Tridhjetë vite pas vdekjes së Tupac Shakur, një nga misteret më të bujshme të historisë së hip-hopit ka marrë më në fund një përgjigje në sallën e gjyqit. Duane “Keffe D” Davis, ish-shefi i bandës South Side Compton Crips, është shpallur fajtor për orkestrimin e vrasjes së reperit amerikan, duke shënuar dënimin e parë në një çështje që për gati tri dekada kishte mbetur e pazbardhur.
Juria në Las Vegas e shpalli 63-vjeçarin fajtor për akuzën e vrasjes, në lidhje me sulmin me armë zjarri ndaj Tupac Shakur më 7 shtator 1996. Reperi u qëllua nga një makinë në Las Vegas dhe ndërroi jetë disa ditë më vonë, në moshën 25-vjeçare, në kulmin e karrierës së tij.
I veshur me një kostum të zi, Davis qëndroi i palëkundur teksa u lexua vendimi. Menjëherë pas tij, ai deklaroi se do të apelonte. Në sallë, familjarë të Shakurit u panë duke mbajtur duart e njëri-tjetrit, ndërsa disa prej tyre shpërthyen në lot dhe u përqafuan. Motra e reperit përqafoi një nga prokurorët pas shpalljes së vendimit. Ndërkohë që jashtë gjykatës, fansa të shumtë legjendës së hip-hopit qanë dhe brohoritën.
Prokurorët argumentuan se Davis nuk ishte personi që tërhoqi këmbëzën, por se ai kishte orkestruar sulmin dhe kishte siguruar armën që u përdor për të qëlluar Tupacun. Sipas tyre, armën e përdori nipi i tij, Orlando Anderson.
Sipas akuzës, vrasja ishte një akt hakmarrjeje. Vetëm disa orë para të shtënave, Anderson ishte përfshirë në një përleshje me Tupac Shakurin dhe ekipin e tij në Las Vegas.
Vrasja ndodhi në një periudhë të tensionuar për hip-hopin amerikan, kur rivaliteti mes skenës së Bregut Lindor dhe asaj të Bregut Perëndimor ishte në kulm, ndërsa konfliktet mes bandave Bloods dhe Crips kishin depërtuar thellë në botën e muzikës rap.

Një nga elementët më të rëndësishëm të çështjes ishin deklaratat e vetë Duane Davis. Ai kishte pranuar publikisht në mënyrë të përsëritur se ndodhej brenda Cadillac-ut të bardhë nga i cili u regjistruan dhe të shtënat.
Në vitin 2008, gjatë një interviste sekrete me policinë, në kuadër të hetimeve për vdekjen e reperit tjetër të njohur, The Notorious B.I.G., emri i vërtetë Christopher Ëallace, Davis kishte folur edhe për rolin e tij në ngjarje.
Ai dha më shumë detaje në kujtimet e tij të vitit 2019, “Compton Street Legend”. Deklaratat e tij në media dhe libri, megjithatë ndikuan në një marrëveshje mbrojtëse që ai kishte pasur me autoritetet, e cila më herët kishte penguar ngritjen e akuzave penale ndaj tij.
Gjykata vendosi se intervista e tij me policinë mund të përdorej si provë në gjyqin për vrasjen e Shakurit.
Në argumentet përmbyllëse, prokurori Binu Palal u kërkoi jurisë t’u besonte deklaratave të Davisit.
“Për vite me radhë, ai u ka thënë njerëzve se është përgjegjës për vrasjen e Tupac Shakur”, argumentoi Palal, duke iu referuar dokumentarëve, kujtimeve, podkasteve dhe intervistave të Davisit.
“Ai është vendimtari”, tha prokurori, duke e përshkruar Davisin si udhëheqësin e South Side Crips.
