Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me atentatin e ndodhur mëngjesin e djeshëm në fshatin Ndërfushaz të Mirditës, ku humbi jetën Viktor Bardhi.
Policia ka këqyrur pamjet e kamerave të sigurisë që ndodhen në hyrje të fshatit, me dyshimin se mund të ishte kapur momenti kur makina e autorëve largohej pas vrasjes së Barhdit. Megjithatë, mësohet se në pamje nuk shihet asnjë mjet duke lëvizur gjatë orëve kur dyshohet se është kryer ekzekutimi.
Paraprakisht, grupi hetimor dyshon se autorët mund të kenë përdorur nënkalimin e “Rrugës së Kombit“ ose mund të kenë kaluar barrierat mbrojtëse të rrugës në këmbë, pasi ndodhen pak metra larg vendit të pritës, për t’u arratisur menjëherë pasi është kryer vrasja. Edhe nga këqyrja e kamerave të sigurisë në pikat hyrëse dhe dalëse të Rrëshenit nuk është evidentuar asnjë gjurmë e automjetit të autorëve, i cili u gjet i djegur në Munaz rreth 20 minuta pas njoftimit të dhënë nga familjarët e 65-vjeçarit Viktor Marku, të cilët e gjetën atë të pajetë.
Ekzekutorët dyshohet se janë ndihmuar nga persona të tjerë, të cilët i kanë pritur me automjet për t’u larguar dhe për të humbur gjurmët nga policia. Në automjetin që u gjet i djegur nuk u gjetën as armë dhe as prova të tjera. Ky është një tjetër dyshim se mjeti i djegur mund të mos jetë automjeti i autorëve, por një mënyrë për të devijuar hetimet nga mjete të tjera që kanë lëvizur në orarin kur dyshohet se është kryer vrasja.
Deri më tani janë shoqëruar 10 persona në polici, mes tyre dhe anëtarë të fisit Reçi, të cilët po merren në pyetje, por ende nuk ka dyshime se kush mund të jetë autori. Bardhi u gjet i pajetë brenda makinës së tij në fshatin Ndërfushaz, pasi ishte qëlluar me breshëri plumbash. Viktima punonte te ujësjellësi i zonës dhe në momentin e ekzekutimit, kishte shkuar për të hapur furnizimin me ujin e pijshëm për fshatin. Pak pasi Bardhi u gjet i pajetë, policia gjeti edhe një mjet të djegur në Munaz të Rubikut, rreth 10 kilometra larg vendngjarjes. Pista kryesore dyshohet se është historia e vjetër e gjakmarrjes që fisi Bardhi ka me fisin Reçi.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/