Prokuroria Themelore në Pejë ka hapur rast penal ndaj këngëtarit Joz Marku, pas incidentit të dhunshëm me Eduart Kuçin, ndërsa autoritetet kosovare e kanë vendosur atë në “stop-listë”.
Lajmi është konfirmuar për Telegrafin nga zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, i cili bëri të ditur se prokurori kujdestar ka nisur me vetiniciativë një rast penal ndaj Joz Markut, shtetas i Shqipërisë.
Rasti është hapur për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, të dyshuar si të kryer ndaj shtetasit kosovar Edi Kuçi.
“Prokurori i shtetit nga Prokuroria Themelore në Pejë, përkatësisht prokurori kujdestar, me vetiniciativë ka hapur rast penal ndaj J.M., shtetas i Republikës së Shqipërisë, për veprën penale ‘Lëndim i lehtë trupor’ të shkaktuar ndaj shtetasit të Republikës së Kosovës E.K.”, deklaroi Nikçi.
Sipas tij, Prokuroria ka autorizuar Policinë e Kosovës për inicimin e rastit, vendosjen e Joz Markut në “stop-listë” dhe ndërmarrjen e veprimeve të tjera ligjore.
Autoritetet kosovare i janë referuar nenit 109 të Kodit Penal të Kosovës, duke argumentuar se dispozitat përkatëse mund të zbatohen edhe ndaj shtetasve të huaj që dyshohet se kryejnë vepra penale jashtë territorit të Kosovës ndaj shtetasve të Kosovës.
Rasti lidhet me një përleshje të ndodhur në Tiranë mes Joz Markut dhe Edi Kuçit. Pas publikimit të pamjeve të incidentit, ku Kuçi shfaqet duke u goditur dhe më pas duke kërkuar falje, Prokuroria e Pejës ka vendosur të nisë procedurat penale ndaj Markut.
Megjithatë, nga informacioni i bërë publik deri tani, nuk bëhet fjalë për një urdhër arresti apo ndalim të Joz Markut. Vendimi i raportuar është hapja e rastit penal dhe vendosja e tij në “stop-listë”, çka do të thotë se në rast se ai hyn në Kosovë, autoritetet policore do të njoftohen dhe mund të ndërmarrin veprimet procedurale të autorizuara nga Prokuroria.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/