skoulou.
Greqia ka ndërmarrë disa hapa pozitivë, si zbatimi në vitin 2020 i direktivave evropiane për eliminimin e disa produkteve plastike njëpërdorimëshe (p.sh. gotave dhe pjatave), si dhe vendosja e një tarife prej 0,3 eurosh për qeset plastike në vitin 2017.
Një raport i Komisionit Evropian, i publikuar në qershor 2026, konstatoi se, pavarësisht investimeve të konsiderueshme në infrastrukturën e menaxhimit të mbetjeve, Greqia riciklon vetëm 17,4 për qind të mbetjeve bashkiake (krahasuar me mesataren prej 48 për qind në BE).
Për më tepër, përdorimi qarkullues i materialeve në Greqi u rrit deri në vitin 2022, kur arriti kulmin në 6,3 për qind, por më pas ra në 5,2 për qind në vitin 2024, shumë poshtë mesatares së BE-së prej 12,2 për qind.
“Masat mbeten të fragmentuara, pasi vendi i kushton shumë rëndësi riciklimit të pamjaftueshëm ose ‘pseudo-zgjidhjeve’ (siç është thjesht zëvendësimi i plastikës me letër ose me produkte bioplastike njëpërdorimëshe), ndërkohë që mungojnë kontrollet e përshtatshme të tregut dhe objektivat për ekonominë qarkulluese”, tha Skoulou.
Ekspertët argumentojnë se riciklimi i plastikës nuk është një zgjidhje e përshtatshme.
Ajo që mungon, tha Skoulou, është “një plan kombëtar gjithëpërfshirës dhe thelbësor”, pa “boshllëqe ligjore”, i cili do të impononte reduktimin e prodhimit dhe përdorimit të plastikës njëpërdorimëshe dhe kalimin drejt sistemeve të ripërdorimit dhe rimbushjes.
Përtej këtyre masave, përgjegjësia bie edhe mbi kompanitë që prodhojnë dhe tregtojnë plastika njëpërdorimëshe, të cilat duhet të ndryshojnë modelet e tyre të ambalazhimit dhe të mbulojnë koston e rehabilitimit mjedisor, tha Skoulou.
Sarelakos tha se zgjidhjet duhet të nisin nga shoqëria.
“Politikat evropiane dhe kombëtare kanë rezultuar të jenë shumë të pamjaftueshme”, tha ai për BIRN.
“Asgjë nuk mund të bëhet nëse aktorët vendorë nuk e kuptojnë vlerën e detit.”







