Zjarr i fuqishëm në kantinën 165-vjeçare të Patrës, shkrumbohet ndërtesa historike

Një zjarr i fuqishëm përfshiu në orët e para të mëngjesit të së shtunës një pjesë të kantinës historike Achaia Clauss, në zonën Petrotos të Patrës. Sipas autoriteteve zjarrfikëse greke, aktualisht nuk ka më flakë aktive dhe situata është përmirësuar. Nga zjarri është shkatërruar plotësisht një ndërtesë dykatëshe prej guri, ndërsa flakët nuk janë përhapur në ndërtesat e tjera të kompleksit.
Zjarri shpërtheu rreth orës 05:00, vetëm pak orë para nisjes së aktivitetit “Vjelja e Hapur 2026”, i cili ishte planifikuar të zhvillohej në orën 08:00 me pjesëmarrjen e vizitorëve në vjeljen dhe përpunimin tradicional të rrushit të varietetit Mavrodaphne. Deri tani nuk dihet nëse aktiviteti do të zhvillohet. Shkaqet e zjarrit dhe rrethanat e shpërthimeve të raportuara mbeten ende të paqarta.
Për shuarjen e flakëve u angazhuan 27 zjarrfikës, tetë automjete zjarrfikëse, një ekip këmbësor i njësisë 6 EΜΟΔΕ dhe një automjet me shkallë speciale, ndërsa në operacion ndihmuan edhe autobotet e bashkisë. Një nga objektivat kryesorë ishte parandalimi i përhapjes së zjarrit drejt zonës pyjore pranë kompleksit. Në vendngjarje ka mbërritur edhe njësia hetimore për zjarret, e cila do të përcaktojë shkaqet e incidentit.
Achaia Clauss është një nga monumentet më të rëndësishme historike të Patrës dhe konsiderohet kantina më e vjetër e verës në Greqi. E themeluar në vitin 1861 nga Gustav Klaus, ajo është e lidhur ngushtë me historinë e verës Mavrodaphne dhe përfshin ndërtesa prej guri, bodrume historike dhe fuçi të vjetra, disa prej të cilave datojnë që nga viti 1873. Ende nuk është përcaktuar nëse zjarri ka dëmtuar hapësira historike, fuçi të vjetra apo materiale arkivore. Deri tani nuk raportohet për persona të lënduar.
/vizionplus.tv




