Një 58-vjeçare e akuzuar për mashtrim dhe bashkëpunëtorja e saj janë arrestuar ditën e sotme në Tiranë.
Mësohet se në pranga ka rënë S.D., e cila akuzohet se kishte mashtruar disa qytetarë, duke u marrë 100.000 euro, me premtimin se do u zgjidhte problemet e pronësisë të zyrën e Kadastrës. Ajo kishte deklaruar se falë njohjeve në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, do mund ta zgjidhte njëherë e mirë problemin, por në fakt, i kishte pajisur këta qytetarë me dokumente të falsifikuara.
Policia po vijon hetimet për të zbardhur nëse ka raste të tjera, ku qytetarët kanë rënë pre e mashtrimit të saj. Në pranga ka rënë edhe bashkëpunëtorja e saj 27-vjeçare.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Premtimi”.
Dyshohet se kanë përvetësuar mbi 100 000 euro, duke mashtruar qytetarë, se do të ndërhynin në AShK, për t’iu zgjidhur rastet pronësore, dhe duke i pajisur me dokumente false, vihet në pranga 58-vjeçarja dhe në hetim bashkëpunëtorja e saj.
Sekuestrohen një shumë eurosh e dyshuar e përfituar nga kjo veprimtari kriminale, disa certifikata të dyshuara të falsifikuara dhe 2 celularë.
Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacionit të gazetarëve të emisionit investigativ “STOP”, se ishin kontaktuar nga shtetas të ndryshëm të pajisur me dokumente false nga një shtetase, e cila i kishte mashtruar se mund t’iu zgjidhte çështjet pronësore, pasi kishte të njohur në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në kuadër të operacionit të koduar “Premtimi”, ndaluan dhe vunë në pranga të dyshuarën, shtetasen S. D., 58 vjeçe.
Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për bashkëpunëtoren e dyshuar të 58-vjeçares, shtetasen S. N., 27 vjeçe.
Këto shtetase dyshohet se nëpërmjet veprimtarive kriminale të mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve, kanë përfituar mbi 100 000 euro, nga qytetarë të ndryshëm.
Në drejtimin e Prokurorisë, vijon hetimi për të zbardhur dhe dokumentuar raste të tjera të kësaj veprimtarie kriminale, të kryera nga shtetasja S. D. dhe bashkëpunëtorja e saj.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mashtrimi”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Përvetësimi i titullit apo detyrës shtetërore”.
Policia e Tiranës falënderon gazetarët e emisionit investigativ “STOP”, për bashkëpunimin, dhe i siguron se qytetarët dhe mediat, se do të marrin për çdo rast të paraqitur, shërbim policor të menjëhershëm, profesional dhe të mbështetur në ligj.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/