
Operatorët e transportit publik në Tiranë kanë paralajmëruar reduktimin e numrit të autobusëve në qarkullim, duke pretenduar se kompensimi financiar i parashikuar për përballimin e kostove të shërbimit nuk është disbursuar plotësisht.
Qëndresa Qytetare, QQ, tha të martën se reduktimi i flotës do të rëndonte më tej një sistem transporti që, sipas saj, vuan tashmë nga vonesat, mbipopullimi dhe amortizimi i mjeteve.
Sipas organizatës, paralajmërimi i operatorëve vjen në kushtet e rritjes së kostove të operimit, të ndikuara veçanërisht nga çmimi i karburantit.
“Gjithçka nisi me rritjen e çmimit të naftës, që sot ka shkuar në 220 lekë për litër, çmimi më i lartë i regjistruar ndonjëherë që nga fillimi i vitit 2026,” deklaroi Armela Duka, analiste e politikave publike pranë Qëndresës Qytetare.
“Lidhur me këtë situatë, operatorët e shërbimit të transportit publik kanë reaguar dhe paralajmëruar se do të ketë një reduktim të flotës, kjo e arsyetuar me faktin se kompensimi financiar i premtuar nga institucionet përgjegjëse nuk është disbursuar plotësisht,” shtoi ajo.
Sipas QQ-së, shkurtimi i flotës së autobusëve do të sjellë kohë më të gjata pritjeje në stacione, mbipopullim dhe vonesa për mijëra qytetarë që mbështeten çdo ditë te transporti publik për të shkuar në punë, shkollë apo për të marrë shërbime.
Organizata argumenton se edhe me kapacitet të plotë, flota aktuale e mjeteve të transportit nuk është e mjaftueshme për nevojat e kryeqytetit. Një anketë e zhvilluar prej saj gjeti se 77.8 për qind e qytetarëve të pyetur raportojnë vonesa të vazhdueshme në stacione, me kohë pritjeje mesatarisht 10 deri në 20 minuta.
Sipas të njëjtës anketë, 92.4 për qind e të pyeturve deklarojnë se pritja e gjatë është kthyer në burim stresi të përditshëm, ndërsa 80.3 për qind raportojnë se udhëtojnë me autobusë të mbipopulluar.
Organizata nuk dha në deklaratë hollësi mbi madhësinë dhe metodologjinë e kampionit të anketës.
QQ ngriti gjithashtu shqetësime mbi amortizimin e flotës, duke pretenduar se disa nga autobusët në përdorim në kryeqytet janë në qarkullim prej 22 vitesh.
Në këto kushte, organizata paralajmëroi se reduktimi i mëtejshëm i numrit të mjeteve mund të përkeqësojë cilësinë e shërbimit dhe të kufizojë lëvizshmërinë e qytetarëve.
Organizata kërkoi transparencë mbi shumën e kompensimeve dhe subvencioneve të përfituara nga operatorët e transportit publik dhe mënyrën se si janë përdorur këto fonde.
Ajo kërkoi gjithashtu një auditim të pavarur të gjendjes, kapacitetit dhe amortizimit të flotës, si dhe që autoritetet të mos lejojnë reduktimin e autobusëve në qarkullim pa një plan emergjence dhe alternativa të tjera lëvizjeje për qytetarët.







