Zjarri që ka përfshirë zonën e Levanit në Fier ka shkaktuar edhe probleme shëndetësore te disa banorë. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale njofton se tre persona janë paraqitur me shenja asfiksie nga tymi në Spitalin Memorial Fier, ku kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Në kuadër të situatës së krijuar nga zjarret, strukturat shëndetësore janë vendosur në gatishmëri të plotë për t’iu përgjigjur çdo emergjence të mundshme.
Në terren janë angazhuar 9 mjekë dhe infermierë të Qendrës Shëndetësore Levan, si dhe dy autoambulanca me personel shëndetësor nga Spitali Rajonal Fier.
Njëra prej autoambulancave është stacionuar në Levan, ndërsa tjetra qëndron në gatishmëri për të ndërhyrë në rast nevoje.
Ministria e Shëndetësisë bën të ditur gjithashtu se, në rast të emergjencave kardiake, është koordinuar trajtimi pranë Spitalit Memorial Fier, me qëllim garantimin e ndërhyrjes së shpejtë dhe të specializuar.
“Deri në këto momente, 3 persona janë paraqitur me shenja asfiksie nga tymi dhe kanë marrë menjëherë ndihmën e nevojshme shëndetësore”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Në orët e mesditës, një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një sipërfaqe të mbjellë me ullishte dhe shkurre në fshatin Radostinë të bashkisë së Fierit.
Flakët i janë afruar zonës së Liqenit të Levanit, ndërsa zjarri ka prekur kurorën mbi objektet dhe ndodhet rreth 200 metra larg tyre. Pronarët e lokaleve kanë nisur të largojnë stafin dhe klientët, ndërsa po nxjerrin nga ambientet edhe disa mjete dhe orendi, për të shmangur dëmet e mundshme në rast se flakët arrijnë tek objektet.
Në rrezik është edhe një karburant dhe ka nisur ndërhyrja nga ajri me 2 helikopterë. Raportohet për disa banesa të djegura, disa të tjera rrezikohen, teksa ka nisur evakuimi i banorëve. Mësohet se të paktën 7-8 familje janë evakuuar. Gjithashtu ka edhe kafshë të ngordhura. Zjarri është i përmasave të mëdha dhe favorizohet nga era.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/