Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë gjatë orëve të mesditës një sipërfaqe me ullishte dhe shkurre në fshatin Radostinë të bashkisë së Fierit.
Flakët janë përhapur me shpejtësi dhe i janë afruar zonës së Liqenit të Levanit, ndërsa zjarri ka prekur kurorën mbi disa objekte dhe ndodhet rreth 200 metra larg tyre.
Situata ka alarmuar pronarët e lokaleve në zonë, të cilët kanë nisur të largojnë stafin dhe klientët, ndërsa po nxjerrin nga ambientet edhe automjete dhe orendi, me qëllim shmangien e dëmeve të mundshme në rast se flakët afrohen më tej.
Në rrezik ndodhet edhe një pikë karburanti, ndërsa për përballimin e situatës ka nisur ndërhyrja nga ajri me helikopter.
Raportohet gjithashtu se një banesë është përfshirë nga flakët, ndërsa disa të tjera ndodhen në rrezik. Për këtë arsye ka nisur edhe evakuimi i banorëve nga zona.
Puna e forcave zjarrfikëse po vështirësohet nga era e fortë, e cila favorizon përhapjen e flakëve, si dhe nga terreni i thyer, që pengon lëvizjen e mjeteve drejt vatrave të zjarrit.
Për shkak të situatës, qarkullimi në aksin Fier – Levan është vështirësuar.
‘’Zjarr si ky nuk kemi parë kurrë në jetë. Kemi shumë ullinj, ja tani po merr sërish flakë. Edhe një banesë u dogj’’, thotë një qytetare.
Ndërkohë, një zonjë u shfaq dukshëm e alarmuar për pasojat që zjarri mund t’i shkaktonte banesës së saj. Me ulërima ajo u shpreh ‘po më digjet shtëpia, oo ndihmë o’.
Mes banorëve ka edhe persona me probleme shëndetësore, teksa forcat e ndërhyrjes së shpejtë shpëtuan edhe një banor të paralizuar.
Një punonjëse e një prej lokaleve në zonën e rrezikuar ka shprehur shqetësimin për dëmet që mund të shkaktohen nga zjarri.
“Janë shpenzime të mëdha, atje punojmë. Kemi një vit e gjysmë që punojmë atje. Mos të kapë te lokali, janë miliona lekë të hedhura. Punëtorë janë të gjithë, është shumë e vështirë për të gjithë. Zjarri ka përmasa të mëdha, ullinj, anash lokalit. Është katastrofë!”, u shpreh ajo.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/