Të shumtë janë ata që e konceptojnë dashurinë si diçka posesive. Gruaja ime, burri im… hiqini këto posesive. Nuk ka asgjë e jotja, tjetra është tjetër. Edhe martesat mund të jenë të mundshme, vetëm nëse nisin nga koncepti se ajo ose ai është dikush tjetër. Kushti elementar dhe themelor për të vazhduar jetën quhet dashuri. Frojdi e ka thënë bukur: jeta funksionon nëse dikush na do. Dashuria është gjithçka që rrit, zgjeron, pasuron jetën tonë, karshi lartësive dhe thellësive të gjithanshme. Jetojmë për aq kohë sa kemi dikë që na do: jam i bindur se shumë të moshuar “ikin”, sepse askush nuk i do më. Dashuria është kategoria e jetës, por përfshin një kusht falas: sot kushtet e dashurisë mungojnë, sepse falas fillon e qesëndiset dhe shihet me mjaftueshmëri, si diçka patetike dhe vjen Tjetri, i konsideruar si një objekt, diçka që fillon të kërkohet si e jona, si posedim. Por të duash të posedosh tjetrin, do të thotë të mos duash. Siç thoshte From: Dashuria e papjekur thotë: unë të dua, sepse kam nevojë për ty. Dashuria e pjekur thotë: Kam nevojë për ty, sepse të dua”.

Dashuria nuk është një gjë paqësore, nuk është delikatesë, besim, rehati. Dashuria nuk është mirëkuptim, ndarje, mirësi, respekt, pasion, që prek shpirtin ose ndot trupin. Dashuria nuk është heshtje, pyetje, përgjigje, vulë besimi e përjetshme, prishje e synimeve dikur të përbashkëta, tradhti ndaj premtimeve të pambajtura, mbytje anijesh e ëndrrave të zgjuara. Dashuria është cenim i integritetit të individëve, është të prekësh me dorë kufijtë e njeriut. […] Dashuria është vetëm çelësi që hap dyert e jetës sonë emocionale, për të cilën ne mashtrojmë veten se e kemi në kontroll, ndërsa ajo, duke mashtruar iluzionin tonë, na çon në shtigje dhe devijime, ku, me pavetëdije, shpështjell, në mënyrë të gjarpëruar dhe kontradiktore, vitalitetin e ekzistencës sonë. […]
Dashuria ushqehet me risinë, misterin e rrezikun dhe ka si armiq kohën, jetën e përditshme dhe familjaritetin. Ajo lind nga idealizimi i personit të dashur, me të cilin dashurohemi përmes një magjepsje fantazie, por më pas, koha, e cila luan në favor të realitetit, prodhon zhgënjim dhe e shndërron dashurinë në një dashuri pa pasion ose në hidhërimin e zhgënjimit.