Virxhinia Ullf nuk resht së magjepsuri me hijeshinë e prozës. Të shkruarit në muret e burgut është imazhi që mund t’i shkojë më së miri për shtat prezantimit të botës letrare të kësaj shkrimtareje të pavdekshme, sepse, duke lexuar veprat e saj, e imagjinon atje, të përqendruar në përpjekjen për të gjetur fjalët e duhura për të përshkruar për jetën, duke u përpëlitur në rrjetë, në atë rrjetë që përmban dhe burgos gjithçka. Kjo rrjetë është realiteti i përbashkët, që mbështjell një realitet tjetër të thellë, të fshehur për shumicën e njerëzve, një materie fluide që mund të kapet vetëm në momente të caktuara ndriçuese, që do t’i quanim momente të qenies. Në momentet e të qenit, ajo duket sikur i thotë çdo lexuesi, secilit prej nesh: “Je unik, i papërsëritshëm dhe madhështor, ndaj jeto”. Është mesazhi më i bukur për t’u kujtuar nga shkrimtarja angleze. Me librat e saj, ajo na përcolli dhuratën më të madhe që zotëronte: ndjeshmërinë ekstreme dhe të pastër, që i dha aftësinë për të kapur përshtypjet në rrjedhën e pandalshme të gjërave, për t’i përshkruar ngjarjet si fragmente të një plani më të madh, për ta përfaqësuar kohën si një dimension të brendshëm. Të paktë janë ata shkrimtarë si Virxhinia Ullf, që arrijnë të mbeten përherë aktualë, sikur të ishin ende të gjallë, të përjetshëm, sërish frymëzues.

“Ekziston një formë trishtimi, që vjen nga të diturit e tepruar, duke e parë botën ashtu siç është.
Është e trishtueshme të kuptosh, se jeta nuk është një aventurë e madhe, por një varg momentesh të vogla të parëndësishme, se dashuria nuk është një përrallë, por një emocion i brishtë dhe kalimtar, se lumturia nuk është një gjendje e përhershme, por një vështrim i rrallë dhe kalimtar i diçkaje që njeriu nuk mund ta mbajë kurrë.
Dhe në këtë kuptim, ekziston një vetmi e thellë, një ndjenjë e shkëputjes nga bota, nga të tjerët, nga vetvetja”.